******
Shemsedin Samiu apo Sami Frasheri, siç rendomë, njihet ndër shqiptarë, ishte figura qendrore e Rilindjes Kombëtare, dhe nga shumëkush merret edhe si babai dhe ideologu i nacionalizmit shqiptar! Duke jetuar dhe vepruar në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, me veprën dhe te bëmat e tij, dimensioni i Samiut tejkalon atë shqiptar, duke marrë kështu përmasa perandorake. Si një poliglot i vërtet që ishte, botoi e përktheu shume vepra në gjuhë të ndryshme, duke lënë kështu gjurmë të pashlyera në historinë e dy popujve, shqiptar dhe atij turk. Me përmasat e një alimi, Samiu do të zinte një vend qendror në mesin e modernistëve myslimanë të shekullit XIX-të.
Edhe pse një figure shumëdimensionale, për lexuesin shqiptar Shemsedin Samiu, ende mbetet i pa eksploruar ne tërësinë e tij, duke u njohur vetëm në konturat e ideologjisë së nacionalizmit. Përmes arkivave dhe bibliotekave të Stambollit, bëhet i mundur një udhëtim në kohë, në Stambollin e asaj kohe, në gjurmët e Samiut, në përditshmërinë dhe botën e tij të brendshme…!
Vila në Erenkoj
Para më se 130 viteve, një mëngjes ne Erenkoj… ende pa lindur dielli. I gjithë xhadebostani në një qetësi te mbuluar ende me errësirën e natës. Mu përballë Xhamisë së Xhadebostanit, një dritare e katit të dytë të një vile te bukur, bën dritë. Është vila e Shemsedin Samiut… është dhoma e Samiut…! Samiu po shkruan nën dritën e qiriut! Ky ishte adeti i tij. Zgjohej shumë herët përpara lindjes së diellit dhe shkruante deri sa mbaronte, e tek pastaj flinte. Edhe pse në atë kohë përdorej gjithandej llamba me gaz, ai shkruante nën dritën e qiriut, sepse nuk e duronte dot llambën, e kishte neveri, as erën e saj nuk e duronte.
Nuk është parë të ketë hyrë llambë në shtëpinë e tij, por vetëm qirinj, dhe atë me sëndukë siç thuhej atëherë. Askush nuk e pengonte në dhomën e tij, madje edhe kur e zinte gjumi, askush nuk e zgjonte! Kur mbaronte me shkrimin, e kishte zakon të duartrokiste tre herë, dhe kjo ishte isharet për vajzën e tij të madhe, Samijën (Erer), që babi i saj tashmë ka mbaruar me shkrimet dhe mund të vinte me vrap e ta përqafonte. Ajo përgatiste një lloj çaji me konjak dhe limon, e uleshin së bashku duke biseduar. Ata bisedonin më shumë për letërsinë, madje në disa gjuhë, por më të zakonshme ishin muhabetet për letërsinë franceze duke biseduar kështu në frëngjisht.
Samija kishte mësuar që e vogël frëngjishten nga babai i saj dhe ishte njohur që e vogël me autorët francezë. Pasi bënin kështu muhabet letërsie, Samija, duke e përshëndetur me “Allah rahatllëk versën”, dilte nga dhoma, sepse alimi i madh tashmë duhet të flinte një sy gjumë. Gota me konjak e shoqëronte edhe në pauzën nga dreka në darkë, dhe në ditët e ftohta të dimrit, ai përdorte vetëm çajin. Por darka ishte shumë e rëndësishme për Samiun. Nga ata që e rrethonin atë, kujtohej se ajo ishte pika përbashkusese e të gjithë familjes dhe koha më e gjatë e qëndrimit të tij me ta. Darka zgjaste diku më shumë se dy orë, dhe aty ai përgatiste tregime më interesante. Shpesh ai rrëfente kujtime nga Trablusgarbi, koha sa ishte i internuar nga Sulltan Abdulhamiti II-të.
Shpesh rastiste që në orët e vona tek vila e Samiut të trokisnin mysafirët e largët. Ai ishte i famshëm në Lindje, tek myslimanët indianë e kinezë. Për shkak se shkëmbehej me letra me intelektualët e këtyre zonave, ata me të ardhur në Stamboll, as që çanin kokën për hotelet e qytetit. Menjëherë drejtoheshin për tek shtëpia e dijetarit të famshëm, ku padyshim priteshin nga buzëqeshja e tij. Sipas gazetarit dhe shkrimtarit Hikmet Feridun Es, ai kishte mysafirë të ndryshëm nga Lindja e Perëndimi, priftërinj, hoxhallarë, rabinë, shkrimtarë e piktorë, e ku muhabetet zgjasnin deri në orët e vona, madje duke i bërë edhe konakë shpesh herë mysafirëve.
Shtëpia ishte aq e madhe, saqë të gjithë ndiheshin rehat. Ishte projektuar nga vetë Samiu. Vetëm dhoma e tij e studimit, mbetej disi e paprekshme në atë shtëpi. Po të hyje në atë dhomën që ndodhej në katin e dytë të vilës, nuk do gjeje asgjë tjetër, pos librave gjithandej, të cilat identifikoheshin menjëherë nga Samiu, nëse dikush i ka lëvizur nga vendi. Gjatë ditës, tavolina ishte e mbuluar me libra e, vështirë të gjeje aty diku në mes të tyre, atë kokën që shkëlqente e me mjekrën e gjatë e komplet të thinjur.
Një dashuri tragjike
6 Mars 1874. Rruga “Divan jollu” që përshkruan komplet vijën nga forumi i dikurshëm i Konstandinit për në Sarajet e “Topkapës”, i mbushur me afishe që paralajmërojnë shfaqjen teatrale që do të luhet fare aty afër, në teatrin osman tek rruga “Gedik Ahmet Pasha”, vlonjati i njohur i kohës së sulltan Fatihut. Një kaligrafi e bukur rreshtuar e shkronjave osmane në ballë të afishes: “Besa yahud Ahde Vefa” (Besa apo Fjala e Dhene) dhe një portret në mes i autorit të dramës, Shemsedin Sami Beut, njoftojnë për premierën e shfaqjes, që si libër do botohej vitin tjetër.
Kisha greke dhe ajo armene, pasi kishin përfunduar me kambanat e tyre dhe pas ezanëve të bollshëm të xhamive atypari, dhe pasi mëhallën e kishte kapluar qetësia, të gjithë ashtu, armenë, grekë, shqiptarë, turq e të tjerë, kishin marrë rrugën për në teatrin që ndodhej fare afër hamamit me të njëjtin emër, të pashait nga Vlora. Pasi hapen perdet e teatrit, shfaqet një ambient me natyrë të bukur malore. Të gjithë aktorët në veshje shqiptare, e fustanellat e meshkujve, gati sa nuk mbulonin të gjithë skenën. Në rolin kryesor të Mirushës, e veshur me kostume tradicionale të grave shqiptare, aktorja e bukur dhe e re armene, Mari Karayan ose Mari Nëvart, siç njihet ndryshe.
Aktorja e talentuar kishte lindur tek lagja e famshme “Bejollu” në një familje armene dhe në vitet ’70-të të shekullit XIX-të, ishte aktorja më në zë e Stambollit, e kështu duke luajtur edhe rolet kryesore në të gjitha shfaqjet e Samiut tonë, siç ishin “Sejdi Jahja” dhe “Gave”. E sipas profesorit Metin And, jo më kot ajo kishte luajtur tek të gjithë shfaqjet e Samiut, pasi në mes tyre kishe një histori dashurie! Enciklopedisti i njohur pëlqente aktoren e talentuar armene, por armenia e bukur, edhe pse ndjente dashuri për dramaturgun, në fillim hezitoi të shfaqte dashurinë e saj, duke u larguar kështu për një periudhe nga Stambolli, për në Tiflis, e duke luajtur atje veprat e klasikëve rus, Gogol dhe Gribojedov.
Por edhe pse larg, ajo nuk mundi ta harronte Shemsedin Samiun, duke u kthyer kështu në Stamboll, më 1882 dhe duke iu dorëzuar në duart e tij. Si rrjedhojë ajo do të priste një fëmijë nga kjo lidhje. Por edhe pse të dashuruar, dallimet fetare në radhë të parë nga familja armenase, do ta parandalonin çdo hap të vajzës, duke e ndarë atë nga shqiptari. Ajo u zvetënua duke e luajtur për herë të fundit në skenën e teatrit “Zonja me Kamelie”, të Aleksadër Dymas. Pas kësaj shfaqje, ku të gjithë i bëri të qajnë, ajo do të vdiste më 8 korrik 1884. Sipas disa dëshmive, thuhej se vdiq nga ilaçet që mori për të abortuar fëmijën, e disa thonë se ajo vdiq nga mërzia dhe sëmundja e veremit.
Emineja
4 Maj 1884. Në dy shtëpi të mëdha shqiptarësh në Stamboll, kishte filluar dasma. Njëra po bëhej me nuse, e tjetra po përcillte vajzën për në shtëpinë e burrit. Frashërlinjët po lidhnin krushqi, me familjen me nam të Mirahorëve korçarë. Këta të fundit kishin emër në Stamboll, madje tashmë disa toponime të qytetit me nam mbajnë emrin Mirahor (Imrahor- Kujdestari i kalorësisë në Pallatin Mbretëror). I pari i tyre, Iljaz bej Mirahori, i cili ishte edhe dhëndër i Sulltan Mehmetit të II-të dhe gjithashtu besnikë i djalit të tij, Sulltan Bajazitit të II-të, kishte krijuar një karrierë dhe një familje me rrënjë dinastie. Ai madje, një pjesë të Manastirit ortodoks të Studios ose, të Shën Johanit në Konstandinopol, e kishte kthyer në xhami, duke i vënë mbiemrin e tij-Xhamia Mirahor.
Emineja ishte nga kjo farë. Nga një familje me nam ushtarakësh, tani ajo po krijonte familjen e saj, me më të zotin e penës ndër shqiptarë. Çifti do të jetonte në vilën e madhe në Erenkoj. Aty do t’i jetonin ditët më të lumtura të tyre, e aty do të lindnin edhe të katërt fëmijët e tyre, Samija, Sadija, Sadiu dhe Ali Samiu. Që nga ditët e para të martesës, Shemsedin Samiu deshi që gruaja e tij, të jetë model për kohën, duke u kujdesur për imazhin dhe dukjen e saj. Që të dy kishin një dashuri të madhe mes vete dhe madje kishin edhe një karakter dhe natyrë të ngjashme me njëri-tjetrin. Edhe pse vinin nga familjet me nam dhe të pasura, ata ishin shumë modest, shumë paqësor, edukatë të lartë dhe që të dy i karakterizonte butësia.
Emineja, edhe pse kishte rroba të shtrenjta, ajo ishte në gjendje, që t’ia jepte aty për aty dikujt, që i mbetnin sytë tek rroba e saj. Luksi për rrobat, nuk çonte peshë në jetën e saj, ajo ishte sportiste, nga të rrallat për kohën, siç tregon edhe studiuesi Turgut Etingu. Shëtiste e lirë dhe bënte edhe punët që për kohën, quheshin të burrave. Ngiste vetë karrocën dhe shpesh shkonte edhe në malin e njohur të Kajëshdakut, për të marrë ujin më të pastër. E si djalë i një sportisteje, Ali Samiu, do të shkruante emrin e tij në historinë e sportit në Turqinë moderne, duke themeluar klubin e famshëm të ‘Galatasarajit’.
Kurse Samiu disa vite më herët, teksa po shkruante librin ekskluzivë për femrën të titulluar; “Gratë”, dhe po përshkruante se si duhej të ishin femrat myslimane në periudhën moderne, të krijon përshtypjen se po flet për gruan e tij të ardhshme- Eminenë. Ajo do të linte gjurmë dhe një kujtim shumë të mirë historisë, një foto të përbashkët me Samiun. Për kohën për të cilën po flasim, të dalë një grua në foto ishte gjë e rrallë, për shkak se ishte një çështje e diskutuar, e që kishte sjellë përplasje mes modernistëve dhe konservatorëve, të cilët e shihnin të papranuar vetë fotografimin, e lëre më të fotografohej një grua.
Atë ditë Samiu dhe Emineja kishin marrë vaporin nga Kadëkoj, për në Karakoj, ekskluzivisht vetëm për një foto të përbashkët. Por Emineja nuk kishte jetë shumë dhe me Samiun do të jetonte vetëm 9 vite së bashku. Edhe pse shumë shkurtë, ajo do të linte kujtime dhe gjurmë të paharruara në jetën e Samiut, i cili do ta kujtonte gjithmonë, deri sa të vdiste. Pas vdekjes së Eminesë, Samiu do të martohej me njërën nga kushërirat e tij, por asnjëherë nuk do ta dashuronte sa Eminenë.
Ai madje, deri sa kishte vdekur, e kishte mbajtur një sekret: në dhomën e tij të studimit, që rrallëherë hynte kush – e mbante të fshehur në një qoshe një kuti, në të cilën gjendeshin një grusht flokësh të Eminesë, me një portret të sajën në mes dhe anash me poezi persiane, të cilat ishin shkruar nga vetë dora e Samiut. Ketë kuti, askush nuk e kishte vërejtur, për sa kohë që ai ishte gjallë dhe tek pas vdekjes, ishte zbuluar nga vajza e tij e madhe, Samije Erer, e cila kishte vazhduar ta mbajë si një kujtim të bukur, nga prindërit e saj.
Në Urën e Gallatës
Ai nuk e kishte zakon të dilte shpesh nga shtëpia. Ata të cilët jetuan me të, përmendin që ai nuk preferonte të shëtiste shumë, dhe brenda një muaji, ka rastisur që të dali jashtë në qytet, vetëm dy-tre herë. Ndoshta edhe për shkak se për të zbritur në pjesën qendrore të qytetit, atij i duhej të merrte vaporin dhe ishte lëvizje që të merrte kohën. Madje në vaporë, ai takonte edhe miqtë e shumtë që kishte. Ishte lehtë i dalluar: 1.84 m., ishte gjatësia e tij dhe mbante mjekër, që nga mosha 20 vjeç. Me të hipur në vapor, të gjithë ngarendnin ta përshëndesin një e nga një.
Prandaj ai kur dilte për një punë, donte ta përfundonte shpejt dhe të kthehej në shtëpi. Por disa net rastiste të ishte më ndryshe. Siç kujton edhe vajza e tij e madhe, Samija, një natë me shi, teksa po kalonin nëpër urën e famshme të Gallatës, për të marrë vaporin në Karakoj, Samiu do të ndalonte me vajzën e tij, për të dëgjuar një e nga një të gjithë dilenxhitë, siç quheshin lypsarët, të cilët këndonin në gjuhë të ndryshme mbi urë, të ardhur nga krahinat e e ndryshme të Perandorisë. Pasi zotëronte disa gjuhë, për të ishte e lehtë t’i kuptonte pothuajse secilin në gjuhën e tij, teksa këndonin.
Atë natë e kishte magjepsur njëri i cili, këndonte dhe recitonte poezi në gjuhën arabe. Edhe pse natë me shi, ai ishte ulur pranë tij, duke qëndruar kështu një orë në mes të urës. Kjo ishte natyra e tij, i thjeshtë e shumë modest! Me njerëz të tillë, ai ulej e bisedonte shpesh për poezitë, këngët popullore e hallet e tyre, madje kishte ndodhur që pas muhabeteve të gjata, i kishte ftuar edhe në vilën e tij, duke biseduar tëre natën, siç kishte ndodhur njëherë me një tunizian.
Lamartini dhe fjalët e fundit
Muaji qershor i vitit 1904, do ta gjente Samiun në një gjendje jo të mirë shëndetësore! Ai sikur e ndjente veten se po largohej nga kjo botë dhe kishte filluar të fliste më shpesh rreth vëllezërve të tij të ndjerë. I kujtonte më shpesh ata dhe thoshte: “Të gjithë vëllezërit e mi, kanë vdekur të shtunave, edhe unë do të vdes të shtunën”. Edhe pse gjendja fizike jo e mirë, ai vazhdonte me orarin e përditshëm, duke tentuar të punonte ende në dhomën e tij të dashur, por nga mesi i qershorit, ai më në fund iu dorëzua shtratit. Edhe pse në shtrat, ai nuk harronte zakonin e vjetër me Samijën e tij të dashur- muhabetet për letërsinë.
Një ditë para se të vdiste, ai e kishte thirrur Samijën, që t’i lexonte diçka nga shkrimtarët francez: “Më lexo nga Lamartini, më lexo Graziellën”. Zakonisht Viktor Hygoja e Lamartini, ishin nga të preferuarit e tyre. Pasi Samija përfundonte me leximin e një pjese, të dy pastaj diskutonin gjatë në lidhje me të. Kështu ishte një ditë para 18 qershorit 1904, kurse të nesërmen, ditë e shtunë- ashtu siç e kishte ndjerë vetë ai, rreth orës 9 të mbrëmjes, duke pëshpëritur fjalën e fundit “Allah”, kishte mbyllur sytë. Kështu ai do të largohej fizikisht nga kjo botë, duke mbetur gjallë përgjithmonë, në memorien e dy popujve të mëdhenj. Memorie.al