E megjithatë, komisioni Xhafaj kundër Reformës në Drejtësi vazhdon

Nga Ervis Iljazaj

Fatmir Xhafaj ka mbetur i vetëm në komisionin parlamentar anti-korrupsion. Institucionet e pavarura të drejtësisë nuk morën pjesë, aletatët ndërkombëtarë të Shqipërisë gjithashtu, nga BE e deri të Shtetet e Bashkuara. Madje, nuk lënë rast pa përmendur që organet e Reformës në Drejtësi, sidomos SPAK, nuk duhen prekur. Mirëpo, sot në një konferencë për mediat, Fatmir Xhafaj la të kuptohej se asgjë nuk përjashtohet nga ky komision, edhe ndryshimet kushtetutese. Për momentin deklaroi nuk ka të tilla, por derën e la hapur edhe për ndryshime ligjore edhe për ato kushtetutese.

Po sot, Sali Berisha doli hapur dhe tha se Reforma në Drejtësi duhet sh’bërë. Tashmë ç’montimi i Reformës në Drejtësi, kryesisht SPAK, është program elektoral i Partisë Demokratike. Të gjitha protestat e saj, pavërisisht se kanë dhe kauza të tjera formalisht, qëllimin kryesor kanë sulmin ndaj drejtësisë dhe SPAK. Por që ta arrijë këtë qëllim, Partia Demokratike ka nevojë për Edi Ramën dhe pushtetin, pasi i duhen vota në parlament. Reforma në Drejtësi ka nevojë për ndryshime kushtetutese, dhe ndryshimet kushtetutese kanë nevojë për një bashkëpunim opozitë-pozitë. Kjo është një thirrje e hapur që Partia Demokratike i bën PS-së për ta sh’bërë Reformën në Drejtësi. Në këtë kuptim, Sali Berisha ka nevojë për komisionin që kryesohet nga Fatmir Xhafaj. Të vetmit që mund të marrin pjesë në komisionin Xhafaj për këtë qëllim, janë deputetët e opozitës.

Fatmir Xhafaj sot u shpreh se është në pritje të deputetëve të Partisë Demokratike.
E gjitha kjo histori tregon edhe njëherë tentativën e klasës politike për të penguar aktivitetin e SPAK dhe organeve të reja të Reformës së Drejtësisë, duke qenë se ajo është vënë përballë ndaj trysnisë së drejtësisë së re. SPAK është kthyer në një bezdi të madhe si majtash ashtu edhe djathtas. Kështu që, ata që ndihen të rrezikuar prej tij kanë nevojë të gjejnë mënyra apo strategji të reja për ta ndaluar atë. Nuk dihet nëse kjo aleancë tranversale kundër drejtësisë do të funskionojë ose jo, por fakt është se tentavitat e para për bashkëpunim kanë filluar. Komisioni Xhafaj është njëri prej tyre.

Si opozita ashtu edhe pozita janë kundër Reformës në Drejtësi pavërësisht se sillen ndryshe nga njëra-tjetra. Partia Demokratike ka dalë hapur kundër saj, ndërsa qeveria bën çdo gjë për ta sabotuar atë me të gjitha mjetet, edhe pse e merr në mbrojtje publikisht. Një mbrojtje që për hir të së vërtetës është një fasadë dhe s’ka lidhje me realitetin.
Është naive të mendosh se ky komision ka vërtetë qëllim kryesor të luftojë korrupsionin. Në emër të luftës ndaj korrupsionit, padyshim që fshihen qëllime aspak të mira.

E vërteta është se një komision me një natyrë të tillë nuk ekziston në asjë parlament tjetër. Ky i Shqipërisë është më shumë një rast unik se sa i rrallë. Funksionet janë të qarta në një republikë parlamentare. Parlamenti përfaqëson politikisht qytetarët, aprovon ligje dhe mbi të gjitha kontrollon aktivitetin e qeverisë. Nuk është detyrë e parlamentit të luftojë korrupsionin. Nëse parlamenti ka nevojë të aprovojë ligje në këtë drejtim ka komisionet e përhershme për ta bërë këtë gjë, dhe aty mund të marrë çdo ‘feed back’ për luftën ndaj korrupsionit. Çdo komision tjetër i posaçëm për luftën ndaj korrupsionit është thjesht një fasadë e mirë për të propaganduar më shumë luftën ndaj korrupsionit, por që s’ka asnjë lloj efikasiteti.

Aq më tepër që Shqipëria nuk vuan aspak për ligje dhe masa ndaj korrupsionit. Ndoshta Shqipëria është vendi me më shumë ligje, masa apo reforma në luftën ndaj korrupsionit, e megjithatë ajo renditet në të gjitha raportet ndërkombëtare të besueshme si një vend i korruptuar. Problemi i Shqipërisë nuk janë ligjet, por pavarësia e drejtësisë dhe vullneti i saj për të luftuar korrupsionin.

Shqipëria mban rekord në projektet për të luftuar korrupsionin, madje kemi edhe një ministri anti-korrupsion që nuk ekziston në asnjë vend tjetër të botës si e tillë. Por përsëri korrupsioni mbetet një nga problemet kryesore të Shqipërisë. Ajo që duhet të bëjë Shqipëria në këtë drejtim është të mbajë larg pushtetin politik nga organet e drejtësisë; ti lejojë ato të punojnë në pavarësi të plotë dhe ti japë të gjitha instrumentat financiarë dhe strukturorë./Liberale.al

Artikulli paraprakSkenari i Zi i Ramës, Shalsit e Braçes për ta kthyer Kontrollin e Lartë të Shtetit në një audit të brendshëm të qeverisë
Artikulli tjetërInceneratori i Fierit/ Apeli i GJKKO pranon kërkesën e SPAK, vendos përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor