Rilindasi Jurgis Çyrbja/ Si e bënë deputet vrasësit dhe trafikantët

Disa prej emrave më të njohur të krimit në Durrës, që SPAK i heton për vrasje rezultojnë të jenë njerëzit kyç në caktimin e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 2021. Zbulimi vjen disa biseda në SKY ECC të Jurgis Çyrbes, ish-deputet i Shijakut, i arrestuar nga SPAK disa javë më parë dhe që janë publikuar nga gazetarët Klodiana Lala dhe Elton Qyno.

Çyrbja ka qenë përdorues i aplikacionit SKY ECC me kodin “BFLSII” dhe thirrej shkurt si “J”, “Jur” dhe “Juri” në bisedat që ka administruar SPAK.

Periudha e bisedave përkon me fundin e vitit 2020 dhe muajt e parë të vitit 2021, kohë në të cilën Jurgis Çyrbja priste të mësonte, ashtu si shumë socialistë të tjerë nëse kryetari, Edi Rama do ta kandidonte në Durrës si deputet dhe në ç’vend do ta rendiste.

Moto e fushatës së PS para zgjedhjeve të 2021

Duke qenë se Rama e drejton Partinë Socialiste me autoritet të padiskutueshëm, hartimi i listave të kandidatëve për deputetë është një proces okult, për të cilin nuk ka informacion, por për të cilin dihet se i takon ekskluzivisht Edi Ramës.

Përzgjedhja dhe renditja e kandidatëve për deputetë në lista është një kompetencë që Edi Rama e ka marrë mbi supe, bashkë me përgjegjësinë e humbjes apo fitores së pushtetit.

Por ndryshe nga çfarë mendohej deri tani për ndonjë proces konsultimi me strukturat lokale të partise, mesazhet e zbardhura nga aplikacioni SKY ECC, tregojnë se për t’u bërë deputet, Çyrbja ndoqi një rrugë tjetër; që kalonte nëpërmjet konsultimit me bandat e rrezikshme të Durrësit.

Biseda me Altin Hajrin

Bisedat që SPAK ka në dosje janë të datave 17 dhjetor 2020 deri në 7 mars 2021, pra disa muaj para hartimit të listave për kandidatët për deputetë.

Në datën 22 shkurt 2021, Altin Hajri, person i shpallur në kërkim për vrasje, i bën Jurgis Çyrbjas llogaritë e votave në Shijak.

Foto e Altin Hajrit, pas shpalljes në kërkim nga policia në vitin 2021

“…3 mijë do ti jap unë, maje men. Thash Rromanat, Arapaj, Maskuri Zonat tona janë për “J” (Jurin) i thash. Po futem vet tha ma mirë hahaha Mond Ç (Mond Çekiçi). Gjithë grupet i thashë, po del mirë e burrë. Ne marim 4 mijë vota Bashkinë Shijak, gjithë bashkë. Po e burr Xhavzotën E kena blindu Gjepalen po Shijak…”.

Në bisedën e datës 1 Mars 2021, sërish Altin Hajri, i dërgon Jurgis Çyrbjes një numër telefoni, duke i përmendur ndihmën që do të kishin nga persona të tjerë.

…Po fola pak me Nikun dhe ai nm që të pruna jan këto dibronet…. Plus do fol dhe me Lentin. Çekiçi është ok…”-i shkruan Altin Hajri, zyrtarit të PS.

Në bisedën e datës 7 mars 2021 Altin Hajri njofton Jurgis Çyrbjen se kishte marrë garanci se ai dhe “liri” do jetë kandidati i vendosur në listën për deputet i katërti ose i pesti, duke nënkuptuar kandidatin tjetër të Qarkut të Durrësit, Ilir Ndraxhi.

Hajri kishte siguruar të gjithë listën e kandidatëve të Durrësit në telefonin e tij para deputetit. Madje kandidati e mëson kur Altin Hajri ia nis në SKY ECC.

Bisedat me Edmond Koçin dhe premtimi për ndihmë nga Plaurent Dervishaj

Përveç bisedave me Altin Hajrin, SPAK ka zbuluar edhe komunikimin direkt të Jurgis Çyrbjes me Edmond Çekiçin, i cili u vra disa muaj pas zgjedhjeve. Edhe ky del garant se Çyrbja do të ishte në listë në vendin e 5.

Mond "Çekiçi" i vrarë në Durrës, disa vite më parë

Edmond Çekiçi: “Tashi sa e mbylla muhabetin tënd. Kam 3 orë me atë. Ia kërkova personalisht. E du unë ketë gjë i thashë. Përveç se e duan të gjithë. Do ja çoj ashtu, tha, ti i pesti, Liri i 7”.

Jurgis Çyrbja i kthen përgjigje: “Ma ngrite moralin. Se na kishte ik mendja”.

Kush është Altin Hajri

Personi që i del garant Jurgis Çyrbes për listën e kandidatëve të PS në Durres, Altin Hajri ka një histori të gjatë kriminale në trafikun e drogës në Itali dhe për rastin e pengmarrjes dhe zhdukjes së Jan Prengës në janar të vitit 2020.

Babai i 5 fëmijëve, Jan Prenga u mor peng në Kamëz sepse vëllai i tij vodhi 260 kilogramë kokaine në Portsmuth, Angli. Rezultoi se kokaina ishte porosi e Gramoz Rexhepit, trafikantit të famshëm vlonjat që e kontrollonte trafikun nga burgjet e Ekuadorit.

Foto nga kamerat e sigurisë të kompleksit Golden në Shijak, ku u zhduk Jan Prenga

Për të qenë të sigurt se kokaina e vjedhur do të rikthehej sërish, u urdhërua pengmarrja e Jan Prengës në Kamëz.

Gjurmët e fundit të Jan Prengës janë zbuluar në kompleksin Golden në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit, i cili është në kërkim për organizimin e pengmarrjes.

Trupi i 49-vjeçarit Jan Prenga nuk është gjetur ende sot e kësaj dite, pasi ai ndërroi jetë nga rrahjet në momentin e pengmarrjes.

Thuajse 10 vjet më parë, Altin Hajri ka qenë akuzuar në Itali si drejtues i një grupi të trafikut të kokainës, që bëri bujë për mënyrën e sofistikuar të organizimit.

Në foto dy krerët e organizatës vëllezerit Atin dhe Emiljano Hajri të shpallur në kërkim

Ai ishte në krye të organizatës kriminale të 21 shqiptarëve të përfshirë në narkotrafik, me një pasuri që në atë kohë llogaritej mbi 10 milion euro.

Mënyra e organizimit të bandës mori vëmëndjen e mediave italiane për hir të komunikimit të sofistikuar.

Sipas Antimafias italiane mesazhet jepeshin të koduara në copa letre ose me fjalë dhe u përcilleshin anëtarëve. Struktura ishte e tillë, ku çdo celulë nuk e njihte celulën tjetër dhe kishin role të ndara, për arsye sigurie.

Kush janë Edmond Koçi dhe Plaurent Dervishi

Personi tjetër nga i cili, Jurgis Çyrbja priste lajmin e mirë të të zgjedhurit deputet të Partisë Socialiste është Edmond Koçi i njohur ndryshe si “Çekiçi”, një nga të fortët e Durrësit së bashku me Plaurent Dervishajn.

Mond Çekiçi u ekzekutuar mëngjesin 20 marsit 2020 në qytetin e Durrësit. Ai ishte arrestuar disa herë për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që në nja raport të SHISH të disa viteve më parë, njihej si pjesë e bandës së Lul Berishës.

plaurent dervishi dhe cekici

Në biseda “Çekiçi” jo rastësisht e siguron Çyrben se do të ketë edhe mbështetjen e “Lentit” duke iu referuar Plaurent Dervishit.

Ky u deportua pak kohë më parë nga Dubai. Ai rezulton të jetë organizator i atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji dhe mikut të tij Aleksandër Lalo (Rrumi i Shijakut), ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku në nëntor të vitit 2019.

Pjesmarrja e Plaurent Dervishajt në ngjarjet kriminale daton herët që nga përplasja mes bandave të Durrësit, në vrasjen e Klodian Saliut dhe më pas, emri i tij del edhe në akuzën që ngriti SPAK për atentatin ku mbeti i vrarë Vajdin Lamaj.

Rama paralajmëroi daljen e emrit të tij në SKY ECC

Disa ditë pas arrestimit të Jurgis Çyrbes, kryeministri Edi Rama e paralajmëroi se do të përmendej në përgjimet e marra nga EncroChat dhe Sky ECC. Ai tha se aty ka me qindra mijëra mesazhe të botës së errët, por i takon Prokurorisë së Posaçme që t’i provojë dhe më pas ndëshkojë personat përgjegjës.

Edi Rama

Sipas Ramës komunikimet e përgjuara, janë “muhabete kot”.

“Kjo historia e Encro Chat-eve dhe Sky ECC është një histori që i takon organeve ligjzbatuese ta hetojnë. Aty ka me qindra mijëra mesazhe ku çfarë nuk thonë e çfarë nuk tregojnë. Por ato s’duhet të thonë asgjë deri në momentin kur çfarë thotë njëri që “isha atje, takova atë të gjatin”, po marr rastin tim edhe pse s’ka dalë, por nuk çuditem edhe po të dalë. “Takova atë të gjatin”, “më tha ai i gjati shiko, se këtu…”. Këto janë muhabete kot”, – tha Rama.

Në listën që Partia Socialiste dërgoi në komisionin Qendror të Zgjedhjeve emri i Jurgis Çyrbjas nuk ishte renditur i pesti, siç premtuan bosët e krimit në Durrës, por ai u rendit i treti.

SPAK thotë se ka faktuar ndihmën që i dhanë ata duke u bërë presion banorëve të Shijakut që ishin angazhuar me opozitën, ndërsa për t’u kthyer borxhin, deputeti i Partisë Socialiste akuzohet se e fshehu Altin Hajrin në shtëpinë e tij, pasi policia e shpalli në kërkim për zhdukjen e Jan Prengës./Lapsi.al

Artikulli paraprakFitorja e Donald Trump, analiza e VOA-s: Pritshmëritë nga administrata e re amerikane në Kosovë
Artikulli tjetërMazniku takim në Elbasan, reagon Mirela Karabina: Ç’propagandë bajate dhe e turpshme! Elbasanit i doli flaka e korrupsionit në qiell