Ervis Iljazaj
Vrasja e stilit mafioz dje në Shkodër ka tronditur mbarë opinionin publik, jo vetëm atë lokal të Shkodrës, por edhe atë kombëtar, për dy arsye kryesore. E para, sepse në atë atentat mafioz humbi jetën një grua e pafajshme, dhe e dyta , sepse vrasja ndodhi në mes të ditës dhe në mes të rrugës. Gjithmonë e më shumë po ndodhin vrasje të tilla në Shqipëri nga anëtarë të bandave që lajnë hesapet me njëra-tjetrën. Vrasje të cilat bëhen në mënyrë ‘’spektakolare’’, karakteristikë e mafies për të çuar mesazhe atje ku duhet.
Për shkak të disa vrasjeve të zhurmshme, pikërisht të tipit spektakolar, të cilat shpesh ndodhin në zonat më të populluara të qyteteve, është krijuar ideja se krimininaliteti në vend, në terma sasiorë, është rritur.
Kjo për shkak edhe të mbulimit mediatik që marrin ngjarje të tilla, që zgjat me ditë të tëra, dhe, që kthehen ndonjëherë si telenovela me seri. Në këtë kuptim, perceptimi i opinionit publik është se, kriminaliteti në vend është gjithmonë në rritje në terma sasiorë.
Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Kriminaliteti në bazë të statistikave është në ulje. Kjo tendencë ka filluar qysh me qeverinë Berisha e vazhdon ende me qeverinë Rama.
Për shembull, vrasjet në qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilat ishin pjesë normale e komuniteteve lokale, janë ulur ndjeshëm. Në ndonjë rast, nuk ekzistojnë fare.
Arsyeja e uljes të kriminalitetit, me ndonjë rast përjashtimor, nuk është aspak ashtu sikurse qeveri të ndryshme mundohen të na e paraqesin, si meritë e tyre.
Ulja e tij ka ardhur për shkak të fenomeneve dhe evolucionit të shoqërisë. Madje, kjo tendencë, nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por, edhe një fenomen europian e botëror. Amerikanët e quajnë The great decline of crime (rënia e madhe e krimit).
Kudo shifrat tregojë se krimi, apo më saktë viktimat e tij janë gjithmonë e më shumë në ulje për dy arsye themelore.
Në radhë të parë, gjithmonë e më shumë njerëzit investojnë te siguria në mënyrë private. Edhe në shoqërinë shqiptare, dukshëm investohet në këtë aspekt. Kompanitë e sigurimit janë shtuar ndjeshëm, bizneset marrin masa për sigurinë e tyre, shpeshherë të shoqëruara nga roje sigurimi apo mjete të tjera që përbëjnë atë. Shkolla, ambiente të ndryshme që ruhen nga roje private. Në këtë kuptim, ndërgjegjësimi i vetë njerëzve për t’i kushtuar rëndësi sigurisë së tyre, ka bërë që kriminaliteti në vend të ulet.
Në radhë të dytë, ashtu sikurse kudo, edhe në shoqërinë shqiptare, demokratizimi i vlerave dhe emancipimi i shoqërisë, ka bërë që njerëzit të kenë më shumë akses në të mira materiale dhe vlera morale, të cilat kanë rindërtuar konceptin dhe rëndësinë e jetës.
Mirëpo, përtej këtij rekordi pozitiv, shoqëria shqiptare po haset me një formë tjetër të kriminalitetit. Që ndoshta nuk karakterizohet nga sasia, por nga ‘cilësia’ e tij. Sot krimi në Shqipëri është më i sofistikuar, ose mund ta quajmë më ‘elitar’. Apo siç quhet ndryshe në vendet europiane, ‘krimi i veshur me kravatë’. Cilësor edhe në kuptimin që lidhjet e tij tashmë kanë kaluar në nivele të larta të pushtetit. Ai mbrohet nga pushteti politik, madje ndonjëherë edhe nxitet prej tij dhe më pas përdoret në zgjedhje, ashtu sikurse tregojnë raporte të ndryshme ndërkombëtare të besueshme.
Në këtë aspekt, shteti shqiptar, po haset me një formë të ri kriminaliteti, të cilit ende nuk po di si t’i kundërpërgjigjet, ose në disa raste nuk do t’i përgjigjet. Sepse përballë një krimininaliteti të sofistikuar, në të gjitha aspektet që përmban ai, shteti shqiptar duket si një makinë e vjetër, e cila ecën ngadalë dhe harxhon shumë karburant pa qenë efikase.
Kështu që, për të luftuar vërtet krimin në Shqipëri, ka nevojë për një logjikë të re, për një mentalitet të ri dhe një organizim policor të ri. Tipare të cilat kanë nevojë për një vullnet të hekurt.
Shoqëria shqiptare, e cila ka meritë për uljen e kriminalitetit në vend, ashtu sikurse u përmend më lart, me sa duket i mbetet detyra të luftojë edhe krimin e sofistikuar, nëpërmjet qytetarisë dhe demokracisë së saj.