Ngjarja e rëndë në Tiranë ku humbi jetën një 14-vjeçar, reagon Myzafer Elezi i PD Euroatlantike: Ngjarja, kambanë alarmi për sigurinë në shkolla. E papranueshme që qeveria nuk garanton sigurinë e mjaftueshme

Lidhur me ngjarjen e një dite më parë, ku një adoleshent humbi jetën, ndërsa shoku i tij ngeli i plagosur, ka reaguar Anëtari i Kryesisë së PD-Demokratët Euroatlantikë, Myzafer Elezi, i cili shprehet se “kjo ngjarje e tmerrshme është një alarm serioz për sigurinë e nxënësve dhe të mësuesve në shkolla që dëshmon në mënyrë të hidhur se siguria në ambientet shkollore është e cenueshme”.

“Pas tre mandateve të qeverisjes, është e papranueshme që Qeveria të vazhdojë të mos garantojë siguri të mjaftueshme në shkolla. Shkollat duhet të jenë ambiente të sigurta, ku fëmijët mund të zhvillohen dhe të mësojnë pa frikë, por realiteti është ndryshe. Policia e Shtetit ka dështuar të krijojë një mjedis të sigurt brenda dhe përreth shkollave, duke lënë nxënësit të ekspozuar ndaj dhunës dhe rreziqeve të ndryshme.” – vijon më tej ai.

Më poshtë postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë

Një nxënës 14-vjeçar humbi tragjikisht jetën dhe dy të tjerë u plagosën në një akt të dhunshëm në ambientet e një shkolle 9-vjeçare në Tiranë. Ky është një moment i vështirë dhe i dhimbshëm për të gjithë qytetarët e Tiranës, e në mënyrë të vecantë për familjen e tij, e cila po kalon një dhimbje të padurueshme. Nuk ka asnjë fjalë që mund të shprehë dhimbjen e humbjes së një fëmije.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, miqtë, dhe të gjithë ata që e ndjejnë këtë humbje të madhe. Askush nuk duhet të përjetojë një humbje kaq të thellë, e aq më pak një prind që humb fëmijën e tij në mënyrë kaq të pakuptimtë. Shërim të shpejtë për dy nxënësit e plagosur, të cilët ndodhen në spital duke marrë trajtim mjekësor për plagët e marra.

Kjo ngjarje e tmerrshme është një alarm serioz për sigurinë e nxënësve dhe të mësuesve në shkollat tona që dëshmon në mënyrë të hidhur se siguria në ambientet shkollore është e cenueshme. Kjo është një situatë që nuk mund të tolerohet. Ngjarja e sotme nuk është një incident i izoluar, por një pasqyrë e mungesës së kontrollit dhe sigurisë në shkollat tona, dhe një dështim i institucioneve të sigurisë dhe të qeverisë për të ofruar mbrojtje të mjaftueshme për nxënësit dhe mësuesit.

Pas tre mandateve të qeverisjes, është e papranueshme që Qeveria të vazhdojë të mos garantojë siguri të mjaftueshme në shkolla. Shkollat duhet të jenë ambiente të sigurta, ku fëmijët mund të zhvillohen dhe të mësojnë pa frikë, por realiteti është ndryshe. Policia e Shtetit ka dështuar të krijojë një mjedis të sigurt brenda dhe përreth shkollave, duke lënë nxënësit të ekspozuar ndaj dhunës dhe rreziqeve të ndryshme.

Për këtë arsye, Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë kërkon nga Qeveria që të veproj me urgjencë për të adresuar këtë krizë. Gjithashtu, kërkojmë që Policia e Shtetit të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për forcimin e sigurisë në shkollat e vendit, dhe veprime konkrete:

1. Kontrolle të rrepta për hyrjen e armëve dhe mjeteve të rrezikshme në shkolla.

Policia e Shtetit duhet të angazhohet në bashkëpunim me autoritetet shkollore për të realizuar kontrolle të rregullta të nxënësve për objekte të ndaluara, duke përfshirë thika dhe mjete të tjera të rrezikshme. Kjo mund të realizohet përmes sistemeve të inspektimit dhe kamerave të sigurisë në hyrje të shkollave.

2. Përforcimi i patrullimeve dhe pranisë policore pranë shkollave.

Policia e Shtetit duhet të sigurojë një praninë të vazhdueshme dhe aktive të patrullave në zonat përreth shkollave, veçanërisht gjatë orëve të mësimit dhe në momentet kur nxënësit hyjnë dhe dalin nga shkolla. Ky veprim do të ofronte një nivel të lartë sigurie dhe do të parandalonte ngjarje të tilla të dhunshme.

3. Edukimi dhe trajnimi i policisë për menaxhimin e situatave të dhunshme në shkolla.

Policia e Shtetit duhet të trajnohet dhe të ketë protokolle të qarta për ndërhyrjen në situata të dhunshme brenda shkollave, për të parandaluar shfaqjen e incidenteve të tilla dhe për të garantuar një reagim të shpejtë dhe profesional.

4. Krijimi i një mekanizmi të përbashkët të bashkëpunimit mes institucioneve shkollore, policisë dhe komunitetit.

Të gjitha shkollat duhet të kenë marrëveshje të qarta dhe strategji të përbashkëta me Policinë e Shtetit, për të krijuar një mbikëqyrje të vazhdueshme dhe për të trajtuar në mënyrë të koordinuar çdo akt dhune apo rreziku që mund të ndodhë.

5. Ndërgjegjësimi i nxënësve dhe mësuesve për sigurinë dhe rregullat e sjelljes.

Është e rëndësishme që Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, të organizojë aktivitete dhe kurse edukative për nxënësit, mësuesit dhe prindërit për të rritur vetëdijen mbi sigurinë dhe pasojat e dhunës.

Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë i bën thirrje Qeverisë dhe Policisë së Shtetit të reagojnë menjëherë për të shmangur tragjedi të tjera dhe për të siguruar që shkollat të jenë vende ku fëmijët dhe mësuesit ndihen të sigurt dhe të mbrojtur, si brenda shkollës ashtu edhe jashtë saj. Kjo është një detyrë e patjetërsueshme dhe një përgjegjësi që nuk mund të zbehet.

Ne kërkojmë një sistem shkollor ku edukimi të jetë prioriteti dhe jo frika nga dhuna.

Ju faleminderit!

Artikulli paraprakArmatimet amerikane me rreze të gjatë veprimi! Analiza e VOA: A është vonë për ta shpëtuar Ukrainën?
Artikulli tjetërVrasja e 14-vjeçarit/ Gaba: Nuk japim buxhet për arsimin, kemi mjedis social tejet konfliktual