Nga Rigels Seliman
Sali Berisha ka kaluar një rrugë të gjatë dhe të mundimshme, por që përfundoi në një “kafaz” të ngushtë, ku, edhe pse mund të flasë lirisht, nuk ka më asnjë ndikim të vërtetë mbi jetën politike të Shqipërisë. Ajo që fillimisht duket ironike është fakti se ai nuk e ka kuptuar ende se ora e tij ka kaluar. Po, pikërisht, kur çdo orë e kaluar do të duhej të ishte një hap më afër të kuptuarit të limitit, Berisha vazhdon të sillet sikur është ende ai politikani që udhëhoqi një komb drejt “lirisë” – me grushta dhe tallava.
Dhe pikërisht kjo është ironia më e madhe: ai që dikur të fliste për “ndryshime të mëdha” dhe “shpresa të reja”, tani është një njeri i mbyllur në një kafaz të ngurtë ideologjik, duke menduar se mund të udhëheqë një popull që, për më shumë se një dekadë, ka mësuar të mos besojë më tek ai. Po, po, Berisha është si një kanarinë e mbyllur në kafaz, që ndoshta vazhdon të këndojë, por askush e dëgjon më? Kush e pyet për këngën e tij të vjetër? Askush, sepse askush nuk ka nevojë për këngë të vjetra kur e ardhmja kërkon përparim.
Në një moment që qytetarët e kanë braktisur në masë sikundër e tregon pjesmarrja e ulët që i shkojnë në protesta, Berisha është një ilustrim klasik i asaj që ndodh kur politikanët, të lodhur nga një jetë e tërë pushteti, besojnë se mund të rikthehen thjesht me disa fjalë bosh. Ndonëse mund të quhet ende një “lider”, faktet janë të tjera: ai është një udhëheqës pa kompas, që humbet çdo ditë më shumë kontaktin me realitetin. E si mund të mbahet mend një njeri që ka shpërndarë dhimbje dhe frikë për breza të tërë? Berisha është “dëshmi e fortë” se si një politikë e dështuar mund të kthehet në një mësim të hidhur për të gjithë.
Përfundimisht, gjithçka që mbetet është një fantazëm e së kaluarës. Sali Berisha, me gjithë zhurmën dhe lavdinë që dikur e shoqëronte, është thjesht një kujtim i humbur, një politikan që nuk ka kuptuar se ora e tij ka mbaruar. Tani ai është në “kafaz”, i harruar dhe pa asnjë mundësi për të ringjallur asgjë, përveç një realiteti që vetëm e shkatërroi Shqipërinë. Një politikan që mbahet mend jo për triumfe, por për vuajtjet dhe humbjet që ka shkaktuar, është një ironi e natyrshme e historisë.