Ura pasarelë e Vodicës e amortizuar, banorët braktisin fshatin: Nuk jetohet në izolim

Fshati Vodicë i Bashkisë së Selenicës është duke u shpopulluar për shkak të urës së amortizuar që lidh këtë fshat. Ura tip pasarelë e cila ka më shumë se 44 vite që është ndërtuar për të lidhur banorët e fshatit Vodicë me pjesën tjetër të komunës Kotë, është amortizuar duke rrezikuar banorët që kalojnë mbi të.

Kavot mbajtëse të urës janë ndryshkur nga koha, pjesa poshtë , llamarinat po ashtu, dërrasat e kalbura janë rreziku i përditshëm i banorve.

Fiks Fare transmetoi 1 javë më parë pamjet e gjendjes aktuale të kësaj ure. Bashkia ndërhyri duke çuar 40 copë dërrasa ,por gozhdët e tyre rrezikojnë t’u çajnë gomat e makinave banorëve.

Dikur fshati ka patur 180 banorë, ndërsa sot jetojnë rreth 80 banorë. Ura pasarelë është ndërtuar në vitin 1976 nga një banor i cili nuk ka qenë specialist dhe e ka bërë në mënyrë amatore, dhe banorët ankohen se nuk është vënë dorë fare për rregullimin e saj. Edhe ndërhyrja më e fundit e bashkisë me dërrasat që u kanë dalë gozhdët nuk ka dhënë zgjidhje për banorët. Ata tregojnë se janë ankuar në Bashkinë Selenicë ku prej saj kanë marrë si përgjigje që është miratuar fondi dhe ura do u bëhet e re ” se kur nuk dimë gjë” pohojnë banorët.

Fillimisht kjo urë pasarelë është ndërtuar me qëllimin e kalimit të këmbësorëve dhe kafshëve të punës dhe ka pasur një gjerësi prej 120 cm. Diku nga vitet 1992-1993 ura u zgjerua në 180 cm për të bërë të mundur dhe kalimin e makinave të vogla. Banorët thonë se këto i kanë bërë vetë dhe mirëmbajtjen po ashtu. Por kavot e urës kërkojnë grasatim çdo vit gjë e cila për banorët është e pamundur.

Pas ankesës së banorëve Fiksi iu drejtua Bashkisë Selenicë për problemin e urës pasarelë. Drejtori i Urbanistikës në Bashkinë Selenicë thotë se janë në dijeni të problematikës madje kanë edhe një projekt për të dhe shpresojnë të shpallen fitues për implementimin e tij. “Është hapur një thirrje nga Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe jemi duke hartuar një projekt, për të ndërtuar një urë të re, një urë monolite. Inshallah, na shpallin fitues që ky problem të zgjidhet” përfundon drejtori.

Artikulli paraprakMe indiferentizmin tonë po “vrasim” politikën!
Artikulli tjetër“Partia Demokratike kuptohet se ka rënë pre e lidershipit të vjetër”/ Berisha e la Shqipërinë pa opozitë