Zgjatja e paligjshme e mandatit për anëtarin e ri në Gjykatën Kushtetuese: Strategji e mazhorancës për të ndikuar vendimin mbi përgjimet Sky ECC?

Nga Desada Metaj

Gjykata Kushtetuese pritet të ketë numrin e plotë të anëtarëve të saj pas dorëheqjes së Elsa Toskës pak javë më parë. Dhe për të plotësuar këtë vakancë, merakun më të madh që ditën e parë e ka patur kryetarja e Kuvendit, e cila sot ka shpallur emrat për zëvendësimin e anëtares së dorëhequr. Në mes të listës së kandidatëve “shkëlqen” ylli i Naureda Llagamit, ish-drejtueses së Këshillit të Lartë Gjyqësor, mandati i së cilës në këtë institucion përfundoi pak javë më parë. Për hir të së vërtetës, këtë herë më shumë se emri i privilegjuar dukshëm i listës, problem shqetësues mbetet mandati i vendit vakant të GJK. Elisa Spiropali, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, në shpalljen e vendit vakant e ka shtyrë mandatin e anëtarit të ri nga 2025 në 2028. Ky hap i Spiropalit për zgjatjen e mandatit automatikisht ngjall dyshime për një ndikim të mundshëm edhe në procesin e përzgjedhjes.

Për ta shpjeguar më qartë. Sot Kuvendi ka shpallur 10 emrat e kandidatëve që i janë përgjigjur thirrjes së Spiropalit për vendin vakant të Gjykatës Kushtetuese. Sipas ligjit, këtë listë, Kuvendi do t’ia përcjellë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për të shqyrtuar përmbushjen e kritereve nga secili kandidat. KED do të hartojë një listë përfundimtare dhe do ta rikthejë atë te Komisioni për Çështjet Ligjore, i cili më pas do t’i paraqesë përfundimisht Kuvendit si një listë prej tre kandidatësh. Vendimi përfundimtar për gjyqtarin e ri kushtetues kërkon tri të pestat e votave të Kuvendit. Me dinamikën aktuale të zhvillimeve në Kuvend, ka pak gjasa të ndodhë një votim me 3/5. Por dhe nëse ky votim dhe miratim nuk ndodh brenda 30 ditëve, ligji parashikon që i emëruar do të konsiderohet kandidati i renditur i pari. Pra, me logjikë normale, vendin vakant të Gjykatës Kushtetuese me gjasë do ta zërë një emër i preferuar i mazhorancës.

Nga ana tjetër, mazhoranca mund të diktonte vullnetin e saj edhe në kushte normale, pa ngutur procesin si dhe pa shkelur Kushtetutën, siç po bën Elisa Spiropali me zgjatjen e mandatit të anëtarit të ri nga 2025-2028. Ky nxitim i kryetares së Kuvendit në sinkron me atë të Gjykatës Kushtetuese pritet të ndikojë dhe në përbërjen e GJK-së. Në këtë mënyrë mazhoranca vulos ndikimin e saj në shumicën e anëtarëve të GJK, rrjedhimisht edhe në dosje të rëndësishme që do të gjykohen së shpejti, siç është çështja e vlefshmërisë së përgjimeve Sky ECC.

Një Gjykatë me përbërje prej 5 votash “pro” për të shpallur të pavlefshme përgjimet mund të ndryshojë rrjedhën e vendimeve për çështje kyçe penale që po hetohen nga SPAK. Në këtë kontekst, merr kuptim dhe përpjekja për të kapur vendin vakant të Gjykatës Kushtetuese, me mandat më të gjatë se ai që përcakton ligji, duke i hapur rrugën kështu edhe zgjatjes së paligjshme edhe të dy mandateve të tjera që përfundojnë po në vitin 2025. Në mënyrë hipotetike mund të llogaritet që së paku 3-4 vota të GJK-së janë aktualisht nën “urdhërat” e Elisa Spiropalit, e cila me një të rënë të lapsit ka shkelur kushtetutën dhe ja ka zgjatur mandatin 3 vjet. Po t’i shtosh këtij numri gjyqtarësh edhe ndonjë tjetër lehtësisht të shantazhueshëm për arsye personale, çështje delikate si ajo e përgjimeve të Sky ECC do të gjykohen jo nga juristë mendjeftohtë por nga “borxhlinj” të politikës e cila është e interesuara e madhe që GJK t’i shpallë këto përgjime të pavlefshme, duke ndikuar direkt te proceset penale dhe dosjet e hetuara nga SPAK.

Mazhoranca me mendjen (dhe duart) e Spiropalit dukshëm nuk po i fsheh më qëllimet e saj për të penguar punën e Prokurorisë së Posaçme. Sikurse heshtja e PD-së për kapjen flagrante të GJK është tregues i qartë se për halle të ngjashme, inatet politike ia lënë vendin marrëveshjeve të dukshme apo të fshehta. Të cilat kanë një emërues të përbashkët, aleancen anti SPAK./Vna.al

Artikulli paraprakQeveria shpërfilli vlerësimin shkencor në tkurrjen e parqeve kombëtare
Artikulli tjetërPërse progres-raporti i BE nuk flet për arrestime politike në Shqipëri?