“Në Shkodër, persekutimi nuk ishte si në Durrës, jetuam në lagjen ‘Ndocaj’, midis njerëzve të mirë dhe antikomunistë, jo si në Durrës, midis spiunëve të Sigurimit…”/ Historia e trishtë e ish-të përndjekurit politik

Nga Qatip Mara

Pjesa e parë

Memorie.al / Në diasporën shqiptare në New York, atdhetari përkushtuar me shpirt të lartë atdhedashurie, intelektuali talentuar Abdyl Ali Koprencka, është integruar denjësisht me jetën amerikane. Në këtë foto që shoqëron shkrimin, jam në zyrën e tij që drejton agjensinë “SKRAPARI  TRAVEL”, (Tickets – Insurance – Immigration Forms – Motor Vehicles – Translation – Welfare – Income – Tax – All Social Services). Performanca e tij cilësore dashamirëse, për emigrantët e familjet e tyre në New Jork, rrezaton kulturën e shpirtin e tij atdhedashës. Edhe pse ka lindur jashtë atdheut, në Romë, Shqipërinë e mbartë me shumë dashuri në zemrën e tij atdhedashëse.

Me shumë modesti, me thjeshtësi, komunikon duke të respektuar me sinqeritet e dashuri atdhetare. Puna e tij me sjelljen shembullore, e ka bërë shumë të njohur, të nderuar dhe shumë të kërkuar nga bashkatdhetarët emigrantë, që me hallet e shumta larg atdheut, gjejnë një “Shqipëri të vogël”, në zyrën e tij në: 61-01B Catalpa Avenue Ridgewood Queens Neë York.

Në zyrë qëndron pak kohë, sepse është çdo ditë në udhëtim, nëpër lagjet e New Yorkut dhe institucionet shtetërore, për të zgjidhur kërkesat e emigrantëve e familjeve të tyre. Ai është një dashamirës i veçantë, që komunikon me shumë ngrohtësi dhe me shumë korrektësi sqaron, zgjidhjet me ligjshmëri të kërkesave të shumta të emigrantëve. Edhe duke udhëtuar me makinën e tij, do ta shikosh duke biseduar. Dhjetëra telefonata nga familjet emigrante, i kërkojnë të takohen për problemet e ndryshme që kanë.

Isha në makinën e tij, me tre emigrantë shqiptarë, duke udhëtuar për në Manhattan. Me qetësinë që e karakterizon, me vëmendjen tek timoni, drejtimit të makinës, altoparlanti telefonit në makinë, i kërkonte biseda telefonike. Bashkëbiseduesit, i dëgjonte me shumë respekt dhe u planifikonte ditën e takimit. Është i palodhur për të ndihmuar emigrantët, duke shërbyer me korrektësi. Është integruar me jetën amerikane, me punë të disiplinuar, të përkushtuar. Vështirësitë i ka përballuar me vullnet të hekurt, me këmbëngulje ka realizuar standardet e jetës normale, duke e sfiduar konkurrencën amerikane, me aftësi intelektuale të talentuara.

Në 5 qershor 1991, kishte mbërritur me azil politik, në tokën e bekuar amerikane, duke u vendosur me banim në New York, ku prehet në përjetësi babai tij i dashur, mjeku Ali Xhelal Koprencka, me të cilin ishte ndarë në moshën e mitur, kur ishte vetëm 2 vjeç, nga arrestimi e burgosja e regjimit komunist. Djali u nda me gjallje, me babanë e tij të shtrenjtë. Ai nuk mundi ta takojë kurrë, por në murin e dhomës ku banonte, në Shkodër, shikonte foton që kishte dalë me babanë, në krahët e tij, kur ishte vetëm 2 vjeç.

Babai tij Ali Koprencka, është i biri i firmëtarit të Shpalljes së Pavarësisë, Xhelal Koprencka, përfaqësues i Skraparit dhe i Beratit, njëkohësisht anëtar i Këshillit Pleqësisë. Ishte njeriu besnik i kryeministrit shqiptar, Ismail Qemali, të cilin e caktoi me detyrë ushtarake, si oficerë i lartë me akademi ushtarake, pranë ministrit të Mbrojtjes, Mehmet Pashë Dërralla, për të mbrojtur kufijtë jug-lindorë. Detyrën e ngarkuar nga Qeveria e Vlorës, për ndalimin e andartëve grek në territoret e Korçës, Kolonjës dhe Skraparit, në vitet 1913-1914, e kishte kryer me sukses. Më 1918, mori pjesë në Kongresin e Durrësit., si delegat nga Skrapari. I ndjekur nga elementë antikombëtarë, Xhelal Koprëncka, u vra pabesisht në vitin 1919.

Në vazhdimësi të atdhetarizmit të firmëtarit të Shpalljes së Pavarësisë, djali tij, Sami Xhelal Koprencka, mori pjesë aktive me armë në dorë, në Luftën e Vlorës më 1920. Duke luftuar në vijën e parë të frontit të luftës, kundër ushtrisë pushtuese italiane, ishte plagosur. Ishte deputet në kohën e Fan Nolit dhe prefekt i Pogradecit, në vitet 1925, deri 1928. Kundërshtoi pushtimin italian në vitin 1939 dhe u internua në Ventottene të Italisë. Me vendosjen e regjimit komunist, kishte kritikuar regjimin në fuqi, duke shprehur revoltën me një memorandum kundër Partisë Komuniste, që ishte shërbëtore e Jugosllavisë.

E kishin dënuar me varje në litar, por me rishqyrtim, e dënuan me 15 vjet burg politik, në burgun e Burrelit. Kontributi i familjes Xhelal Dalip Koprencka, është krenari për krahinën e Skraparit dhe Shqipërisë, ku tre breza të familjes të firmëtarit të Pavarësisë, Xhelal Koprencka, kanë kontribuar për liri me standardet e demokracisë perëndimore, por janë burgosur e, persekutuar egërsisht, nga regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia.

Duke biseduar me intelektualin e talentuar, atdhetarin me ideale kombëtare demokratike, Abdyl Ali Koprencka, mëson fakte të ngjarjeve që të drithërojnë, të revoltojnë që njeriu i ditur në atdheun tonë të shumëvuajtur, luftohet, burgoset, masakrohet, e pushkatohet nga shqiptarët, duke u shërbyer me verbëri të huajve. Diktatura komuniste, vazhdoi me ashpërsi të persekutonte familjen e Sami Xhelal Koprencka, e cila jetonte në Shkodër. Djalin e tij, që mbante emrin e firmëtarit të Shpalljes së Pavarësisë, Xhelal Sami Koprencka, e kishte burgosur disa herë dhe mizorisht, është pushkatuar në vitin 1979, së bashku me Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon, në Linxë, rrëzë Dajtit

Djali vogël i firmëtarit të Shpalljes së Pavarësisë, është Ali Xhelal Koprencka, i cili kishte lindur në 14 janar 1913, në fshatin Koprenckë të Skraparit. Ai, pothuaj për pak ditë, ishte moshatarë me Shpalljen e Pavarësisë. Në moshën 6 vjeçare, mbeti jetim, sepse babai tij, Xhelal Koprencka, u vra pabesisht në momentet kur drejtonte njësitë e armatosura, për të mbrojtur Korçën nga andartët grekë. Pasi kishte mbaruar shkollën fillore në vendlindje, djaloshi Ali Xhelal Koprencka, kishte vazhduar studimet në Liceun e Korcës, të cilin e kishte përfunduar me rezultate të larta, duke fituar të drejtën e studimit për mjekësi, në universitetin e Bolonjës në Itali.

Në universitetin e Bolonjës, kishte shkëlqyer dhe në vitin 1939, ishte diplomuar; “Doktor në Medicine”. Kishte filluar punën në Romë dhe në vitin 1940, ishte martuar dhe me familjen e tij, banonte në një apartament në rrugën “Veneto”, në kryeqytetin italian. Në familjen e re, kishte ardhur edhe dita e gëzimit familjar, në 16 mars 1943, ishin lumturuar me belbëzimet e para të lindjes të fëmijës së parë, të djalit, Avdyl Ali Koprencka. Mjeku Ali Xhelal Koprencka, i kishte vendosur emrin Abdyl, në kujtim të xhaxhait të tij, Abdyl Dalip Koprencka, që ishte një veprimtarë aktiv i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, anëtarë i komitetit të fshehtë “Për Lirinë e Shqipërisë”

Në vitin 1905, bashkë me vëllezërit e tij, ishte përfshirë në luftën për Shpalljen e Pavarësisë. Ishte autori kryesor i hapjes dhe drejtimit të shkollave shqipe më 1908, në Çorovodë, Koprenckë dhe Gostënckë. Ishte marrë drejtpërdrejtë me ngritjen dhe funksionimin e klubit patriotik “Pellazg”. Ishte delegatë i Skraparit në kongresin arsimor në Elbasan, në 1909. Kishte kontribuar financiarisht, për ngritjen e Shkollës famëmadhe ‘Normales’, së Elbasanit. Ishte angazhuar në mbarëvajtjen e punëve të Qeverisë së Vlorës dhe kishte kryer detyra të ndryshme. Kishte vdekur në vitin 1920, në Zvicër, duke u kuruar në spital nga sëmundja.

Djali i mjekut Ali Xhelal Koprencka

Abdyli Koprencka, (i riu), lindi në stinën e bukur të pranverës natyrore, por vazhdonte me ashpërsi dimri Luftës së Dytë Botërore. Në familjen Ali Xhelal Koprencka, që banonte në Romë, në vitin e parë të jetës së , Abdyl Ali Koprencka, ishte krijuar pasiguria e jetës, nga bombardimet anglo-amerikane ku sirenat e alarmit të herë pas hershme, e detyronin të strehohej në rifugot e posaçme. Duke e ndjerë të pasigurt qëndrimin e familjes në Romë, mjeku Ali Koprencka, e largoi familjen përkohësisht në Tiranë.

Edhe vitin e parë të ditëlindjes së djalit, familja Ali Xhelal Koprencka, e kishte festuar në banesën e rrugës “Fortuzi”, Tiranë. Mjeku Ali Xhelal Koprencka, punonte si mjek në Spitalin Civil të Tiranës. Ishte shumë altruist. Shpesh merrte iniciativë dhe shkonte në komandën gjermane, për të nxjerrë nga duart e tyre, shqiptar të arrestuar. Ishte nacionalist me bindje demokratike, për një Shqipëri etnike me pavarësi e liri, me standardet euro-atlantike. Ishte antikomunist, kritikonte dhe demaskonte Partinë Komuniste Shqiptare, si shërbëtore sllave, e cila ishte krijuar nga dy emisarët jugosllav; Miladin Popoviç e, Dushan Mugosha.

Ai kishte përkrahur Marrveshjen e Mukjes, e cila bashkonte të gjithë popullin shqiptar. Ai kishte dënuar prishjen e marrëveshjes së Mukjes, duke demaskuar maskat e PKSH-së, si shërbëtore vasale e Jugosllavisë. Në nëntor 1944, me uzurpimin e pushtetit nga komunistët, vazhdoi lufta e egër kundër nacionalistëve demokratë, që ëndërronin një Shqipëri demokratike perëndimore. Mjeku Ali Xhelal Koprencka, u konsiderua si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe arrestohet e, dërgohet në burgun e Burrelit.

Duke i kërkuar informacion për babanë, djali tij, Abdyl Ali Koprencka, tregon:“Babai im Ali Xhelal Koprencka, pas kaloi nji muaj në burgun e Burrelit, arriti të dalë. Nuhati rrezikun e “mortjes së kuqe” dhe vendosi të largohet nga Shqipëria. Me ndihmën e mjekut italian, Doktor Lozit, merr një raport mjekësor, që duhet të operonte gjurin në Itali, mbasi në Shqipëri, ishte e pamundur. Me ndihmën e shokëve, arriti të nxjerrë pasaportën. Në ato kohëra, çalonte vazhdimisht dhe për t’u theksuar ishte se mbante një bastun, që deri shumë kohë mbrapa, ishte ruajtur në shtëpinë e hallës time, Zengjine, në Tiranë.

Në qershorin e vitit 1945, hipi në avion, për në Romë. Ishte avioni i fundit që shërbente si urë lidhëse, në ato kohëra, midis Shqipërisë dhe botës Perëndimore. Në momentin final, po kërkohej nga spiunët e Sigurimit të Shtetit. Duke ngjitur shkallët e avionit, pati kurajën të flakte bastunin. Aeroplani filloi të ecte në pistën e aeroportit të vogël të Laprakës dhe agjentët e Sigurimit të Shtetit, kërkuan ta ndalonin. Avioni, ishte i shoqërisë Italiane dhe nuk ju bind urdhrave të autoriteteve të qeverisë shqiptare. Aeroplani fluturoi dhe im atë nuk u kthye më në vendin e tij, të cilin e dëshiroi gjithë jetën.

U kthye në Romë ku, apartamentin e gjeti të pa prekur. Nëna ime thoshte; aty lashë tërë pajën, ikëm për një kohë të shkurtër, për t’u kthyer përsëri. Duke më mbajtur në krahë, ditën që u larguam nga Roma, ime amë psherëtinte dhe fliste me vete: “A thua do ti shoh përsëri këto magazina”?! Im atë filloi nji jetë të re. I revoltuar nga situata në Shqipëri filloi të shkruaj nëpër gazetat italiane dhe të tregoj se çfarë po ndodhë në Shqipëri. Shumë studentëve u përshkroi realitetin shqiptar, të asaj periudhe obskurantiste.

Rasti Sabiha Kasimatit, e cila nuk e dëgjoi dhe u kthye në Shqipëri. U pushkatua pa gjyq dhe u hodh në një gropë bashkë me shumë intelektuale të tjerë, diku në urën e Beshirit Tiranë, në vitin 1951. Së bashku me të, edhe xhaxhai i gruas time, Zyhdi Herri. Mbas vitit nëntëdhjetë, këta intelektuale u rivarrosën dhe u dekoruan. Ekzekutimi dhe hedhja në një gropë të përbashkët, u bë pa gjyq, vetëm me firmat e kriminelëve dhe antishqiptarëve.

Im atë, Ali Koprencka, shpesh mori iniciativë për të shkuar në portin e Barit të Italisë, duke u bërë thirrje studentëve shqiptar, që mos të ktheheshin në atdhe. Shqipëria ra nën influencën sllave dhe kriminelët në fuqi, po vendosnin urinë dhe terrorin e kuq, të pa parë në historinë e Shqipërisë. I huaji na trajtoi më mirë, na dha kufijtë që na takojnë dhe i mbrojti ata kufij, si të ishin të tyre. Ndërsa ne shqiptarët, i shitëm kufijtë dhe popullin shqiptar, jashtë kufijve natyral shekullor.

Ideologjia e kuqe, një teori plotësisht utopiste dhe e pa realizuar praktikisht, solli shkatërrimin total. Lufta e klasave, e mirënjohur me teorinë; përça e sundo, e ktheu Shqipërinë në një kasaphanë të vërtetë. Vëllai kundër vëllait. baba kundër djalit, burri kundër gruas. Familja u prish. Embrioni Shqiptar shkatërrohet totalisht. Njeriu u kthye në kafshë dhe kafsha në njeri. Mbi të gjitha u shkatërrua dhe u tradhtua historia. Pra u eliminua identiteti origjinal dhe gjithçka shqiptare. Kjo plotëson interesat dhe popujve të ardhur në Ballkan.

Mbas vitit 1947, babai im shkoi në Turqi, u vendos në Instambul, ku themeloi gazetën “BESA”. Më 16 dhjetor 1956, erdhi në SHBA-ës. U vendos fillimisht në Detroit. Filloi punën në uzinat automobilistike. Filloi të na ndihmoi ne të gjithëve, pa përjashtim. I dërgonte të gjithëve, motra, vëllezër, nipa e mbesa, pa dallim. Më vonë spostohet në New York, ku dhe diplomohet nga Universiteti i New Yorkut (NYU) për Medicinë. I jepet mundësia, për të ushtruar profesionin e mjekut, në SHBA-ës.

Gjatë gjithë periudhës qëndrimit në SHBA-ës, punoi për atdheun dhe familjen. Në testamentet dhe amendamentet e tij, shkruante: “Të më fali atdheu dhe familja, që nuk mund t’i ndihmoj më”! Ishte anëtari i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Foli disa herë në “Zërin e Amerikës”. Shkroi disa memorandume në Kombet e Bashkuara, për të drejtat e njeriut, për popullin shqiptar të Kosovës, nga armiqtë tanë të përbetuar sllav.

Ishte pionieri i parë që ngriti opinionin botëror, për çështjen e Kosovës dhe organizoi fizikisht dhe materialisht, shumë mitingje si ne New York, Washington dhe gjetkë. Me punën e tij të pa lodhur, u hodhën bazat e një Kosove të lirë dhe të pavarur. Vdekja nuk e la të shihte veprën e tij të realizuar. Fatkeqësisht, vepra ndërmjet shqiptarëve dhe shqiptarizmit, humbet. Ne nuk dimë të ruajmë njerëzit dhe historinë tonë. Prandaj edhe punët tona, i kemi “kaq mirë”.

Jetoi dhe punoi në Nassau County, në New York. Atje kishte rezidencën dhe punonte në një spital afër shtëpisë. Vizitonte shqiptarët me një çmim të ulët dhe kush i vinte për vizitë, ditë të shtune, nuk i merrte asnjë pagesë. Ishte shumë popullor dhe i papërtueshëm, ngrihesh shpesh herë në mesnatë dhe ishte në gatishmëri të plotë, për t’u shërbyer shqiptarëve, kudo që ishin. Këto të dhëna, i kam nga shqiptarët që kam takuar ne New York, mbasi mbërrita këtu, më 5 qershor, 1991. Po t’i hedhësh një sy testamentit tij, mallëngjehesh dhe atje kupton atdhedashurinë dhe dashurinë për familjen e tij.

Në testament, la shuma të konsiderueshme për ‘Ballin Kombëtar’, krijoi fonde dhe la financa për organizatat shoqatat; “Kosova”, “Çamëria”, organizata Amerikano-Shqiptare, për Teqjen Bektashiane., Kishën ortodokse të Xhamajkës. Kjo e fundit u ngritë dhe u themelua me ndihmën e tij personale. E ëma Z. Artur Liolin, më tha konkretisht, se; “pa ndihmën e babait tuaj, kjo kishë, nuk do ishte ngritur. La fonde të posaçme për xhaminë shqiptare të Brooklinit. Ju la shumë pare miqve dhe dashamirësve të tij, që nuk po ju përmend emrat. Më e rëndësishme është, se i la të gjithë farefisit, motrave, vëllezërve, kunatës, nipave dhe mbesave të tij”.

Lajmi i ekzekutimit të nipit tij, Xheladin Koprencka i ri, më 29 maj 1979, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, e tronditi shumë dhe krijoi deluzion të jashtëzakonshëm larg në mërgim, ku shpresat për t’u kthyer në atdhe, po shuheshin dita ditës. Kishte pritur me gëzim zgjedhjen e Papa Pavli VI-ët, duke u shprehur se; “Dita e lirisë, nuk është e largët, ky Papë, do ndryshojë botën”. Pas vrasjes së kryeministrit Mehmet Shehu, ishte shprehur: “Tani nuk është e largët dita, që do shkojmë në Shqipëri”! Lotët i shkuan çurkë. Sa herë që përmendeshe Shqipëria, derdhte lot. Në shtëpinë e tij, në dhomën e pritjes pranë pianos, në krahun e djathtë, ndodhesh një pikturë e bërë në Romë, në vitin 1947.

Kjo ishte nxjerrë nga një fotografi e imja, në studion “Kallfa”, në Tiranë, kur unë isha dy vjeç. Njerëzit që e vizitonin, i çonte para kësaj pikture dhe ju thoshte se; kjo asht fytyra e tim biri. Pastaj si zakonisht, lotët i rridhnin nëpër faqet e pa thara, nga vazhdimësia e këtij prodhimi të vazhdueshëm, nostalgjik për atdheun për familjen. I këshillonte dashamirësit dhe shokët, për mbajtjen e shëndetit. Shkruante receta të posaçme për regjimin e ushqimit dhe regjimin ditor. Menunë, për të mbajtur një shëndet të plotë dhe jetë të gjatë, e shpërndante si pamflet, nëpër shqiptarët. Një nga këto, më ra në dorë edhe mua. Iku me shpresë se do kthehesh shpejt. Propoganda e Anglisë, nëpërmjet Radio-Londrës, i dha shpresë se do kthehet shumë shpejt.

“Ndoshta edhe dy vjet – i premtoi nënës time, se; – kuqot e Tiranës, nuk do rrinë më gjatë. Do largohem për dy vjet. Nuk do ju lë”. Por jeta është e pa drejtë dhe shpesh Satani, momentalisht fiton dhe Shqipëria e lindur ndër shekuj, hyri për dyzet e tetë vjet, në zonën e errësirës plotë. Me gjithë përpjekjet e mëdha që u bënë, por spontane, për t’u bashkuar me familjen i dështuan dhe nga mërzitja, arriti të pinte deri në tre paketa cigare në ditë, të cilat ja shkatërruan mushkëritë.

Nderoi jetë nga një sëmundje e rëndë, më 16 korrik 1983, në spitalin ku punonte, në moshën shtatëdhjetëvjeçar. Një nga dëshirat e fundit ishte, që në ceremoninë e varrimit, të merrnin pjesë prifti katolik, ortodoks, hoxha dhe Babai Rexhepi, i Teqesë së Detroitit. Rreth varrit tij, i donte fetë dhe shqiptarizmin e bashkuar. Ai prehet në varrezat Frankliff Cemetery, në Hartsdale New York, me shumë shqiptarë të tjerë pranë, që dëshiruan dhe luftuan për një Shqipëri demokratike të lirë, me standarde perëndimore. Me një Shqipëri jashtë influencës sllave, të pavarur, të pastruar nga kriminelët e kuq dhe pinjollëve të tyre antishqiptar.

Pranë tij, ndodhen udhëheqësit i ‘Ballit Kombëtar’, Mit’hat Frashëri, Profesor Luan Gashi, Profesor Zef Pali, Telat Karagjozi, Lufto Toto, Ruzhdi Daca, nga Bahçallëku i Shkodrës, Hasan Çapani dhe te tjerë shqiptarë dhe patriotë të çështjes kombëtare. “Im atë, atdheun e desh më tepër se vetveten”, kështu është shkruar në të vetmin epitaf mbi varrin e tij, vendosur ne Hartsdale, White Plains, New York”. Duke e dëgjuar me emocione bisedën e intelektualit, atdhetarit të përkushtuar Abdyl Ali Koprencka, i kërkova të më tregonte për sfidat që kishte përballuar nga lufta e klasave, pas largimit të babait të tij të dashur.

Në 45 vjet të diktaturës komuniste, kalvari vuajtjeve e persekutimeve, ishte i vazhdueshëm. Kur ende nuk kishte mbushur katër vjeç, ishte konfiskuar shtëpia në rrugën “Fortuzi”. Me nënën e tij, strehohet tek tezja e tij, Rasika, por shpejtë i largojnë nga Tirana dhe ishin vendosur me banim në Durrës. Kishte nisur mësimet në klasën e parë fillore, por me trishtim dëgjonte sharjet, ofendimet me shprehjet përbuzëse të falangave komuniste: “Tregtarë, bejlerë, na keni pirë gjakun”. Kur shkonte rrugës për në shkollë, apo kthehej nga shkolla, nxënësin Abdyl Koprencka, e gjuanin me gurë duke i thërritur; “fashist”.

Kjo urrejtje e verbër klasore primitive komuniste, e shoqëroi nga klasa e parë fillore, deri në semestrin e parë të klasës së gjashtë. Me dhimbjen e jetimit, me baba gjallë, por që nuk e shihte me sy, duronte përbuzjet e luftës së mallkuar të klasave. Në vitin 1955, kur kishte mbushur moshën 12 vjeç, ishin shpërngulur nga Durrësi. Kishin shkuar me banim në Shkodër, të cilën ish-nxënësi shkodran, Abdyl Koprencka, e cilëson: “Një botë tjetër”.

Me respekt e mirënjohje për Shkodrën e shkodranët më tregoi: “Erdhëm në Shkodër, fukarallëku nuk u hoq, por persekutimi momentalisht nuk ishte si në Durrës. Vuajtëm nëpër hotele, sa gjetëm një gjysëm karakatinë, në lagjen ‘Ndocaj’. Jetonim midis njerëzve të mirë dhe antikomunistë. Jo si në Durrës, midis spiunëve të Sigurimit të Shtetit, ardhur nga jugu, me krenarinë e një horri”! Memorie.al

                                                              Vijon numrin e ardhshëm

Artikulli paraprakVetëm fitorja i bën punë në Shqipëri, Ukraina e sfilitur për sfidën vendimtare të Ligës së Kombeve
Artikulli tjetërIsh-deputeti i PS-së, Alqi Bllako, dërgohet në gjyq për korrupsion