Me indiferentizmin tonë po “vrasim” politikën!

Nga Alban Daci

Dikur politika konsiderohej si aktiviteti i më të aftëve, të urtëve dhe të fortëve, që këto cilësi të dhëna nga natyra dhe rrethanat sociale i konsideronin si potenciale e përgjegjësi edhe për ata që ishin më të dobët, më pak të aftë dhe me shumë agresivë. Pra, cilësitë e mira dhe dalluese individuale ishin jo për t’i përdorur për dominim ndaj shumicës, por si përgjegjësi që kjo pakicë me këto cilësi të mira individuale vendosej në interesin e “publikes” ose të asaj që ishte e përbashkët.

Nëse dikush ishte më i fortë, më i zoti apo më i urtë për shkak të natyrës apo rrethanave sociale, ai duhet t’i vendoste këto cilësi në shërbim për të mbrojtur ata që ishin më të dobët, më pak të mbrojtur dhe me rrethana sociale më të rrezikuara. Të paktën ky ishte kuptimi fillestar i politikës.

Gjërat kanë ndryshuar me komplikimin e realiteteve sociale, qoftë nga dimensioni apo nga kompleksi i rrethanave. Lindja e partive të masave ose koncepti i “masës”, bëri që të ndryshonte edhe koncepti i politikës. Bërja e mundur e votimit të “sufraxhit universal”, u zgjerua pjesëmarrja e qytetarëve në jetën politike, qoftë përmes votës, por edhe me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë si aktor politik falë edhe revolucionit të dytë industrial, duke krijuar kështu mundësinë e grumbullimit të shumë personave (punëtorëve) në një fabrikë të vetme e kështu u rrit ndjeshmëria për të mbrojtur ose për të avancuar një optikë më të gjerë të mbrojtjes të drejtave e lirive themelore të njeriut që lidheshin kryesisht me kushtet e punës, oraret dhe pagesat.

Me konceptin e ri të “masës” të organizimit social, lindën partitë klasike të quajtur të “masave” që ishin të lidhura ngushtë me ideologjinë, qoftë të Majtën (socializmi/komunizmi), por edhe të Djathtën si një tentativë për të konservuar disa status quo sociale me privilegje të krijuar në disa gjenerata si rezultat i avancimit të revolucionit industria lindën edhe populizmat e parë dhe lider populist. Fjalë realitetit të rë masave, çdo demagog mjafton të merrte fjalën në një fabrikë ose në një bar dhe kishte menjëherë përballë qindra e pse jo mira fansa. Ky model i ri social me bumin e zhvillimit urban që falë revolucionit industrial u krijuan qytete nga zeroja, nuk kishte nevojë për të bërë kilometra në këmbë nëpër fshatra edhe me pak shpi për të gjetur votues apo mbështetës politike.

Sigurisht Lufta e I dhe II ishin dy eksperienca katastrofale dhe pasojat e para të liderëve populist që dolën në skenë për shkak të pasojave dhe ndryshimeve të menjëhershme sociale që solli revolucioni industrial duke krijuar tronditje sociale që shpejt dolën jashtë kontureve të vetëkontrollit. Periudha e Luftës së Ftohtë u karakterizua nga një status quo e qartë, sepse ideologjitë kishin arritur formën e tyre maksimale të pjekurisë, kishin kufijtë e tyre dhe dominimet e tyre dhe u bo njëfarë “pakti social” për një paqe të qëndrueshme sociale. Kjo lidhet edhe me periudhën që karakterizohet nga një klasë politike që nuk ishte pjesë e populizmit, sepse ishte rezultat i një faze pjekurie të forcave populiste që kishin nisur në fillim të viteve nëntëqind.

Kjo mund të konsiderohet edhe periudhave e liderëve të mëdhenj që vinin nga vinin nga shkolla të mirënjohura politike.

Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, “pakti social” që lidhej me këtë periudhë u prish, sepse u dëmtua njëra nga dy ideologjitë që ishte palë garantuese e pikërisht komunizmi/socializmi mori një goditje të rëndë që u finalizua me rënien e Murit të Berlinit dhe prishjen e Bashkimit Sovjetik. Prishja e paktit social dhe zbehja e ideologjisë krijuan nevojën për një valë të re populizmit duke krijuar lider populistë me të njëjta potenciale rrezikshmëri sociale ashtu si ato të mbarimit të Luftës I Botërore dhe të II.

Kantieri më i madh i ideologjizmave dhe populzimave sigurisht që mbetet Europa për shkak se është një laborator gjigand me diversitete dhe me përplasje sociale edhe për faktin se disa faktorë lidhen me historikun e saj. Kur shikojmë lider aktual edhe në vendin tonë, por edhe në shumë vende të Europës që duke i krahasuar me ato që ishin gjatë Luftës së Ftohtë na vjen natyrshëm pyetja: Çfarë mëkatesh kemi bërë që duhet të identifikohemi me këta? Rritja e kohezionit social, rënia e mureve mes vendeve të BE, rritja e kualifikimit dhe mundësitë më të mëdha të tregut të punës ka bërë që njerëzit e kualifikuar dhe profesionistët të largohen nga politika e shpesh të kenë edhe një antipati ndaj angazhimit politik.

Ky boshllëk i krijuar nga largimi i dëshirës për tu angazhuar nga “intelektualët”, kriza e ideologjisë, konsumimi i elitave klasike si pasojë edhe e krizës së linjës ideologjike ka që kjo hapësirë boshe të zihet menjëherë nga populistë që nuk kanë vizione të qarta, që flasin me gjuhën e qytetarëve, por që qëllim final kanë marrjen e pushtetit dhe sapo ta marrin atë ka shumë gjasa që të kthehen në një establishment të ri ndoshta më i keq se ai që kemi dhe nga ai që kemi pasur më parë.
Prandaj, të rinjtë, “intelektualët” nuk duhet ta braktisin angazhimin politik, por duhet ta konsiderojnë si përgjegjësi ndaj angazhimit publik dhe si një shërbim ndaj vendit.

Është momenti që në Shqipëri politika të bëhet aktiviteti i më “të mirëve” ose i të “mirëve” që reflektojnë nivelin mesatar shoqëror dhe aspiratën e shumicës të qytetarëve. Me antipatinë tonë ndaj politikë ose me mosinteresimin tonë ndaj saj këtë aktivitet kaq të rëndësishme që varet fatet e shoqërisë dhe të vendit po ua dhurojnë njerëzve me formim “minal” që shpesh nuk përfaqësojnë vetë veten dhe jo më të mbrojnë “publiken” apo edhe fatin e të tjerëve.

Artikulli paraprakParalajmërimi i Komisionit Europian: Mund të rikthehet kriza e çmimeve në Shqipëri
Artikulli tjetërUra pasarelë e Vodicës e amortizuar, banorët braktisin fshatin: Nuk jetohet në izolim