Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënon sulmet që janë kryer gjatë javëve të fundit kundër misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Liban (FINUL), duke u bërë thirrje “të gjitha palëve” të garantojnë sigurinë e paqeruajtësve.
Përmes një deklarate, shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dënuan dje sulmet ndaj pozicioneve të FINUL-it, që rezultuan me lëndime të anëtarëve të saj.
Megjithatë Këshilli i Sigurimit nuk foli për emra konkretë të përgjegjësve për këto “incidente”, por iu referuan datave kur kanë ndodhur sulmet.
Ata iu referuan në mënyrë specifike sulmeve të 29 tetorit, kur një raketë e gjuajtur nga Hezbollahu, apo aleatët goditi selinë e përgjithshme të misionit paqeruajtës, më 7 nëntor, kur pesë paqeruajtës u plagosën nga bombardimet izraelite dhe më 8 nëntor.
Këshilli i Sigurimit u bëri thirrje “të gjitha palëve të marrin çdo masë për të respektuar sigurinë e personelit dhe objekteve të misionit”, duke këmbëngulur se “paqeruajtësit nuk duhet të jenë kurrë objektivi i sulmit” dhe duke shprehur “mbështetje të plotë” për FINUL.
Më gjerësisht për konfliktin në Liban midis Izraelit dhe Hezbollahut, i cili nuk tregon shenja të depërshkallëzimit, Këshilli i Sigurimit shprehu “shqetësim të thellë” për “viktimat dhe vuajtjet e civilëve, shkatërrimin e infrastrukturës civile, dëmtimin e vendeve arkeologjike në Liban, kërcënimet në vendet e trashëgimisë botërore në Baalbek dhe Tiro të UNESCO-s, dhe numrin në rritje i njerëzve të zhvendosur”.