Gjergji Nika, Kryetar i Këshilltarëve të Demokratëve Euroatlantikë në Bashkinë e Vlorës, ka reaguar ndaj vendimit të Prefektit të Vlorës, lidhur me mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 28 tetor 2024. Sipas Nika, mazhoranca socialiste ka vepruar në kundërshtim të hapur me ligjin, duke shtuar numrin e këshilltarëve të pranishëm në mbledhje, pas largimit të opozitës nga salla.
Nika theksoi se opozita kishte kërkuar anullimin e mbledhjes për shkak të shkeljeve të rregullave dhe mosrespektimit të kërkesave për raportime të shkrimta nga administrata dhe drejtorët e institucioneve në varësi të Bashkisë. Pavarësisht argumenteve të opozitës, vendimi i Prefektit në favor të mazhorancës, sipas tij është një mbështetje për qëndrimin arrogant dhe të paligjshëm të administratës dhe mazhorancës.
Në deklaratën e tij, Nika shprehu shqetësimin se me këtë vendim, Prefekti ka dështuar në rolin e tij për të mbrojtur dinjitetin e Këshillit Bashkiak dhe për të siguruar zbatimin e ligjit. Ai theksoi se kjo është një provë se pushteti vendor është në dorë të Partisë Socialiste, ndërsa ligji dhe rregullat e pushtetit vendor janë lënë në hije.
Në fund, Nika akuzoi Prefektin për vendosjen e “kartonëve të ushtarëve partiakë” mbi ligjshmërinë dhe argumentet e opozitës, duke i dhënë një mesazh të qartë mazhorancës se çdo vendim i padrejtë do të miratohet, ndërsa opozita duhet të mbyllë gojën.
Reagimi i plotë i Gjergji Nika:
Arroganca nuk tregon forcë, por frikë!
Prefekti i Vlorës përpara disa ditësh u takua me kryetarët e grupeve opozitare në Këshillin Bashkiak të Vlorës, të cilët i kërkuan të mos miratojë dhe të zhbëjë vendimet e mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak të datës 28.10.2024.
Pretendimi ynë ishte që mbledhja duhet të anullohej, pasi mazhoranca socialiste në këshill, në kundërshtim të hapur me ligjin, pas largimit nga salla të opozitës votoi për herë të dytë rendin e ditës , duke shtuar ne listën e pjesmarrjes ne mbledhje nga 32 ne 37 këshilltarë.
Gjithashtu për opozitën ishte i papranueshëm qëndrimi arrogant i administratës dhe drejtorëve të institucioneve në varësi të Bashkisë apo institucioneve te tjera qe raportojnë,të cilët nuk relatuan me shkrim punën e tyre, sipas kërkesave dhe detyrave që lë këshilli bashkiak.
Prefekti dëgjoi me qetësi e durim argumentet tona, por vendimi i tij në favor të mazhorancës në këshill dëshmon se edhe institucioni i prefektit ka vendosur të mos vërë në vend dinjitetin e Këshillit Bashkiak të Vlorës përpara qytetarëve vlonjatë, dhe ka treguar se mbrojtja e ligjit dhe e rregullave të pushtetit vendor, realisht është territor i PS, dhe jo detyrë e parë e të gjithë të mandatuarve nga populli.
Aq më tepër e prefektit.
Me vendimin e tij për të njohur vendimet skandaloze dhe qëndrimin arrogant të mazhorancës, prefekti tregoi se forca e kartonëve të ushtarëve partiakë fiton mbi forcën e argumenteve dhe ligjshmërisë.
Sot prefekti u ka dhënë një mesazh mazhorancës dhe drejtuesve të saj se çdo vendim i tyre i padrejtë do të miratohet në kundërshtim me ligjin dhe se opozita bën mirë “të mbyllë gojën”!
Sot prefekti u ka treguar mazhorancës dhe drejtuesve të saj se vendimet partiake “qëndrojnë mbi ligjin dhe rregulloren e miratuar”.
Sot prefekti me vendimin e tij për të MOS rrëzuar vendimet e mazhorancës socialiste u ka treguar qytetarëve vlonjatë se cilët janë ata këshilltarë që mbrojnë vërtet interesat e tyre. Dhe ata janë këshilltarët opozitës!
Me vendimin e tij sot, prefekti NUK ka dënuar arrogancën si karakteristikë kryesore, si mënyrë sjelljeje e drejtimi në administratën e sotme të bashkisë e institucionet në varësi të saj.
Me vendimin e tij të sotëm, prefekti i Vlorës ka vërtetuar atë që ne si opozitë kemi denoncuar gjithmonë: jo vetëm paaftësinë, arrogancën dhe paligjshmërinë e kësaj mazhorance në qytetin e Vlorës; por edhe talljen, fyerjen e nëpërkëmbjen ndaj qytetarëve vlonjatë, të cilët kanë mandatuar me votën e tyre opozitën që t’i mbrojë të drejtat e tyre!
Ne si opozitë nuk jemi dakord me këtë qëndrim, pasi nuk justifikohet as krijimi i një grupi të ri këshilltarësh në momentin e fundit që të behet barazpeshimi i votave në konferencën e kryetarëve.
Qëndrimi i sotëm i prefektit u përcjell mesazhin qytetarëve të Vlorës që të shohin mirë çdo vendim të Këshillit Bashkiak dhe të vendosin me votën e tyre nesër, nëse do të pranojnë më të tallen e nëpërkëmben nga kjo mazhorancë që shkel haptazi ligjet!
Normalisht qëndrimi ynë si opozitë do të jetë në favor të ligjit dhe çdo shkelje ne do ta denoncojmë!
Ne si opozitë do të vazhdojmë të punojmë në interes të qytetarëve të Vlorës dhe kundër keqmanaxhimit ,paaftësisë, arrogancës dhe shkeljes së ligjit!