“Qytetarët janë rehatuar shumë”- Prishja e koalicionit qeverisës, DW: A e mpiu Gjermaninë suksesi?

Koalicioni qeverisës u prish, disponimi në Gjermani nuk është i mirë. Shumë njerëz janë të shqetësuar nga luftërat dhe krizat aktuale. A u rehatua shumë Gjermania këto vite?

Pas dështimit të koalicionit qeveritar, të përbërë nga SPD,  Të Gjelbërit dhe liberalët e FDP tani Gjermanisë i duhet inkurajim. Nuk duhet harruar, se kritikat që qeveria e koaliconit ishte fajtore për shumë gjëra që nuk shkonin mirë, ishin të përhapura edhe më parë. Sipas një sondazhi të Institutit Allensbach nga shtatori, vetëm tre përqind e të anketuarve ishin të bindur se kjo qeveri ishte e mirë për vendin.

Katër vite më parë, John Kampfner, ish-korrespondent i jashtëmpër agjencinë e lajmeve Reuters në Gjermani, botoi një bestseller të titulluar: “Pse gjermanët i bëjnë gjërat më mirë”, plot lëvdata për politikën gjermane në kohë të vështira. E gjitha kjo nga një britanik.

Mesazhi i tij: Gjermania po kalon me sukses në kohë të vështira dhe po ia del shumë më mirë sesa mendon. Për DW Kampfner tha: “Unë e njoh Gjermaninë për më shumë se 40 vjet dhe nuk mbaj mend ndonjë bisedë me mik apo të njohur gjerman, i cili, kur pyetet se si po kalon Gjermania, thotë: “kalojmë mirë, faleminderit”. Gjermanët nuk e thonë këtë, mendoj se kjo është autokritika gjermane, e cila ka të bëjë shumë me luftën dhe historinë, është shumë pozitive.

Me prishjen e koalicionit,  ajo që e nervozonte nganjëherë Kampfner, i cili jeton në Berlin dhe në Londër, ka të ngjarë të rritet: pra tendenca në Gjermani për t’u ankuar.

“Gjermanët janë rehatuar shumë”

Por sipas studimeve, si Atlasi i Lumturisë 2024, raporti i ekuivalencës së jetesës lindje-perëndim i qeverisë federale dhe një sondazh i ri nga Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike, gjermanët janë të kënaqur me jetën, e kjo ka trend rritjeje, jo vetëm për shkak se pandemia e koronës është kapërcyer në masë të madhe dhe inflacioni po bie.

Kampfner ka një shpjegim, pse gjendja shpirtërore në këtë vend është shumë më e keqe se situata: “Kjo tendencë për t’u ankuar është gjithmonë si justifikim për të hequr përgjegjësinë, një lloj paralize.” Diagnoza e tij është se: “Gjermanët janë rehatuar shumë. Ata e kanë pasur gjithmonë shumë mirë, ka pasur stabilitet, gjithçka ka qenë solide. Por nuk ka kulturë inovacioni, që duhet të rrezikosh ndonjëherë, duhet të fillosh diçka të re. Me dixhitalizimin, për shembull, ka ngecur në Mesjetë.”

“Gjermanët e përkëdhelur me suksesin”

Politologu i njohur bullgar, Ivan Krastev e ka formuluar së fundmi kështu: 30 vitet e fundit kanë qenë aq të mira për Gjermaninë saqë të gjithë do të dëshironin të vazhdonin të jetonin kështu përgjithmonë. Por bota ka ndryshuar rrënjësisht – kujtojmë luftën në Ukrainë-. Tani, pikërisht gjermanët, të cilët janë përkëdhelur me sukesin, detyrohen të ndryshojnë stilin e jetës së tyre – megjithëse mentaliteti i tyre është se gjithçka duhet të qëndrojë gjithmonë ashtu siç është.

Por çfarë duhet bërë nëse duhet të reformohet një vend që nuk është i gatshëm të ndryshojë? John Kampfnerit nuk i duhet të mendojë dy herë para së të përgjigjet: kancelari, shprehet, ai, nuk duhet të jetë arbitër, por kapiten, pra numër njësh i qartë. Ndoshta si mbrëmjen e së mërkurës, kur ai shpjegoi qartë vendimin e tij për shkarkimin e ministrit të Financave, Christian Lindner.  Në të kaluarën, sipas autorit britanik, kjo ndodhte shumë rrallë: problemi i qeverisë ishte 80 deri në 90 për qind një problem Scholz. “Olaf Scholz ishte shumë i guximshëm me fjalimin e tij për kthesën e epokave, aty ai i hyri një rreziku. Kancelai vendosi që Gjermania duhej të ndryshonte shumë rrënjësisht. Pas kësaj, popullariteti i tij u rrit. Por më pas ndodhi shumë pak, dy hapa përpara e dy hapa prapa, kësaj qeverie i mungon lidershipi”.

Dobësimi komunikimi të qeverisë

Po si arritën pikërisht gjermanët të ishin kaq të pakënaqur me qeverinë e koalicionit? Në një intervistë për DW, Hedwig Richter, profesore e historisë moderne dhe bashkëkohore në Universitetin e Bundeswehr-it në Mynih, e sheh këtë edhe si pasojë e komunikimit të dobët të qeverisë. Ata e trajtonin popullsinë si fëmijë të vegjël që duhej t’i mbanin larg nga çdo gjë e rëndë dhe gjithmonë shikonin me frikë nga votat.

“Do të kishte qenë e rëndësishme të thoshim, në rregull, ne jetojmë në një demokraci, duhet të flasim me njerëzit si të rritur. Duhet të themi se çfarë po ndodh, gjë që u përpoqën të Gjelbrit për një kohë, kur thanë, se transformimi mund të jetë gjithashtu i dhimbshëm. Por ai ndryshim ia vlen absolutisht dhe se çdo refuzim i këtij transformimi ekologjik dhe një politikë e re sigurie do të bëhen edhe më të shtrenjta dhe do të gllabërojnë sigurinë tonë.”

Richter sheh po ashtu përgjegjësi të madhe për humbjen e besimit të qeverisë te kancelari Scholz, i cili, për shembull, i la jashtë të Gjelbrit në përpjekjen e tyre për të zhvilluar një politikë realiste klimatike. Por dështimet, sipas politologes e kanë origjinën shumë më herët, nën kancelaren Merkel, e cila qeverisi Gjermaninë nga viti 2005. Në atë kohë, vendi mbështetej në jastëkun e butë të prosperitetit që kishte. Tani Gjermania është në një polikrizë dhe po mbart pasojat e rënda.

“Kur bëhet fjalë për sigurinë, ne  gjermanët kemi menduar për një kohë të gjatë se mund ta zhvendosim atë. Gjithashtu menduam se thjesht mund ta injoronim migrimin pa pasur nevojë të gjejmë zgjidhje reale, se thjesht mund të shtynim të gjitha katastrofat ekologjike. Tani, megjithatë, ne jetojmë në një kohë në të cilën të gjitha efektet anësore të veprimeve tona rikthehen fort tek ne.”

Narrativa e suksesit

Sociologu Harald Welzer mbështet idenë e rrëfimit të “historive të suksesit”. Kjo është ideja e Fondacionit FuturZwei, bashkëthemelues dhe drejtor i të cilit është Walzer. Ai dhe kolegët e tij duan të shikojnë përpara, të motivojnë dhe të tregojnë se shumë ndryshime janë të mundshme edhe në një masë të vogël me ide konstruktive. Edhe ai ka një shpjegim për kapjen e Gjermanisë pas së kaluarës.

“Ne ishim sigurisht fituesit e periudhës së pasluftës, veçanërisht Gjermania Perëndimore. Kjo është një histori e avancimit dhe prosperitetit ekonomik që ka zgjatur mbi dy breza, e nxitur nga globalizimi. Dhe të gjithë mendonin se ajo do të vazhdonte përgjithmonë. Nëse ti ngec në një model prosperiteti, padyshim që nuk ke dëshirë të japësh asgjë prej saj”.

Welzer gjithashtu fajëson mediat për atmosferën jo optimiste në Gjermani: veçanërisht mediat konservatore si Bild, Welt dhe FAZ kanë goditur të Gjelbërit si me fushatë kundër tyre. Kjo është pikërisht partia, pak a shumë e vetmja që vë në dukje se Gjermania duhet të ndryshojë në shekullin e 21-të. “Dhe në momentin që ata e konkretizojnë këtë, të gjithë bërtasin se kjo është ashpërsi dhe rregullim. Dhe sigurisht personi që jep mesazhin përfundon duke marrë goditje.”

Welzer thotë për DW se tashmë diçka ka ndryshuar në Gjermani. Në dy vitet e fundit, shumë të moshuar i kanë thënë: “Për herë të parë në jetën time, jam i lumtur që jam kaq i moshuar”. Sociologu e përkthen këtë si “humbje të asaj që shihej si e vetëkuptueshmer” dhe premtimi themelor i një shoqërie si ajo e Gjermanisë nuk mund të mbahet më: “Juve nuk do t’iu ndodhë asgjë, do të ketë gjithmonë paqe, do të ketë vetëm përparim dhe rritje të prosperitetit. Për jetën e njerëzve kjo do të thotë: mund të kem kancer, mund të bëj një aksident, mund të divorcohem, por bota do të mbetet gjithmonë ashtu siç është tani në dispozicion për mua, natyrisht, ky premtim është thyer.

Një moment Kennedy për Gjermaninë?

Për ta kundërshtuar këtë me një narrativë pozitive, ekonomisti Marcel Fratzscher kohët e fundit bëri thirrje për një moment gjerman Kennedy.

Kennedy tha në fjalimin e tij inaugurues në presidencën amerikane në vitin 1961: “Mos pyesni se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj.” Ndoshta kjo është ajo që i duhet Gjermanisë tani: një rrëfim që e nxjerr vendin nga pesimizmi aktual dhe krijon një frymë optimizmi./DW

Artikulli paraprakHistoria e burgut të Spaçit përmes artit dhe lëvizjes! Rrëfimi që tregon peshën e dhimbjes dhe dhunës që shoqëroi jetën e ish të burgosurve politikë në kampin
Artikulli tjetërFasoni redukton përfitimet për punonjësit, ulen dhe hiqen bonuset! Kriza për shkak të humbjeve nga kursi i këmbimit valutor, mijëra të papunë