Sigurisht që ky është një veprim që e nderon institucionin e futbollit dhe mbi të gjitha vlerëson lojtarët për kontributin ndër vite me fanellën kuqezi. Mirëpo, ajo që bëri më shumë përshtypje në nismën e FSHF-së ishte mungesa e Sokol Cikalleshit.
Sulmuesi luajti 60 ndeshje dhe shënoi 13 gola si kuqezi në vitet 2014-2024, ndërsa ishte protagonist absolut në kualifikueset e Europianit të fundit. Dhe befas u aneksua nga FSHF! Natyrisht që kjo lë shkas për aludime dhe mosmirënjohja ose ndoshta “hakmarrja” kundër lojtarit për atë që mund të ketë ndodhur muajt e fundit mes palëve, pas lënies jashtë Europianit, gjen më shumë vend në një situatë të tillë.
Përderisa zyrtarisht nga FSHF nuk u bë një sqarim qoftë edhe për kortezi dhe gjithashtu nga ana tjetër, Cikalleshi nuk polemizoi asnjëherë pas tërheqjes nga Kombëtarja, e bën situatën edhe më misterioze. Mbetet për t’u parë nëse në vijim do të ketë një reagim nga institucioni.