Pesë arsye pse humbi Kamala Harris

Nga Corrado Maria Daclon

Gjërat shkuan siç e parashikova të hënën e kaluar. Por nëse Donald Trump fitoi, janë të paktën 5 arsyet pse humbi Kamala Harris. Arsyet që ishin që të gjitha të njohura, dhe shumë të qarta që në fillim të fushatës elektorale, dhe sigurisht që nuk janë të befasishme për ata që janë të mirë-informuar nga mediat ndërkombëtare.

Arsyeja e parë është vetë Kamala Harris. Ajo nuk ishte një kandidate mjaftueshëm e mirë. I mungonte besimi dhe përgatitja, dhe u pa qartë se nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej intervistave me pyetje të papërgatitura dhe të panjohura më parë.

Kjo dobësi nuk është ndonjë gjë e re për ata që ndjekin nga afër politikën amerikane. Pasiguria e saj ishte shfaqur në një mënyrë të turpshme, për të thënë më të paktën, gjatë zgjedhjeve paraprake brenda Partisë Demokratike për kandidatin zyrtar për zgjedhjet e vitit 2020, ku ajo u poshtërua nga votuesit që e eliminuan para se të fillonin mirë zgjedhjet.

E si mund të mendohej vallë se një kandidate, e cila në vitin 2020 doli nga zgjedhjet paraprake me vetëm 844 vota, krahasuar për shembull me 912.214 votat e Pete Buttigieg, 2.475.130 votat e Michael Bloomberg, 2.780.873 votat e Elizabeth Warren, do të fitonte tani garën për presidentin e ri të SHBA-së?

Arsyeja e dytë e humbjes, është rekordi negativ i administratës Biden-Harris. Një peshë negative, që rëndoi jo pak mbi fushatën e saj elektorale. Ç’është më e keqja, Harris e përkeqësoi shumë këtë problem gjatë një interviste për televizionin ABC.

Prezantuesja Sunny Hostin e pyeti: ”A do të kishe bërë diçka ndryshe nga presidenti Biden gjatë 4 viteve të fundit?”. Përgjigjja u duk shumë nervoze: ”Unë nuk mund të mendoj për asgjë tjetër!”. Nuk është e habitshme që shtabi i Trump e përdori këtë përgjigje në rrjetet sociale, duke akuzuar rivalen e Trump se e identifikoi veten me administratën aktuale.

Arsyeja e tretë, ka të bëjë me të njëjtin problem që i dha fund fushatës presidenciale të guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis: Është një betejë shumë vështirë kandidimi ndaj një “kulti të personalitetit”, që ka Donald Trump në avantazhin e tij. Ju pëlqen apo jo, e pranoni apo jo, Trump e ka me vete këtë faktor shtesë.

Dhe kjo do të thoshte se duhej të tërhiqeshin që në fillim nga gara personalitetet e forta dhe të kualifikuara, të cilat do të kishin një potencial të madh për fitore, por edhe do të bënin përgatitjet e duhura për të ushtruar një mandat të shkëlqyer si presidente, siç ishte rasti i Michelle Obama.

Ky avantazh i dha Trumpit fitoren në zgjedhjet e 2016-ës, dhe për pak sa nuk fitoi në 2020-ën, kur vendosi rekordin për numrin më të madh të votave popullore të marra ndonjëherë nga një president amerikan në detyrë, dhe i solli fitoren e thellë këtë vit.

Arsyeja e katërt. Pyetja e vjetër që ngriti dikur Ronald Regan: ”A je më mirë tani se sa ishe 4 vjet më parë?. Miliona votues demokratë, besojnë se jo vetëm që janë më keq se 4 vjet më parë, por ata mendojnë se ata dhe familjet e tyre janë të dëmtuar nga politikat e Shtëpisë së Bardhë.

Fushata e Kamala Harris, veçanërisht në fillimet e saj, nuk pati kurrë një diskutim thelbësor mbi 4 çështjet që amerikanët u thoshin vazhdimisht anketuesve se janë kryesore për ta: ekonomia, inflacioni, imigracioni dhe krimi.

Në vend të kësaj, ajo u përpoq vazhdimisht ta zhvendoste fushatën tek çështje që prekin një numër të vogël votuesish, siç ishte sulmi i 6 janarit 2021 në Capitol Hill, ndryshimet klimatike apo ideologjia e lëvizjes “Woke”.

Arsyeja e pestë. Kamala Harris dhe Partia Demokratike në përgjithësi, kanë devijuar shumë majtas për të kënaqur krahun më radikal, duke e bërë atë kandidaten presidenciale më të majtë në historinë moderne të SHBA-së.

Joe Biden i doli të gjente guximin dhe forcën për t’i bërë ballë krahut të së majtë ekstreme të partisë, që ishte i zëshëm dhe shumë aktiv, por gjendja e tij fizike dhe mendore çoi në tërheqjen e detyruar nga gara. Mbetet një enigmë arsyeja pse shumë media në disa vende (përfshi edhe Italinë), vendosën të deformojnë realitetin për të shpallur fituese një kandidate që ishte shumë larg saj.

Me pak përjashtime, prej muajsh kemi lexuar raporte mediatike të njëanshme në Itali, që ishin në garë se kush e paraqite Harrisin me një këmbë tashmë në Zyrën Ovale. Rileximi i shumë artikujve nga korrespondentet në SHBA të gazetave kryesore italiane apo rubrikat e disa “ekspertëve”, na bëjnë të buzëqeshim sot me mënyrën se si është përshkruar një Amerikë tjetër, e cila nuk ekziston.

Ne kemi parë ekzaltime prekëse të ndjeshmërisë së Kamalës. Por të qeshësh gjatë gjithë kohës, edhe përballë pyetjeve dhe çështjeve shumë serioze si krimet e emigracionit të paligjshëm, besoj se përfaqëson diçka tjetër përveç ndjeshmërisë.

“Kamala shikon nga e ardhmja, ndërsa Trump nga e kaluara”, ishte fjalia e korrespondentëve italianë në SHBA. Dhe pati shumë ngazëllim për “një grua afro-amerikane liberale, që po garonte kundër një miliarderi të dënuar për ngacmim seksual”.

Me pak fjalë, Nënë Tereza kundër Satanit. Dhe dy ditë para votimit, pas sondazhit të rremë në shtetin e vogël të Iowa, pati një rikthim të entuziazmit tek demokratët. Sipas amerikanëve tanë të vetëquajtur, Kamala “dilte fituese” në sondazhe, duke rritur gjasat e saj për triumf sipas të gjitha instituteve që i kryenin ato.

Prandaj na u tha se duhej të kishim kujdes, se sondazhet e tetorit duheshin “marrë me një farë rezerve”, dhe të mos citohen nëse e tregonin Trumpin në krye. Këta janë të njëjtët njerëz që u emocionuan pas tërheqjes nga gara të Joe Biden në korrik, pasi “rikthimi i valës do të fillonte me Kamalën”.

Dhe kjo pas zgjedhjeve të vitit 2016-ës, sepse “Trump do të humbë” pretenduan ata. Dhe në e pamë sesi “ndodhi” kjo. Presidenti legjendar i SHBA-së Abraham Lincoln, thoshte dikur se është “më mirë të heshtësh dhe të rrezikosh të etiketohesh si budalla, sesa të flasësh dhe të heqësh çdo dyshim se je i tillë”.

Është e qartë se disa analistë sallonesh mendojnë ndryshe nga Lincoln./Përshtatur nga “Huffington Post Italia”

Artikulli paraprakDonald Trump u zgjodh president, Zelensky: Patëm një bisedë telefonike produktive! Shpresojmë që Amerika do bëhet më e fortë
Artikulli tjetërArrestimi i Jurgis Çyrbjas/ Zbardhen mesazhet, Mond Çekiçi – deputetit: Ta mbarova punën, ti i 5-ti, Liri i 7-ti