E pabesueshme. Barcelona në krizë të thellë. Valencia i jep shuplakën e tretë në 4 javët e fundit skuadrës katalanase me një fitore që nuk ndryshon asgjë për sezonin e kësaj skuadre, por zyrtarizon krizën e skuadrës katalanase që mbetet në vendin e parë vetëm për meritë të avantazhit të drejtpërdrejtë që ka në sfidat me Atleticon e Madridit. 11 pikët e hedhura në erë brenda 4 javëve për Barcelonën e Luis Enriques kanë rihapur çështjen titull kundër çdo parashikimi. 2-1 triumfoi Valencia në “Camp Nou”, ku tifozët ishin dëshmitarë të një tragjedie të vërtetë. Ndaj Valencias duhej të ishte ndeshja e shërimit të plagëve të marra në javët e fundit, por “blaugranat” u rrëzuan nokdaun, duke u barazuar jo vetëm me Atleticon e Madridit, por duke i dhënë një mundësi të artë edhe Realit të Madridit që tashmë është në ndjekje me vetëm një pikë më pak. Ishte Rakitic, ai që shënoi autogol në portën e tij në minutën e 26.
Ndërkohë, Santi Mina dha goditjen finale në fundin e pjesës së parë. Barcelona u rikthye në fushë me idetë të paqarta, ashtu si sulmet e pakordinuara për të gjetur rrjetën. Mesi krijoi iluzionin se ndeshja mund te merrte një tjetër drejtim, por goli i minutës së 63 ishte edhe i fundit për mbrëmjen e zezë katalanase, ku Suarez e Neymar shpërdoruan shumë, duke mos arritur të barazonin rezultatin. Një humbje që mund të rrëzojë gjithçka u ndërtua brenda një sezoni fantastik deri në El Clasicon e përpara pak javëve, Barcelona u jep një asist dy skuadrave të Madridit.
Në “Vincente Calderon”, Atletico Madrid bëri detyrën me një fitore shumë të rëndësishme 3-0 kundër Granadas. Skuadra e Diego Simeones dukshëm e karikuar pas kualifikimit në gjysmëfinalen e Champions League, nuk e reflektoi aspak lodhjen në fushën e lojës, duke e zgjidhur këtë ndeshje shumë lehtë. Kapiteni Koke zhbllokoi sfidën që në minutën e 15. Uragani bardhekuq nuk u ndal as në pjesën e dytë me golat e shënuar nga Fernando Torres dhe Angel Correa. 3 pikë të arta për Atleticon e Madridit që mund të synojë edhe titullin, pasi gara është rihapur dhe viti magjik 2014 mund të përsëritet për “Los Colchoneros”. Në përballjen tjetër të së dielës, Sevilla nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Deportivo La Corunas, duke iu larguar objektivit europian.