PËRGJIMET/ I mori 1000 euro rryshfet 68-vjeçares për të pushuar çështjen ndaj djalit të saj, SPAK kalon për gjykim dosjen e oficeres së policisë gjyqësore, Anila Dushku

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen e Anila Dushkut, oficeres së Policisë Gjyqësore, e cila akuzohet për ryshfet.

Oficerja e policisë gjyqësore, e cila ndodhet në arrest shtëpie, i ka marrë shtetases Hava Lloga ryfshet 1000 euro për të pushuar çështjen penale në ngarkim të djalit të 68-vjeçares, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

 

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet paraprake të procedimit penal nr. 180 të vitit 2024 dhe paraqiti para Gjykatës kërkesën për dërgimin për gjykim në ngarkim të të pandehurës:

A.D. e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal.

Procedimi penal u nis nga Prokuroria e Posaçme, bazuar mbi pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, të cilat tregonin rastin korruptiv të oficeres së Policisë Gjyqësore, A.D., në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Në analizë të provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak rezultoi e provuar se e pandehura A.D. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme, të cilat konsistojnë në kërkimin dhe marrjen e përfitimit të paligjshëm (prej 1 000 eurosh) nga shtetasja H.Ll. kundrejt premtimit për të mbyllur çështjen në ngarkim të djalit të saj, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a të Kodit Penal. Pasi u njoh me kërkesën e të pandehurës, shtetësja H.Ll i është drejtuar emisionit “Fiks Fare” për ta bërë publik rastin.

Nga të dhënat konkrete të grumbulluara gjatë hetimit paraprak për këtë procedim penal, ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova, se ka qenë e pandehura A.D. me detyrë Oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka pasur një rol aktiv të kundërligjshëm në bisedat me shtetasen H.Ll, duke i udhëzuar vendin dhe datën e takimit si dhe dorëzimin e shumës së parave [mitës].

Përgjimet

Rasti u denoncua nga 68-vjeçarja në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku mësohet se ngjarja u zhvillua në zyrën e oficeres Anila Dushku, e cila pasi i merr ryshfetin i premton të moshuarës se do “të mbaronte punë”.

Por, disa ditë pas kryerjes së pagesës, në adresën e denoncueses shkon një zarf i prokurorisë ku e njofton se ky organ i ka kërkuar gjykatës të pushojë hetimet, për shkak se vepra penale ndërtim pa leje është amnistuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Erdhi policia dhe mbushi letrat. Më thirri një oficere që quhet Anila, është oficere në Prokurorinë e Elbasanit. Ajo e ndoqi të gjithë procedurën. Tani më thotë dua 1 milionë lekë që të mbyll çështjen e djalit. Më tha e do djalin, e dua i thashë. Po e deshe më tha, që ta mbyll çështjen, më jep 1 mijë euro. E kam takuar dje te zyra në Prokurorinë e Elbasanit. Tani unë nuk e di se për ça e mbyll, letrat e tokës i kam unë dhe çuni s’ka asnjë letër, s’ka asnjë pëllëmbë tokë”, u shpreh Hava Lloga.

Më pas shtoi “Më dha një afat. Deri në këtë datë pret. Unë ku t’i gjej, unë 200 mijë lekë marr. E sëmurë jam. S’më dalin të ha. Më tha m’i prure ta mbyllim çështjen, s’m’i prure … Nuk e di se çfarë i ndodh djalit, se ai ka ikur maleve me fëmijët për në Greqi. Jetoja në kasolle, me gjarpërinjtë. Këtë kasollen e kam ndërtuar në vitet 1997-1998 kur kemi ardhur te ky vend. Jetë e zezë. Këtu kam jetuar para se të bëja shtëpinë. Mirë që s’na ndihmojnë, por s’na lënë të qetë”, vijon ajo, ndërsa pohon se s’ka mundësi që të bëjë këtë pagesë. “Unë s’kam të ha bukë, 200 mijë lekë marr. Ça të bëj, të paguaj drita, të paguaj ujë, të marr ilaçe apo të ha! Llogarit muajin”.

E moshuara pasoi telefonoi oficeren Anila Dushku lanë një takim në afërsi të Prokurorisë së Elbasanit dhe pasi takon OPGj, shkojnë në një byrektore.

“Kur të vish e ti sjellësh, mbyll gojën”, i tha oficerja e policisë gjyqësore, duke iu drejtuar: “(1 mijë euro) dhe asnjë gjë tjetër. S’ke punë me asnjë. Dakord? Mos fol me njeri. Ti, ti kishe sjell sot dhe nuk kishe për të ardhur më. Mos u bëni pishman pra. Se unë i prish punë djalit. Është ndërtuar gjithë ajo shtëpi dhe me 1 milion lekë nuk është asnjë gjë. Kështu që sa të mbaroj ajo puna, ato do ti mbaj te xhepi im. Tani do vish dhe do më bësh telefon para se të vish”.

E moshuara shkoi në zyrën e saj në Prokurorinë e Elbasanit ditën që oficerja e prokurorisë i la takim dhe futi një qesë shumën prej 1 mijë eurosh dhe 10 mijë lekë të vjetra.

“I ke numëruar ti nëna”, i tha Anila Dushku, teksa e fut qesen në sirtarin e saj. E moshuara i thotë se ka edhe një 10 mijë lekësh për rrugë. Ajo nxjerr 10 mijë lekëshin dhe i thotë fute në xhep. Më pas i thotë se tani vendimi do të vijë me postë.

 

BISEDA:

 

Oficerja – Na mbyti vapa, hajde ulemi këtu poshtë. Hë fole me djalin?

Qytetarja – Kam folur me të, më tha merruni vesh.

Oficerja – Po pra.

Qytetarja – Dëgjo këtu, unë e di se do merremi vesh.

Oficerja – Unë shkova i thashë prokurorit për ty, se unë fola si për nënën time se po ashtu thosha shko bëj çfarë të duash dhe mirupafshim. Është kështu?

Qytetarja – Po, ëëë.

Oficerja – Se ai është larguar, ka shumë gjëra që ndikojnë, a e kupton? Është gjithë ai ndërtim.

Ulen në një byrektore!

Oficerja – Si qenka dhalli.

Qytetarja – Bjer çik ujë! Atë Etlevën ta takoj çik sot?

Oficerja – Çe do?

Qytetarja – Të takoj të flas me atë.

Oficerja – Për çfarë e do?

Qytetarja – Për punën e lekëve, ajo ekspertja.

Oficerja – Të ka mbaruar punë ajo.

Qytetarja – Ëëë?

Oficerja – Të ka mbaruar punë.

Qytetarja – Dua që emri i çunit të hiqet?! Se atë e kam unë, çuni ska asnjë gjë.

Oficerja – Tani puna është kështu, djali ka bërë ndërtim pa leje.

Qytetarja – S’e ka bërë djali, e kam bërë unë.

Oficerja – A do më dëgjosh mua.

Qytetarja – Hë?

Oficerja – Se do më lutesh pastaj ë.

Qytetarja – Jo po merremi vesh, thuaj ti të mbyllet.

Oficerja – Dëgjo, më dëgjo një sekondë. Tani unë do të bëj kërkesë për pushim se më lutet. Etleva (ekspertja) ta ka bërë aktin ashtu siç e donte djali jot, në rregull? Është shumë në rregull. Tani siç të thashë unë, në rregull?

Qytetarja – Po.

Oficerja – Kërkesë për pushim, dakord?!

Qytetarja – Po, unë e dua që kur të bëj ashtu letrën që është heq.

Oficerja – Po pra, kërkesë për pushim. Do e pushojë gjykata.

Qytetarja – Bravo.

Oficerja – Bëhet kërkesë nga prokurori dhe e pushon gjykata.

Qytetarja – Ti i di tani këto punë, unë nuk di gjë s’marr vesh. Kur të më thuash ti filan datë do vish, filan datë do të vij që të mbaroj punë me ty.

Oficerja – Po pra po, ti do të vish, do të vish ditën e enjte.

Qytetarja – Mirë ti e di.

Oficerja – Të enjten?

Qytetarja – Të enjten dhe s’vij më unë.

Oficerja – E nuk do vish më.

Qytetarja – Ëëë.

Oficerja – Ditën e enjte do të bëhet kërkesë për pushim dhe dot ë shkoj … Do të vij kërkesa për pushim, vjen në postë atje ku jeni juve. Dhe pastaj e pushon gjykata. Në rregull, që djali jot mos të ketë më probleme.

Qytetarja – Unë jam e pafuqishme, unë erdha sot dhe do vij njëherë të enjten dhe nuk vij më!

Oficerja – Po pra. Prandaj të thashë hajde sot dhe mos hajde më.

Qytetarja – E po nuk ishim marrë vesh tamam unë. Se qesh sëmurë, e di sa e sëmurë kam qenë atë ditë?!

Oficerja – O Hava, unë ti kam bërë veprimet tamam se po të ishte ashtu të thosha shko bëj çfarë të duash me ata avokatë rrenacak që rrinë natë e ditë, në rregull? Kuptove?

Qytetarja – Kuptova, kuptova, kuptova!

Oficerja – Dhe njëherë të enjten dhe mos hajde më. Po ti të kishe ardhur sot, po ti s’kishe e ke fajin vetë! Ëëë?

Qytetarja – Se s’më ka ashtu çuni i vogël, s’kam mbaruar punë.

Oficerja – S’ta kam fajin unë.

Qytetarja – Se duhen 1 milionë e 300 mijë lekë.

Oficerja – A më dëgjon mua?

Qytetarja – Do edhe 300 ajo (ekspertja).

Oficerja – Jo, jo! Kush?

Qytetarja – Ajo që ishte aty poshtë.

Oficerja – Kush?

Qytetarja – Ajo ekspertja.

Oficerja – Jo, jo s’ke për ti dhënë asnjë gjë.

Qytetarja – S’kam për ti dhënë gjë?

Oficerja – Jo absolutisht.

Qytetarja – Ëëë, mirë.

Oficerja – Atë që të thashë unë. E kam mbyllur, 1 mijë euro.

Qytetarja – Në rregull, në rregull.

Oficerja – Mos fol me njeri!

Qytetarja – Jo nuk flas unë.

Oficerja – E kupton, po ta bëj për ty. Dakord?

Qytetarja – 1 mijë euro?!

Oficerja – 1 mijë euro, asnjë gjë s’do të kesh. Në rregull. S’ke punë as me eksperte dhe as me njeri. Dakord?

Qytetarja – Dakord!

Oficerja – Më kuptove?

Qytetarja – Të kuptova! Vetëm 1 mijë euro të tuajat?

Oficerja – Asnjë gjë tjetër.

Qytetarja – Në rregull.

Oficerja – S’ke punë me asnjë njeri. Mos fol me njeri. Ti të kishe mbaruar punë sot dhe s’kishe për të ardhur. Pse s’më more dje në telefon?

Qytetarja – E po s’më kanë ardhur akoma!

Oficerja – Pse s’më more dje në telefon dhe të më thoje që Anila s’vij dot!

Qytetarja – Po thashë të vij të flas dhe njëherë me ty.

Oficerja – Po ç’do të flisje 1000 herë. Mos u bëj pishman prapë.

Qytetarja – Unë s’bëhem pishman, ditën e enjte. Siç më the, ditën e enjte të vij.

Oficerja – Zëre se je motra ime, se unë i prish punë dhe djalit më kupton?

Qytetarja – E di që i prish punë.

Oficerja – E pra, e pra kjo është dhe 1 milionë lekë nëna s’është asnjë gjë. Janë për 1 pije alkoolike. Kështu që ato deri sa të mbaroj unë punë, do ti mbaj unë në xhepin tim. Në rregull?

Qytetarja – Po do ti mbash te xhepi jot.

Oficerja – Te xhepi im, dakord? Pastaj për çdo gjë do të flasësh me mua.

Qytetarja – Po unë 200 mijë lekë marr vetë dhe s’kam mundësi.

Oficerja – E takon vetë djalin …

Qytetarja – Nuk kanë mundësi fëmijët me më ndihmu, se duan të më ndihmojnë të shkretët po nuk kanë.

Oficerja – O nëna nuk janë asnjë gjë, po ta them edhe njëherë. Dakord? Tani do të vish dhe do të më bësh telefon para se të futesh në prokurori.

Qytetarja – Ditën e enjte.

Oficerja – Po, ditën e enjte kur të arrish, mirë? S’ke punë me asnjë. Avash-avash, ki kujdes rrugën.

Qytetarja – Rrofsh, të fala.

Oficerja – Dhe mbyll gojën ëë. Hajt!

Qytetarja – Po ça flet moj.

TAKIMI I DYTË NË AMBIENTET E PROKURORISË SË ELBASANIT

Oficerja – Vapë e madhe, hajde futemi te zyra.

Qytetarja – Në zyrë!

Oficerja – U lodhe?

Qytetarja – Shumë.

Oficerja – Shumë vapë.

Qytetarja – Shumë.

Futen në Prokurorinë e Elbasanit!

Oficerja – Ulu merr frymë njëherë.

Qytetarja – Imën, e ke bërë atë letrën?

Oficerja – Do të mbyllësh gojën.

Qytetarja – Jo, jo.

Oficerja – Të kam mbajtur si nënën time, kaq!

Qytetarja – Unë e mbyll gojën.

Oficerja – Po pra. Ja një sekondë ta mbyll (derën). Prit.

E moshuara nxjerr paratë, oficerja kyç derën!

Qytetarja – (I jep qesen me 1 mijë euro e 1 mijë lekë të reja) Numëroji!

Oficerja – I ke numëruar ti nëna.

Qytetarja – Numëroji se kam futur një 10-çe aty për rrugë.

Oficerja – Ëëë?

Qytetarja – Kam futur një 10-çe aty për rrugë prandaj them numëroji.

Oficerja – (Hap qesen) Po lërë ça të numëroj unë tani.

Qytetarja – Po numëroji se e hutuar.

Oficerja – Po jo tani nëna.

Qytetarja – E dëgjon, s’dua nesër a pasnesër.

Oficerja – Të lutem, të lutem. Tani mbyll gojën, veçse fute në xhep atë (10-çen).

Qytetarja – Po.

Oficerja – Në rregull?

Qytetarja – Po.

Oficerja – Do të vijë me shkresë.

Qytetarja – Je e mirë.

Oficerja – Mbyll gojën. Dakord?

Qytetarja – Po.

Oficerja – Të kam mbajtur si nënën time.

Qytetarja – Po.

Oficerja – Në rregull?

Qytetarja – Në rregull!

Oficerja – Do të kishe ngrënë dynjanë. Do të bëhet kërkesë për pushim, do të vij me shkresë dhe e miraton gjykata. Në rregull?

Qytetarja – Në rregull!

Oficerja – Se do të kishe 100 siklete. Ok?

Qytetarja – Uffff.

Oficerja – Do më puthësh po do më puthësh këtu. Mbyll gojën dhe mos fol me asnji. Në rregull?

Qytetarja – Në rregull!

Oficerja – Dakord?

Qytetarja – Dakord!

Oficerja – Besoj je e qartë?!

Qytetarja – Çfarë të them unë, duhet të jem.

Oficerja – Ëë?

Qytetarja – Dua të jem.

Oficerja – Ë pra.

Qytetarja – Se kam 4-5 herë që vij këtu.

Oficerja – Jo 5 herë ke vetë ti, 2 herë ke ardhur te unë.

Qytetarja – Në rregull ça të them unë. Ma ashtu kot se çuni s’ka asnjë gjë prandaj. I kam unë me letra.

Oficerja – Tani nëna i mbyllëm?

Qytetarja – Po, po u mbyll tani puna.

Oficerja – Hajde, mbyll gojën! Mirë?

Qytetarja – Po, po, po.

Dalin nga Prokuroria e Elbasani!

Oficerja – Siç të thashë mos fol me njeri, të kam mbajtur si nënën time dhe do të marr për qejf ndonjë ditë kur të freskoj koha.

Qytetarja – Rrofsh, rrofsh. Unë prandaj të thashë numëroji se janë apo s’janë.

Oficerja – Shttt, hajt. Ik avash-avash mos të kapi vapa. Shëndet.

Qytetarja – Shëndet!

Artikulli paraprakAnaliza e VOA: Kush do të fitojë garën për kontrollin e Kongresit?
Artikulli tjetërMaqedonia e Veriut ul sërish çmimin e naftës, Shqipëria më e shtrenjta në rajon