Edhe pse qeveria, vitin e kaluar, nëpërmjet ndryshimit të kursit fiskal për biznesin e vogël preu burimin kryesor të furnizimit me të ardhura të pushtetit vendor, zhvillimet kanë treguar se buxhetet e bashkive nuk janë ndikuar nga ky fakt.
Ministria e Financave raportoi se gjatë 11-mujorit të ardhurat nga pushteti vendor shënuan rritje me 28% krahasuar me faktin e së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Kjo ishte rritja më e madhe e të ardhurave vendore të paktën që nga viti 2005. Mirëpo ky rentabilitet në të ardhura i dedikohet deformimit të politikës fiskale nga qeveria për vendoret.
Zerimi i tatimit mbi fitimin për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë në vit krijoi një deficit të madh në të ardhurat e bashkive. Siç shihet nga ecuria e rezultateve të 11-mujorit, të ardhurat nga biznesi i vogël shënuan një rënie me 70%.
Teksa shihet se të ardhurat nga tarifat vendore u rritën po me 70%. Të ardhurat që bashkitë në vend kanë marrë nga taksat lokale, si ato të pastrimit, arsimit, tabelave etj., kanë tejkaluar të paktën me 30% të ardhurat që merreshin nga biznesi i vogël.
Bashkitë në të gjithë vendin, sidomos Bashkia e Tiranës shumëfishoi tarifat e shërbimeve në fillim të vitit që shkoi në përpjekje për të mbuluar humbjet që vinin nga heqja e tatimit mbi biznesin e vogël.
Ekspertët e ekonomisë, duke komentuar këtë situatë, kanë pohuar se shpesh tarifat kalojnë logjikën që kanë. Ato vihen për të përballuar koston e shërbimeve, por në rastin konkret, bashkitë jo vetëm që kanë mbuluar kostot e shërbimeve me të ardhurat nga tarifat, por po bëjnë edhe me investime me këto të ardhura.
Taksa e re për arsimin u aplikua këtë vit për herë të parë nga Bashkia e Tiranës. Për familjarët, kjo taksë është 1800 lekë në vit, ndërsa për bizneset varion nga 4,000-37,000 lekë në vit, ndërsa u dyfishuan tarifat e pastrimit dhe u rritën disa herë tarifat e zënies së hapësirës.
Të ardhurat e pushtetit vendor nga tarifat janë rritur jashtëzakonisht shpejt dhe pothuajse janë dyfishuar që prej vitit 2005, duke përbërë më shumë se 45% të të gjithë të ardhurave të veta në vitin 2013. Ndërsa pritet që kjo peshë të kalojë me 80% peshën e të ardhurave të bashkive me heqjen e taksës së biznesit të vogël. Pothuajse të gjitha bashkitë kanë aplikuar rritje të tarifave këtë vit.