Ribashkimi i Qipros duket i mundshëm

Në Gjenevë ka nisur një përpjekje e re për çështjen e Qipros. Por çështja thelbësore, ribashkimi, është ende e hapur. Çështja thelbësore e ribashkimit është ende e pazgjidhur. Por jo vetëm kjo. Sipas planeve të deritanishme të enjten (12.01) kryetarët e grupeve popullore në Qipro, Nikos Anastasiadis dhe Mustafa Akinci bashkë me fuqitë garantuese Greqinë, Britaninë e Madhe dhe Turqinë do të negociojnë për një zgjidhje përmbyllëse. Ende nuk është e qartë, se kush do të shkojë në Gjenevë.
Kryeministrja britanike Theresa May hesht, presidenti turk Taip Erdogan do të përfaqësohet nga kryeministri Binali Yildirim dhe kryeministri grek Aleksis Cipras do të udhëtojë, vetëm nëse do të kenë sukses bisedimet mes Anastasidis dhe Akinci në ditët e ardhshme. Prej kësaj duket se do të varet edhe pjesëmarrja e sekretarit të ri të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Megjithatë bisedimet në Gjenevë nuk duhet të dështojnë.

Pengesa të pakapërcyeshme
Qëndrimi i drejtuesve të dy grupeve të popullsisë në ishullin e ndarë jep shkas për optimizëm. Prej dekadash Anastasiadis e Akinci angazhohen për unitetin e ishullit. Më 2004 ata mbështetën planin e ribashkimit të ish-sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, por ai dështoi për shkak të votës negative të greko-qipriotëve. Që nga maji 2015 ata kanë rivendosur linjën e bisedimeve për një zgjidhje. Megjithë përparimet në bisedime gjatë 18 muajve çështje të rëndësishme kanë mbetur të hapura. Ato pritet tani të zgjidhen në Gjenevë.
Pika kyç është një zgjidhje për palën greko-qipriote fundi i statusit të Greqisë, Britanisë së Madhe dhe Turqisë si fuqi garantuese dhe tërheqja e 35.000 ushtarëve turq nga Qiproja. Një kompromis mund të jetë, që kontigjenti i trupave turke të reduktohet për një periudhë kalimtare në disa mijëra. Për sigurinë e turqve në Qipro do të vazhdojë të luajë rol Ankaraja – por jo si fuqi garantuese për të gjithë Qipron. Nisur nga barazia politike pala greko-qipriote duket të jetë e gatshme të pranojë presidencën me rotacion midis dy grupeve të popullsisë. Në këmbim përfaqësuesit turko-qipriotë do të pranonin që pjesa e territorit të tyre nga aktualisht 37 për qind të reduktohet në 28,5 për qind. Ka unanimitete dhe lidhur me lëshime për një shtet eventual federal dhe dy pjesë të mëvetësishme juridikisht të vendit. Edhe lidhur me çështjet e pronësisë apo mundësisë së kthimit të refugjatëve në vendet përkatëse nuk ka mosmarrëveshje të pakapërcyeshme.

Qëndrimi i fuqive garantuese
Sidoqoftë një ribashkim mund të arrihet nëse fuqitë garantuese e miratojnë një zgjidhje. Por qëndrimet e tyre janë të ndryshme. Fuqia koloniale Britania e Madhe nuk ka më aspak interes të merret me çështjen e Qipros – për më tepër, që ajo mund t’i mbajë dy bazat ushtarake në ishull. Greqia, që për një kohë të gjatë ka vepruar nën moton “Qiproja vendos, Greqia i qëndron asaj përkrah”, befasoi me një kërkesë maksimale, që për Ankaranë dhe turqit e Qipros është e papranueshme. Nëse nuk është e qartë qysh në fillim, që fuqitë garantuese të heqin dorë prej statusit të tyre dhe Turqia të tërheqë trupat e saj, Athina nuk do të marrë pjesë në bisedimet për Qipron. Sipas njoftimeve, reagimi greko-qipriot ka qenë mjaft i ashpër, por megjithatë qeveria greke siguroi pjesëmarrjen në Gjenevë.
Shumë më e involvuar ndër dy fuqitë e tjera garantuese në çështjen e Qipros është Turqia. Kjo e fundit influencon politikisht ndaj zhvillimeve në veri të Qipros dhe mbështet çdo vit me qindra milionë euro e bëhet garanci për ekzistencën e saj.  Pavarësisht kushteve të forta, duket se Ankaraja edhe kësaj here ngjashëm si me planin e Annanit më 2004 do ta miratojë planin e ribashkimit. Miratimi do t’i vlente mjaft Turqisë për të fituar pikë në arenën e politikës ndërkombëtare. Ndaj duket se Turqia është e interesuar për këtë.

Bisedimet vazhdojnë
Nëse merret parasysh konstelacioni i interesave nuk mund të përjashtohet, që Erdogani të udhëtojë vetë për në Gjenevë. Por në një rast të tillë nuk mund të pritet, që marrëveshja e ribashkimit të nënshkruhet menjëherë. Ka shumë më tepër gjasa, që në fund të bihet dakord dhe për çështjet ende të hapura të vazhdojnë bisedimet përmbyllëse. E kësisoj në këtë proces do të merrnin pjesë si dy grupet e popullsisë, ashtu edhe fuqitë garantuese.

Artikulli paraprakMcCain, pro sanksioneve kundër Rusisë
Artikulli tjetërGjermani, fushata nis me debatin e sigurisë