Në një intervistë të dhënë në emisionin “Ekspres” në RTSH, deputetja e Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Oriola Pampuri, theksoi se partia është e angazhuar intensivisht me qytetarët dhe strukturat e saj, duke përgatitur kandidaturat për zgjedhjet e ardhshme. Ajo nënvizoi se aktualisht po finalizohen 20-30 kandidatura për deputetë, duke shtuar se “jemi vazhdimisht në terren dhe në takime me qytetarët”.
“Ajo që vlen në këto momente, jemi shumë pak muaj para zgjedhjeve është fakti që a jeni ju pranë qytetarëve, a jeni ju në terren? Po ne jemi vazhdimisht në terren, ne jemi vazhdimisht në takime me strukturatdhe aktualisht jemi në finalizimin e propozimeve për 20-30 kandidaturave të para për kandidatët për deputetë” – tha Pampuri.
Pampuri u ndal edhe te vendimi i rëndësishëm që partia ka marrë lidhur me qëndrimin ndaj kolegëve që u larguan nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Ajo shpjegoi se nuk kanë ndjekur këtë hap, pasi kanë pasur diskutime të vazhdueshme me forumet e brendshme dhe kanë vendosur të presin një vendim të drejtë nga Gjykata e Lartë për një çështje që po shqyrtohet. Deputetja theksoi se nuk mund të kenë një “standard të dyfishtë” dhe janë angazhuar që çështjen ta ndjekin deri në fund, për të siguruar një vendim të drejtë.
“Padiskutim fakti që jemi pjesë, që nuk bëmë atë hapin që disa kolegë tanët u larguan nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Ne këtë hap nuk e bëmë, sepse patëm diskutime të vazhdueshme me forumet tona që janë shumë të rëndësishme dhe vendosëm që në momentin që kemi një çështje në gjykatë, nuk mundemi që të kemi një standart të dyfishtë. Sepse nga njëra anë largohemi nga grupi parlamentar dhe nga ana tjetër presim një vendim të rëndësishëm të Gjykatës. Duke oarë që ishte një vendim jo drejtë, duke parë që ishte jë vendim i ndikuar, ne vendosëm ta çonim çështjen në Gjykatën e Lartë. Dhe padiskutim presim që në momentin e parë që kjo gjykatë do të jap një vendim, padiskutim që do të jetë shumë positive” – tha deputetja.
Ajo theksoi se Demokrati Euroatlantikë janë të angazhuar për një drejtësi të paanshme, të paprekshme nga politika, dhe të pacenuar. Më tej Pampuri siguroi se ky grupim do të jetë një alternativë e fortë dhe konkurruese në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht vendimit apo vonesave të gjykatës.
“Por nuk mund të jemi peng të një vendimi gjykate sepse ju e keni parë, ne jemi për reformën në drejtësi, e kemi mbështetur reformën në drejtësi. Por padiskutim e para ka ecur shumë ngadalë, dhe e dyta ka patur dhe ndikimet e veta. Sepse mos harroni, plotë herë gjykatat kanë pasur një ndikim dhe ndaj themi që duam një drejtësi të paprekshme nga politika, një drejtësi të paanshme dhe të pacenuar. Ka qenë e cënuar dhe kjo ka qenë arsyeja që kemi thënë do t’i shkojmë kësaj çështjeje deri në fund, por pa cenuar punën që të shkojmë drejt zgjedhjeve që në çdo variant Demokratët Euroatlantikë do të jenë një alternativë në zgjedhje” – u shpreh më tej Pampuri.