Simeone, njeriu që rilindi Atleticon

5 vjet nën drejtimin e Diego Simeones. Atletico Madrid dhe trajneri argjentinas festojnë përvjetorin e pestë bashkë, një lidhje që transformoi jo vetëm skuadrën e dytë më të rëndësishme të Madridit, por edhe vetë teknikun që vite më parë bënte ligjin në fushë edhe si lojtar. Dy finale Champions-i dhe rilindja spektakolare e një skuadre që dukej e humbur dhe e tepër e vogël për t’u bërë ballë dy superfuqive, Barcelona dhe Real Madrid. “El Cholo” injektoi shumë besim në klubin bardhekuq duke e rikthyer në majat e futbollit kontinental, ndryshe nga shumë paraardhës të tij. Më 7 janar 2012 Simeone debutoi në pankinë me një barazim 0-0 ndaj Malagas në “Rosaleda”, ndërsa me kalimin e muajve ai ringriti moralin e një skuadre që luftonte për të mos rënë nga kategoria dhe plot 21 pikë më pak se Reali kryesues.
Nuk kërkoi përforcime në janar dhe u limitua duke punuar me organikën që kishte në dispozicion. Një shembull për të gjithë pasi Juanfran, Miranda, Godin e Filipe Luis ishin thjesht 4 mbrojtës anonimë që me kalimin e viteve u transformuan në emrat më të lakuar të merkatos, madje në vitin 2014 luajtën edhe të parën finale të Champions League në karrierën e tyre. Simeone e mbylli sezonin e parë me një finale të fituar në Europa League dhe më pas me suksesin në Superkupën e Europës ndaj Chelseat. Në fundin e 2013-ës theu një tjetër tabu duke mundur Realin në “Bernabeu” për Kupën e Mbretit duke i dhuruar Atleticos fitoren e parë në derbi pas 14 viteve dhe 25 sfidave rresht pa sukses. Më 2014-ën, një tjetër mrekulli, fitorja e Kampionatit spanjoll, suksesi i parë në La Liga pas 18 viteve pasi për herë të fundit Atletico kishte dominuar në Spanjë në vitin 1996.
Më pas, Superkupa e Spanjës që Simeone ia rrëmbeu Realit të Ancelottit dhe më 2016-ën disfata e dytë në finalen e Champions League. Dy finale në 3 vjet pasi më parë Atletico kishte luajtur vetëm një të tillë në vitin 1974. Dy goditje të rënda prej të cilave “El Cholo” e mori veten dalëngadalë, ndërsa këtë sezon skuadra e tij po bën një rrugëtim pozitiv në Kupë dhe Champions League. 181 fitore në 287 ndeshje dhe 153 ndeshje pa pësuar gol. Forca e vërtetë e skuadrës së Simeones është siguria në mbrojtje, madje në fjalor filozofia e tij përkthehet me fjalën “Cholismo”, një miks mes luftës sportive, ambicieve, përuljes, punës dhe besimit.

Artikulli paraprakQëndroj për Wenger
Artikulli tjetërJuventusi vendos tjetër rekord