Silvio Gonzato i tregon vendin Fatmir Xhafajt: Harroje se mund të zhbësh reformën në drejtësi!

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato i ka dhënë një mesazh të qartë Fatmir Xhafajt sa i përket Reformës në Drejtësi.

Në një intervistë ai e ka bërë të qartë se arkitektura aktuale kushtetuese është e panegociueshme.

“Ju e dini që ne vendosëm të marrim pjesë duke i ofruar ekspertizë Komisionit për ta udhëhequr dhe mbështetur në diskutimet e tij. Dhe një nga kushtet e qarta për këtë ofertë ishte që Komisioni të mos vinte në dyshim arkitekturën aktuale kushtetuese. Dhe kur flas për arkitekturën kushtetuese, kam parasysh situatën aktuale që e sheh sistemin e drejtësisë krejtësisht të pavarur nga legjislativi dhe ekzekutivi. Kjo është diçka që nuk është e negociueshme”, tha ai për “TCH”.

Më tej Gonzato i ka cilësuar si të patolerueshme sulmet e politikës ndaj SPAK dhe kreut të institucionit Altin Dumani.

Teksa mbështet punën e Prokurorisë së Posaçme, Gonzato thotë se e vetmja gjë që ka ndikuar integrimin e Shqipërisë drejt BE-së, janë rezultatet e SPAK. Duket se Silvio Gonzato i ka dhënë një goditje të fortë Metës dhe Berishës.

“Nuk do të komentoj. E vetmja gjë që mund të them është se nëse ka një faktor që ka ndikuar në vlerësimin e situatës në sektorin e sundimit të ligjit nga Bashkimi Evropian, janë pikërisht rezultatet që po arrin SPAK-u. Dhe siç thashë, mendoj se duhet ta lejojmë SPAK-un të punojë. Absolutisht nuk duhet të tolerojmë sulme personale ndaj disa prej përfaqësuesve të këtyre institucioneve të pavarura të drejtësisë. Ne duhet t’i mbrojmë ata. Dhe ky është padyshim pozicioni im për këtë”, tha ai.

Artikulli paraprakArmando Broja pranë rikthimit, sulmuesi shqiptar takim me tifozët
Artikulli tjetërPerëndimi shpreson ta detyrojë Rusinë të negociojë, por nuk mjafton lodhja e Putinit