Tropoja vazhdon të përjetojë një situatë dramatike nga bora dhe ngricat ku shumë fshatra ndodhen të izoluar prej pesë ditësh. Kryetari i Bashkisë së Bajram Currit, Besnik Dushaj deklaroi dje për gazetën “RD” se, situata po vështirësohet edhe më shumë pasi kanë filluar sërish reshjet e borës. Dushaj deklaroi se, deri tani nuk ka asnjë ndihmë nga qeveria për përballimin e situatës.
“Situata po vështirësohet më shumë pasi kanë filluar sërish reshjet e borës. Shumë fshatra janë të izoluara dhe pa drita si rezultat i bllokimit të rrugëve. Deri tani nuk ka patur asnjë ndihmë nga qeveria. Bashkia është angazhuar totalisht për t’u ardhur në ndihmë banorëve, sidomos atyre me probleme shëndetësore, por nuk kemi mjete për pastrimin e rrugëve. Situata sa vjen e përkeqësohet dhe kërkohet ndërhyrja e menjëhershme nga qeveria me mjete e ndihma ushqimore”, u shpreh kreu i Bashkisë së Bajram Currit.
Dushaj tha se i është drejtuar disa herë qeverisë që para një jave për ndihma, por deri sot nuk ka patur asnjë ndihmë. Ai tha se Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë i kishte premtuar se do të dërgonte një fadromë për pastrimin e rrugëve nga bora e akulli, por nuk e dërgoi. Të moshuarit dhe fëmijët po ndiejnë më shumë mungesën e energjisë elektrike. Banorët kanë nevojë për ushqime e ilaçe, ndërsa ndihma e qeverisë është zero. Në një deklaratë për mediat, Shtabi i Emergjencave Civile bëri të ditur se, disa akse rrugore rurale në zona të thella malore nuk ka qenë e mundur të hapen plotësisht. Po ashtu pranohet se shumë fshatra në të gjithë vendin ndodhen pa energji elektrike. Sipas Shtabit të Emergjencave, furnizimi me energji elektrike ka qenë gjithashtu me ndërprerje në zonat e thella për shkak të ngricave, ndërkohë grupet e specialistët të OSHEE janë duke punuar për riparimin e defekteve. Bëhet e ditur se dje janë shpërndarë ndihma në Kukës dhe Dibër, por banorët janë shprehur se ndihmat kanë qenë të pamjaftueshme për të gjithë të izoluarit prej rreth një jave.
Situata më e rëndë nga moti i keq, me reshje dëbore dhe ngrica është në pjesën veriore dhe verilindore të vendit. Emergjencat civile kanë shpërndarë ndihma me helikopter për banorët vetëm në Vermosh ku rrugët janë të bllokuara prej ditësh ku trashësia e borës ka arritur në rreth 1 metër.
Shkodër, dhjetëra rrugë të bllokuara
Moti i ftohtë me temperatura që shkojnë deri në -19 gradë ka vijuar edhe gjatë 24 orëve të fundit, duke krijuar probleme në qarkullimin në rrugë dhe jetën e përditshme të banorëve në zonat e thella malore. Edhe në Qarkun e Shkodrës shumë akse rrugore vijojnë të jenë të bllokuara nga bora, ndërsa në të tjera, prezenca e ngricave është e lartë. Autoritetet bënë të ditur dje se janë të bllokuara akset rrugore Shkodër-Theth, Shkodër-Shosh-Breg i Lumit, Qafë Bordoleci–Vemosh, Shllak-Temal, Qerret-Qelëz, Tamarë-Vermosh, Tamarë-Kozhnje. Po ashtu, në mjaft fshatra mungon energjia elektrike duke shtuar edhe më shumë vështirësitë për banorët e izoluar.
Një prej akseve nacionale mjaft të frekuentuara, ai Shkodër-Han i Hotit, e vetmja arterie që lidh Shqipërinë me Europën në rrugë tokësore, ndodhet këto ditë nën ngrica e në shumë zona prezenca e lartë e tyre është rrezik serioz për udhëtarët. Vetëm pas reagimit të opozitës, në këtë aks ka nisur hedhja e kripës dhe skorjes nga firma kontraktore.
Më i vështirë ky segment është nga kryqëzimi i Koplikut në drejtim të pikës së Hanit të Hotit, aty ku edhe vërehet prezenca më e lartë e ngricave. Paralelisht për të mbajtur nën monitorim situatën, në këtë aks patrullojnë në itinerare të ndryshme dy patrulla policie, një e Shkodrës dhe një e Malësisë së Madhe. 35 kilometrat e këtij aksi lidhin Shkodrën me Malësinë, por në të njëjtën kohë shërbejnë edhe si urë lidhëse me Malin e Zi.
Bashkia e Shkodrës bëri të ditur se është angazhuar totalisht për përballimin e situatës së borës dhe ngricave. Sipas Bashkisë situata më e rëndë paraqitet në Njësitë Administrative malore në Shkodër, Pult, Shosh, Shalë për shkak të borës dhe ngricave.
Rrugë të bllokuara edhe në Pukë
Reshjet e borës kanë rifilluar edhe në Pukë, ndërsa temperaturat shënojnë -17 gradë celsius. Bëhet e ditur se, në fshatra situata është mjaft e rëndë pasi rrugët janë të gjitha të bllokuara. Sipas autoriteteve, akset e bllokuara janë: Fushë Arrëz-Iballë, Shkodër-Theth, Shkodër-Shosh-Breg i Lumit, Qafë Bordoleci–Vemosh, Shllak-Temal, Qerret-Qelëz, Tamarë-Vermosh, Tamarë-Kozhnje, Muhurr-Çidhen- Lurë, Burrel-Macukull.
Një 60-vjeçar nga Puka është transportuar me krahë për në spital, pasi kishte probleme shëndetësore. Ngjarja ndodhi në fshatin Buhot në njësinë administrative Rrapë. Për shkak të rrugëve të bllokuara nga dëbora, i sëmuri është transportuar në krahë nga banorët e fshatit dhe forcat zjarrfikëse. Veriu mbetet problematik sa i përket situatës së krijuar nga moti i keq me reshje dëbore dhe ngrica.
Reshjet e borës kanë rinisur dhe në Qarkun e Dibrës. Banorët e Rrethkales, ish-komuna Muhurr në Bashkinë e Dibrës, kanë denoncuar mungesën e ndihmës nga strukturat shtetërore. Ata e kanë hapur vetë rrugën e bllokuar nga bora, që i lidh me qytetin e Peshkopisë dhe kanë ironizuar me qeverisjen vendore dhe qendrore. Vetë banorët kanë shpërndarë një video duke çarë rrugën e bllokuar nga bora. Në video dëgjohen banorët që thonë se, po e hapin rrugën vetë pasi kanë të afërm të sëmurë.
Po ashtu, moti i keq ka sjellë probleme të mëdha dhe për qytetin e Bulqizës, pasi prej tre ditësh mungon uji i pijshëm. Bëhet e ditur se në rrugën Peshkopi-Tiranë, në disa segmente qarkullohet me zinxhirë.
Në territorin e Mirditës, temperaturat e ulëta variojnë nga -18 gradë celsius deri në -22 gradë. Në Fan të Mirditës trashësia e dëborës arrin në 50-70 centimetër, ndërsa në Orosh bora ka arritur nga 4-40 centimetër.
E gjithë zona ka probleme me furnizimin me energji elektrike si pasojë e rrëzimit të shtyllave. Rrugët e Spaçit janë të bllokuara, ndërsa lumi Fan ka ngrirë në pjesët ku niveli i ujit është më i cekët.
Në Vermosh dhe fshatin Shtyllë në Librazhd është shënuar temperatura minimale në ekstrem -29 gradë celcius. Ndërkohë, energjia elektrike vazhdon të mbetet problem në të gjitha zonat malore të vendit, por edhe në mjaft qytete. Autoritetet thonë se, shkak është rrjeti i amortizuar për të cilën është parashikuar të kryhen investime.
Dhjetëra fshatra të izoluar në Dibër, banorët: Asnjë ndihmë nga qeveria
Reshjet e dëborës të shoqëruara me erë të fortë dhe temperatura të ulta rekord deri në minus 26 gradë Celsius, kanë izoluar dhjetëra fshatra në Qarkun verilindor të Dibrës. Shkak i këtij bllokimi janë bërë rrugët, të cilat u bënë të pakalueshme prej dëborës së rënë, trashësia e të cilës shkoi nga 50 centimetra deri në 80 centimetra në zonat e thella malore. Pothuajse të gjitha akset e zonave rurale që lidhin njësitë administrative me qendrat e bashkive Peshkopi dhe Bulqizë, si dhe me aksin rrugor nacional Peshkopi-Bulqizë-Tiranë, me rënien e dëborës mbetën të bllokuara. Por aktualisht mjaft njësi administrative të këtij qarku vijojnë të mbeten të bllokuara. Kështu njësitë administrative Lurë, Muhurr, Trebisht, Dardhë, Reç, Xibër, Macukull, Rukaj etj., vijojnë të jenë të izoluara për shkak të rrugëve të mbuluara me dëborë dhe akull. Ndërsa numri i fshatrave të izoluar është me dhjetëra, ku deri më tani nuk është bërë e mundur ndërhyrja për zhbllokimin e rrugëve që lidhin këto fshatra me qendrat e njësive administrative.
Një situatë e tillë ka shkaktuar mjaft probleme për këto fshatra. Vetëm para 4 ditësh si pasojë e bllokimit të një segmenti të rrugës nacionale Peshkopi-Bulqizë, në Maqellarë, një grua me problem lindje, nuk ka mundur të transportohet për në Tiranë, por me ndërhyrjen e policisë është mundësuar dërgimi i saj në Spitalin e Dibrës së Madhe në Maqedoni. Po kështu edhe një rast tjetër është shënuar në Trebisht të Gollobordës, ku një vajzë e re 21 vjeçe u transportua po në Dibër të Madhe për të marrë ndihmë mjekësore. Po kështu edhe një fëmijë 3 vjeç nga Grykë-Noka nisur për të shkuar në Spitalin e Peshkopisë, mbeti i bllokuar në rrugë nga bora dhe ngrica. Sipas burimeve nga ky spital, mësohet se nga data 5 janar e deri më sot, janë shtruar 107 fëmijë me viroza gripale, 76 të moshuar me problem kardiake e respiratore, si dhe 5 persona me fraktura për shkak të rrëzimit prej akullit që ka mbërthyer vendin. Po kështu 3 persona me fraktura janë transportuar drejt Spitalit të Burrelit për të marrë ndihmë mjekësore.
Situatë problematike nga moti i acartë, janë krijuar edhe në qytetet Bulqizë dhe Peshkopi, qendra të këtyre bashkive për shkak të ngrirjes së tubacioneve të ujit. Banorët shprehen se një situatë e tillë ka ardhur nga mosmenaxhimi i mirë i ujësjellësit nga ana e drejtorive të ujësjellësave Bulqizë e Peshkopi, të cilat nuk duhet të bëjnë mbylljen e rubinetave të depozitave të ujit në këtë acar të ftohti, ku dihet mirëfilli se, Bulqiza dhe Peshkopia janë dhe mbeten nga qytetet rekord për nga temperaturat e ulta, gjë e cila padyshim që sjell edhe ngrirjen e tubacioneve të rrjetit të ujësjellësit.
Banorët thonë se prej 5 ditësh vijojnë të mbushin ujë jashtë qytetit në burime natyrale, duke rrezikuar edhe jetën për shkak të akullit dhe të ftohtit që kanë mbërthyer keq këto qytete. Banorët thonë se, deri më tani nuk kanë patur asnjë ndihmë në ushqime, veshmbathje apo medikamente nga ana e qeverisë.
Rinisin reshjet e borës në Vlorë
Një pjesë e territorit të Qarkut të Vlorës është përfshirë nga reshjet e dëborës, të cilat janë shfaqur mesditën e djeshme, mes të tjerash edhe në Qafën e Llogorasë, ku intensiteti ka qenë i lartë. Por, pavarësisht kësaj, qarkullimi i mjeteve në aksin rrugor që përshkon këtë zonë ka vazhduar pa zinxhirë, megjithëse në kushte më të vështira, krahasuar me ditët paraardhëse.
Ndërkohë, reshje dëbore ka patur edhe në disa nga fshatrat e Lumit të Vlorës, si në fshatin Tërbaç, pjesë e Bashkisë Himarë, por me intensitet më të ulët, krahasuar me pjesë të tjera të qarkut.
Në Qarkun e Vlorës, reshjet e dëborës u shfaqën të premten e javës së shkuar, çka shënoi edhe fillimin e përkeqësimit të dukshëm të motit, shoqëruar me rënie të ndjeshme të temperaturave. Kushtet e pazakonta atmosferike, janë shoqëruar me një sërë shqetësimesh në furnizimin me energji elektrike, me ujë të pijshëm dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve në akse të ndryshme rrugore. Prej disa ditësh, një pjesë e konsiderueshme e qytetit dhe e fshatrave që përfshihen në Bashkinë e Vlorës, po përballen me mungesën e ujit të pijshëm, për shkak të defekteve të shkaktuara në rrjetin e ujësjellësit si pasojë e pranisë së ngricave. Po ashtu, probleme dhe mungesa ka patur edhe në furnizimin me energji elektrike.
Shtabi i emergjencës në Bashkinë e Vlorës po koordinon punën për të minimizuar pasojat. Krahas të tjerash, patrullat e Policisë Bashkiake, po monitorojnë situatën e qarkullimit rrugor në segmentet rrugore brenda qytetit dhe në disa të tjera në zonat rurale, ku ka patur prani të dukshme të ngricave.
Borë edhe në Sarandë
Qyteti i Sarandës është zgjuar dje i mbuluar nga bora. Reshjet e borës në qytetin bregdetar kanë nisur rreth orës 07:00. Ndonëse në Veri e Jug reshjet kanë shkaktuar probleme duke bllokuar rrugë e fshatra, sarandjotët po i gëzohen këtij fenomeni, duke dalë në rrugë. Reshjet e borë, jo të natyrshëm për qytetin bregdetar ishin regjistruar që nga viti 2002, ndërsa qytetarët që kanë zgjedhur të qëndrojnë brenda shtëpive, e shijuan nga ballkonet dhe dritaret.
R.POLISI