“Der Spiegel”
Ka një kohë të gjatë që vendet e BE-së dhe ato të Ballkanit Perëndimor po punojnë drejt përafrimit. Tashmë Mali i Zi dhe Serbia po zhvillojnë bisedime konkrete për anëtarësim në BE. Për Bashkimin Evropian është me shumë rëndësi zbatimi në praktikë i vlerave demokratike dhe të shtetit ligjor në këto vende.
Mirëpo, udhëheqësit autoritarë në rajon nuk po e marrin më seriozisht kryeqendrën evropiane, Brukselin. Ata tashmë po flirtojnë me Rusinë dhe Turqinë. Ndërkaq, as BE-ja më nuk po insiston në respektimin e parimeve. Ajo tani ka nevojë më shumë për partnerë politikë dhe garantues të stabilitetit. Ky trend aktual, për ekspertët, është shumë i rrezikshëm, shkruante dje në artikullin e saj revista prestigjioze gjermane “Der Spiegel”.
Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, shtiret si një fans i dhënë shumë pas vlerave të Bashkimit Evropian. Kjo mund të shihet edhe nga vardisjet që ai i bën në mënyrë periodike Kancelares gjermane, Angela Merkel, duke i bërë deklarata dashurie për qëndrimin e saj humanist dhe demokratik. Me të njëjtin angazhim, shprehet ish-ministri i propagandës së diktatorit Millosheviç edhe lidhur me postulatet për pajtim në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Por Vuçiç di dhe ndryshe: në mënyrë demonstrative ai celebron edhe raportet e miqësisë që ka me presidentin rus. Në Moskë, ai arriti një marrëveshje me presidentin Vladimir Putin për blerjen e avionëve luftarakë, ndërsa rregullisht ai lejon mbajtjen e manovrave të përbashkëta ushtarake me ushtrinë ruse në afërsi të kufirit me fqinjin e armiqësuar Kroacinë.
Ai nuk e ka problem të përdorë fjalë kërcënuese dhe të përcjellë mesazhe të tilla në adresën e politikanëve opozitarë, atyre që mendojnë ndryshe prej tij dhe tek mediat e lira. Dhe natyrisht në sytë e tij, ajo që shkruhet për Masakrën e Srebrenicës, edhe kur ajo cilësohet gjenocid, për të është propagandë antiserbe.
Vuçic, i cili Serbinë postjugosllave e sundon me të njëjtin pushtet, ashtu siç bëri para tij Sllobodan Millosheviç, është një shembull i një udhëheqësi shtetëror autoritar, populist dhe nacionalist në rajon, i cili me këto sjellje po largohet gjithnjë e më shumë nga rruga demokratike dhe shteti ligjor, që janë vlera të Evropës së re dhe rendit politik të ri botëror demokratik.
Në mënyrë nominale Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia tashmë një kohë të gjatë zhvillojnë negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa në këto negociata pikë rëndese është zbatimi i vlerave themelore të Bashkimit Evropian, që janë demokracia dhe shteti ligjor.
Në të vërtetë, pa përjashtim në çdo vend të rajonit në Ballkanin Perëndimor, sundojnë politikanë autoritarë dhe klika të korruptuara, ndërsa në asnjë prej këtyre vendeve nuk sundon shteti ligjor. Këto zhvillime nga ekspertë dhe politikanë të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, në kontekst të krizës evropiane, asaj të refugjatëve, si dhe të luftës në rritje për ndikim në sferat gjeopolitike, shihen me mjaft dyshim dhe brengë.
“Viti 2016 ishte vit kulminant për vendet e Ballkanit Perëndimor”, thotë politologu boshnjako-austriak, Vedran Xhihiç. “Procesi i demokratizimit është vënë në pikëpytje si i tërë në rajonin ballkanik. Elitat politike të atjeshme, nuk po e marrin më me seriozitet Bashkimin Evropian, ndërsa po luajnë lojëra të dyfishta me Brukselin. Për Ballkanin Perëndimor, më nuk ka një rrugë normative dhe lineare, ndërsa mbetet përsëri gjithçka e hapur me mundësinë e shumë skenarëve”.
Ngjashëm mendon edhe politikani kroato-gjerman, Josip Juratoviç. Ai paralajmëron për pasoja në këtë drejtim: “Mosintegrimi i Ballkanit Perëndimor mund të jetë shumë i rrezikshëm, ashtu siç ka treguar shkatërrimi i ish-Jugosllavisë. Më nuk është e mjaftueshme që herë pas here të mbahet ndonjë samit ku të shpallen dhe deklarohen synimet për proceset eurointegruese drejt BE-së”.
Në fakt, Bashkimi Evropian është deklaruar si padroni mbrojtës për vendet e Ballkanit Perëndimor. Dy vende: Bosnje dhe Hercegovina dhe Kosova po administrohen nga dy misione ndërkombëtare të Bashkimit Evropian dhe këto dy vende janë shumë të varura nga ndihma financiare të BE-së.
Në mënyrë të veçantë, Gjermania është angazhuar në planin diplomatik në rajon. Në vitin 2013 dhe 2014, ajo ka qenë fuqishëm e angazhuar në procesin e ashtuquajtur të Berlinit me qëllim krijimin e një perspektive të sigurt eurointegruese për vendet e Ballkanit Perëndimor. Vitin e kalur Gjermania mori edhe rolin ndërmjetësues në krizën e Maqedonisë, pas dështimit të ndërmjetësimit nga diplomatët e Bashkimit Evropian.
Megjithatë, klima e krijuar tani, e lodhjes nga zgjerimi, duket se ka bërë që politika e BE-së të lëshojë pe nga parimet dhe t’i zëvendësojë për momentin ato me moton: “Realpolitikë në vend të shtetit ligjor”. Bashkimi Evropian, në këtë situatë, tani ka nevojë për liderë të fuqishëm në rajon, të cilët do të jenë partnerë dhe garantë të stabilitetit.
Kryeministri serb Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të duhej të negocionin procesin e normalizimit midis dy vendeve dhe kjo përmes procesit të dialogut, që po mbahet larg syve të opinionit publik, ndërsa aktor ka Thaçin, pjesëmarrja e të cilit në krime të luftës ende mbetet e pasqaruar ashtu si deri më tani.
Edhe ish-kryeministri maqedonas Nikola Gruevski, është i akuzuar për keqpërdorim të detyrës dhe korrupsionit. Por, ai i duhet BE-së për të menaxhuar krizën e refugjatëve, ku roli i Maqedonisë shihet si një pengesë për refugjatët që mund të vërshojnë nga Greqia.
Shembull tjetër për këtë politikë të BE-së, është dhe rasti i Malit të Zi, një vend i vogël në rivierën e Adriatikut, i cili po qeveriset që një çerekshekulli nga një ish-komunist, Milo Gjukanoviç. Që nga prishja e Jugosllavisë, ai po qeveris këtë vend me një klikë familjare dhe miqësh si të ishte ky shtet një sipërmarrje private.
Ndonëse Mali i Zi nuk ka përmbushur asnjë kriter nga katalogu i vlerave bazike të BE-së, ky vend merr përditë lëvdata nga Brukseli zyrtar për gjoja përpjekjet e tij eurointegruese. Për më tepër ky vend bëhet këtë vit edhe anëtar i NATO-s, sepse Gjykanoviç në mënyrë shumë fine është kujdesur të ruajë stabilitetin dhe qetësinë, duke i dërguar sinjale Brukselit se ndryshe do të koketojë me Putinin apo presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan.
Krejt ndryshe nga BE-ja i rregullon raportet me këta liderë të Ballkanit Perëndimor, presidenti turk Erdogan kur bëhet fjalë për sensin e traditës së vjetër ballkanike, në luftë për ta rikthyer atë në zonë interesi nën ndikimin e tij politik. Kur ai martoi vajzën e tij, shfrytëzoi rastin që për të krijuar marrëdhënie të forta pa rënë në sy, ai kishte ftuar në dasmë kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqjen shtetërore prej tre anëtarësh të Bosnjë e Hercegovinës, si mysafirë nderi.