Spektakli i vdekjes në ekranet tona

Nga Bjorn Runa

Vdekja e një adoleshenti pranë shkollës ku studionte në Tiranë, megjithëse tronditëse, nuk është një ngjarje e veçuar. Ajo pasqyron problemet e një sistemi shoqëror dhe ekonomik që i jep përparësi fitimir, konkurrenca dhe agresivitetit. Një sistem ku jeta kthehet në një garë të pafund për të dalë në krye, për të mos u gllabëruar nga kaosi i dëshpërimit dhe mediokritetit ku jeton pjesa tjetër e shqoërisë. Spektakli mediatik që pasoi këtë tragjedi zbuloi jo vetëm kushtet që e shkaktojnë dhunën, por edhe trajtimin sipërfaqësor dhe të papërgjegjshëm nga mediat.

Të nxitur nga nevoja për të maksimizuar shikueshmërinë, thuajse çdo emision mbrëmjeje në çdo televizion, nxituan ta kthenin tragjedinë në komoditet. Në vend që të krijonin kushte për një bisedë më kuptimplotë në lidhje me rrënjët sociale dhe ekonomike të problemit, televizionet ia dolën sërish mbanë të shfaqnin prindër të përlotur dhe dëshmitarë të tronditur në një tjetër spektakël grotesk. Aq sa të dukej se personat që flisnin – disa prej të cilëve të afërm të adoleshentëve të përfshirë në ngjarje – ishin më të interesuar për vëmendje televizive se sa për fëmijët e tyre që kuronin plagët në spital.

Nuk u desh shumë që të nesërmen e ngjarjes, ushtria e moralizuesve të pushtonte rrjetet sociale dhe portalet e lajmeve me ankesat e përhershme për “shkatërrimin e familjeve,” apo “vlerat e humbura” (çfarëdo kuptimi kanë mendje për këtë të fundit). Individë që thellë-thellë ndihen mirë sa herë dëgjojnë lajme të tilla, pasi iu jep mundësinë të shpërfaqin superioritetin moral, pa u lodhur për të analizuar kushtet materiale që çojnë tek krizat shoqërore. Gërryerja e strukturave familjare të qëndrueshme nuk është thjesht çështje morale, por rrjedhojë e një sistemi që i lë prindërit të keqpaguar, të mbigarkuar me punë dhe me fare pak kohë të lirë për të rritur fëmijët dhe për të ndërtuar komunikimin e duhur me ta. Izolimi dhe vetmia e shkaktuar nga pasiguritë ekonomike dhe pabarazia, i bën të rinjtë sot më vulnerabël ndaj dhunës, qoftë si viktima por edhe si shkaktarë të saj.

Nga ana tjetër, fajësimi i vetë adoleshentëve apo mediave sociale, nuk merr parasysh strukturat e gjera që karakterizojnë jetët e tyre. Të rinjtë nuk shtyhen drejt dhunës nga ndonjë “shthurje” e brendshme e tyre, por për shkak të mungesës së mundësive, problemeve në edukim dhe mungesës së mbështetjes nga komuniteti, që i sheh ata si jo më shumë se punëtorë dhe konsumatorë të ardhshëm. Komodifikimi i jetës së të rinjve nga të njëjtat media që ankohen për sjelljen e tyre, vetëm sa i shtyn ata drejt një izolimi më të thellë.

Ndaj, kjo nuk është as krizë prindërimi e as krizë morale, por krizë kapitalizmi. Një shoqëri që i jep përparësi fitimit më shumë se sa mirëqenies njerëzore, është një shoqëri ku më të dobëtit vuajnë më tepër. Por, në vend që të diskutojnë problemet sistemike, televizionet tona zgjedhin sensacionalizmin, banalitetin dhe leksionet morale, të cilat s’bëjnë tjetër veçse eklipsojnë shkaqet e vërteta të këtyre tragjedive.

Nëse duam të parandalojmë ngjarje të tilla, duhet të refuzojmë narrativat sipërfaqësore që media na servir çdo mbrëmje. Vetëm duke analizuar strukturat që krijojnë kushtet për dhunë dhe duke promovuar solidaritetin, veprimin kolektiv dhe njerëzillëkun mbi fitimin e kapitalizmin, mund të ndalim përsëritjen e këtyre tragjedive.

 

Artikulli paraprakDritëhijet e koncesionarit kroat të Portit të Durrësit dhe lidhjet me Amerikën Latine
Artikulli tjetërBuxheti 2025 dhe bonusi për pensionistët, eksperti Selami Xhepa: Jo i mjaftueshëm, ja cila është e vetmja zgjidhje