Armando Sadiku, sulmuesi i kombëtares shqiptare të futbollit, u transferua gjatë merkatos së janarit nga Zyrihu për tek Lugano në Superligën zvicerane, një skuadër që tashmë drejtohet nga ish-zëvendësi i De Biasi-t, Paolo Tramezzani. Në një lidhje telefonike për mediat, bomberi i kombëtares sonë shpjegoi zgjedhjen e tij për të kaluar te Lugano. Ai tregoi se për të pati edhe dy oferta të tjera gjatë kësaj periudhe, por te Lugano thotë se ndjehet si në shtëpi.
“Kisha dy oferta jashtë Zvicrës, por duke pasur parasysh edhe dëmtimin, nuk jam akoma në formë optimale. Më duhet akoma kohë për të qenë në formën time më të mirë. Te Lugano kam luajtur edhe më parë, njoh edhe Tramezzani-n dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur”, thotë Sadiku.
Armando tregon se këto 6 muaj me Luganon do të jenë vendimtare për të për të hedhur një hap të madh të një skuadër tjetër më pas jashtë Zvicrës në një kampionat më të fortë. “Këtu jam vetëm 6 muaj dhe nuk do të humb kohë për ambientim. Në fund të sezonit do të jem në formën më të mirë dhe do të më shërbejë për të kaluar në një tjetër skuadër”, tha Sadiku.
Ndërkohë, moti i keq që ka kapluar Europën nuk ka bërë përjashtim edhe për vendin që lidh Europën me Azinë. Stambolli është i mbuluar nga bora, ndërsa Antalia ku ndodhen skuadrat shqiptare këtë të hënë është gdhirë me furtunë, erë të fortë dhe shi, kushtet atmosferike kanë ndryshuar planet e skuadrave shqiptare që zhvillojnë fazën përgatitore në Turqi ku kishin parashikuar nga dy seanca stërvitore në ditë. Të gjithë dje paradite janë kushtëzuar për të vijuar përgatitjet vetëm me ushtrimet e forcës në palestër. Natyrisht një penalizim ky që ndikon më shumë për Partizanin që këtë të martë luajti miqësoren me Fenerbahçen dhe ku Starova mund të bënte provat e fundit para përballjes me gjigantin turk.