Turizmi prioritar, por uji me orar

 Nga Denis Tahiri

Ishte tetori i vitit 2018 kur qeveria e Kryeministrit Edi Rama deklaroi në një konferencë për turizmin se në harkun kohor të pesë viteve ia kishte dalë të dyfishonte të ardhurat nga turizmi falë rritjes së vizitorëve.

“Kemi kaluar nga 3.4 në mbi 6 milionë vizitorë […] me një reflektim domethënës dhe në punësim […] me mbi 30 mijë të punësuar në funksion të sezonit,” – do të shprehej Kryeministri duke treguar me krenari arritjen e kuotës 2 miliardë euro të ardhura.

Pesë vite më vonë, Shqipëria do të shënonte një tjetër “rekord”, ku sipas shifrave të dhëna do t’i kalonte 10 milionë turistë të huaj.

[…] Bashkë me Krishtlindjen kaloi edhe numri 10.000.000 i turistëve të huaj në Shqipëri, një arritje fantastike e paimagjinueshme deri pak vite më parë!”, shkruante Rama më 26 dhjetor 2023.

Në një kohë kur për 2024 objektivi i parashikuar ishte 15 milionë turistë, shifrat nuk lënë hapësirë për të qenë optimist, pasi nga janari në shtator kanë hyrë 9.7 milionë turistë të huaj.

Nga ana tjetër ndërsa flitet për turizmin si sektor prioritar të ekonomisë, dhe i cilësuar jo rrallë herë si e ardhmja e ekonomisë shqiptare, shumë rrallë flitet për investimet e munguara në infrastrukturë, sidomos në atë baziken, siç është infrastruktura e ujit.

Për Zak Topuzin, kreun e Shoqatës së Hotelerisë, rëndësia e sektorit të turizmit për peizazhin ekonomik të Shqipërisë është e pamohueshme.

Pavarësisht trajtimit si prioritet, zhvillimi i vrullshëm i turizmit në botë e veçanërisht në Mesdhe, vendin e kapi të papërgatitur”, shprehet ai, duke shtuar se nga problemet kryesore shqetësuese është infrastruktura ku përmblidhen probleme me rrugët, energjinë, ujin e pijshëm dhe derdhjen e ujërave të zeza në ujëra larës.

Realiteti është që furnizimi me ujë të pijshëm në rang kombëtar si në vitin 2022, ashtu edhe në 2023, mbetet në nivelin e 16.3 orë në ditë.

Qytetet e turizmit “thahen” për ujë

Durrësi, qyteti i dytë më i populluar, njëherësh rajoni me dendësinë më të madhe urbane në vijë bregdetare, vijon ta vuaj mungesën e ujit të pijshëm pavarësisht premtimeve të vazhdueshme për përmirësim të situatës.

Në përgjigje të një kërkese për informacion, Ujësjellës Kanalizime Durrës thotë se “furnizimi me ujë i Bashkisë Durrës varion nga dy deri në 24 orë”, duke vendosur në dispozicion oraret e furnizimit me ujë të pijshëm të lagjeve dhe njësive administrative që janë pjesë e bashkisë.

Nga 18 lagje që ka Durrësi, vetëm segmenti i një prej tyre furnizohet 24 orë me ujë të pijshëm. Më konkretisht:

Lagjja 15: Aksi Varrezat e vjetra-Porto Romano 24 orë; Aksi Kisha-Rrethrrotullimi (djathtas) 24 orë; Skolina fundore 24 orë”, thotë Ujësjellësi ndërsa për lagjet e tjera furnizimi total varion nga 2 orë e gjysmë deri në maksimumi 20 orë.

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, njëkohësisht zona ku është përqendruar 32% e popullsisë së gjithë vendit, ka njohur gjithashtu rritje të turistëve gjatë viteve të fundit.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme që kemi një Tiranë plot me turistë sot. Është e rëndësishme që kemi marrëdhënie të mira mes shtetesh, […] por marrëdhëniet më speciale janë mes njerëzve, sepse çdo turist kthehet në ambasador që përhap lajme të mira për vendet që viziton”, do të shprehej Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj më 9 korrik 2024.

Në vitin 2017 Veliaj ishte në mandatin e tij të parë si Kryetar Bashkie, kur u zotua se brenda pesë viteve Tirana do të kishte furnizim të pandërprerë me ujë.

“Do ta kapim ujin 24 orë në Tiranë në 5 vitet e ardhshme”, do të shprehej Veliaj, i cili me këtë synim argumentoi edhe rritjen e çmimit të ujit.

Por në një përgjigje zyrtare të marrë nga Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë, për vitin 2023, Tirana është furnizuar mesatarisht me 17 orë ujë në ditë.

Natyrisht, kjo mesatare vjetore ndryshon nga një muaj në tjetrin për arsye se gjatë periudhës së thatësirës orari mesatar i furnizimit me ujë të pijshëm është më i ulët sikundër në periudhën e dimrit ky orar rritet”, thuhet në përgjigjen e UKT-së.

Ndërkohë, Kruja, një nga qytetet me turizëm të lartë kulturor, është ndër qytetet në të cilin situata me ujin e pijshëm është edhe më e vështirë.

Në të gjithë territorin e kësaj bashkie, furnizimi varion nga një deri në 11 orë në ditë. Por, lagjet e brendshme të qytetit variojnë nga një në tre orë në ditë.

Në Shkodër, kryeqendrën e veriut dhe një atraksion i padiskutueshëm turistik, situata është komplet ndryshe.

Furnizimi me ujë të pijshëm në juridiksionin e bashkisë është rreth 22.15 orë në ditë. Por vet kjo bashki në një pjesë tjetër të përgjigjes së kërkesës për informacion të dërguar shprehet se:

Bashkia Shkodër mbulohet me shërbimin e furnizimit me ujë me rrjet shpërndarjeje të ujit të pijshëm në nivel 58%. Një pjesë e zonave rurale dhe zonat periferike (informale) të qytetit nuk kanë rrjet të shpërndarjes së ujit të pijshëm dhe për rrjedhojë nuk mbulohet me shërbim”.

Lezha, “ylli i vetmuar” i bregdetit të Adriatikut

Lezha, arrin të mbulojë me 24 orë ujë qytetin, por gjithashtu të ofrojë të njëjtin shërbim edhe në qytetin e Shëngjinit.

Qyteti Lezhë dhe zonat rreth saj mbulohen 100% me ujë të pijshëm, qyteti turistik Shëngjin mbulohet me ujë të pijshëm 100% duke përjashtuar pikat fundore Rëra e Hedhur dhe zona fundore Kune”, thotë zyrtarisht Bashkia Lezhë.

Në orët e furnizimit me ujë të zonave nën juridikionin e kësaj bashkie është edhe Ishull-Lezhe, me një furnizim me 24 orë në ditë.

Për ekspertin e turizmit, Mariglent Pepmarku, situata me furnizimin me ujë të pijshëm në qytetet bregdetare shqiptare, si Durrësi apo qytetet të tjera, paraqet sfidë për ekonominë e turizmit dhe bizneset.

“Në Durrës”, shprehet zoti Pepmarku, ku furnizimi është i kufizuar në më pak se 10 orë në ditë, “sjell pasoja të konsiderueshme”.

“Pamundësia për të siguruar ujë të mjaftueshëm për vizitorët dhe për shërbimet e hotelerisë ndikon në kënaqësinë e turistëve”, thotë ai duke shtuar se “kjo eksperiencë ndikon drejtpërdrejtë në reputacionin e biznesit akomodues dhe të vetë qytetit si destinacion turistik”.

Bizneset, sidomos ato që ofrojnë akomodim dhe restorante, përballen me kosto të larta për të siguruar ujin nga burime alternative, duke rritur çmimet dhe reduktuar konkurrencën”, thotë eksperti duke shtuar se kjo çon më pas edhe në investime të ulëta.

Për ekspertin Pepmarku sfidë të ngjashme ndan edhe Kruja.

Vizitorët me interes në turizëm kulturor shpesh kërkojnë komoditet dhe shërbime cilësore që përfshijnë bazën: ujë të pijshëm”, thotë ai, duke shtuar se pamundësia e sigurimit pa ndërprerje të ujit të pijshëm, mund të ndikojë në vendimmarrjen e turistëve për qëndrim më të gjatë në këtë qytet.

Ndër të tjera Pepmarku shprehet se kjo mungesë mund të dëmtojë imazhin e qytetit si një destinacion apo atraksion historik dhe kulturor.

Disa qytetet kanë bërë përparime në zhvillimin e infrastrukturës për turizëm që është evidente , megjithatë, shumë zona përballen me probleme të tilla si: Bregdeti i Jugut, zonë me investime të shumta por që gjithashtu përballet me sfida në furnizimin me ujë të pijshëm,” përfundon ai.

Edhe për ekspertin e turizmit, Luan Dervishaj, problematika me infrastrukturën në këtë sektor qoftë me ujin, energjinë apo mbetjet kanë impakt në dy drejtime.

Në rritjen e kostos së biznesit por edhe në cilësinë e shërbimit në destinacion”, shprehet ai duke vënë theksin se ky problem, është si pasojë e mos planifikimit të ndërtimit gjatë dekadave të fundit.

Ne, gjatë 30 viteve nuk e kemi parashikuar zhvillimin e planifikuar”, thotë ai duke shtuar se fillimisht është ndërtuar e më pas është vijuar me infrastrukturën edhe pse duhet të ishte e kundërta.

Këto tre dekada, praktikisht bizneset duke mos qenë në këtë klimë, janë munduar të ndërtojnë infrastrukturën e vet”, përfundon Dervishaj.

E ndërsa turizmi elitar, është objektivi i radhës i Shqipërisë në sektorin e turizmit, për ekspertin Mariglent Pepmarku ky lloj turizmi ka shumë potencial, por është i vështirë për t’u zhvilluar në një vend ku furnizimi me ujë të pijshëm nuk është i qëndrueshëm, 24 orë.

Turistët e këtij segmenti kërkojnë standarde të larta dhe shërbime si nga emri ‘elitar’ dhe pamundësia për të siguruar ujë të mjaftueshëm është një pengesë e konsiderueshme”, përfundon ai.

Probleme me furnizim me ujë kanë paraqitur dhe zonat elitare turistike si Green Coast, pasi shtimi i kapaciteteve akomoduese nuk është përballuar nga kapacitetet e burimeve ujore ekzistuese”, thotë Topuzi duke shtuar se të vetmet qytete turistike, ku furnizimi me ujë është i pandërprerë janë Korça dhe Pogradeci ku investimet për sistemet e ujit dhe kanalizimet e ujërave të zeza e të shiut janë investuar dhe supervizuar nga qeveria gjermane.

Nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. Deti mes të thënës ‘ujë 24 orë’ dhe të bërës realitet të ‘ujit të pijshëm 24 orë’ në çdo rubinet ka qenë një nga detet më mëdhenj, më i dallgëzuari përpara nesh kur morëm detyrën. Mandati i tretë do të garantojë në disa faza, furnizimin me ujë 24 orë në Tiranë, përfshirë Kamzën dhe Vorën. E njëjta gjë do të ndodhë me Vlorën, Shkodrën dhe Durrësin”, u shpreh gjatë fushatës elektorale të vitit 2021 Kryeministri Rama.

Ne do të garantojmë më në fund 100% ujë të pijshëm 24 orë në zonat urbane në 61 bashki të vendit” do të vijonte ai.

Por tashmë që mandati i tretë i qeverisë Rama është drejt fundit dhe janë ndezur motorët e fushatës për mandatin e katërt, duket se përmbushja e këtij premtimi mbetet larg./Citizens.al

Artikulli paraprakKur Kushtetuta shkelet!
Artikulli tjetërBasha: Arrestimi i Çyrbës rrëzon legjitimitetin e Ramës si kryeministër