Të gjitha hetimet që SPAK ka hapur për qeverinë prej kohësh, nuk përfaqësojnë dosje mbi persona, apo mbi çështje të veçanta personale. Siç janë edhe hetimet ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Hetimet e SPAK janë thuajse të gjitha mbi projekte që janë ideuar nga Edi Rama, miratuar nga qeveria e tij, si dhe financuar prej qeverisë së tij.
PPP-të apo koncesionet në shëndetësi, përpara se të jenë një operacion që e ka menaxhuar Ilir Beqja, janë ideuar dhe propaganduar nga Edi Rama. Madje edhe negociuar me grupin e biznesmenëve që janë përfshirë në operacion.
E njëjta gjë edhe për impiantet e mbetjeve, që u shpallën e u mbrojtën nga kryeministri. Madje zgjedhjet e vitit 2021 u bënë në një skenografi me impiantin e Elbasanit.
Të gjithë ose shumica e hetimeve kapin këtë, pra PPP-të e qeverisë së Edi Ramës.
Siç ka ndodhur, të gjitha apo pjesa më e madhe e tyre është nën hetim, por të pandehurit janë zyrtarë të nivelit të dytë e të tretë. Të cilët sot ose janë nën hetim ose janë dënuar. Ka të tjerë si Arben Ahmetaj, që është rebeluar dhe thotë troç se hetimi ndaj tij është i padrejtë, pasi siç shpjegon ai, po hetohet për një vendim që e ka marrë Edi Rama me shefin e tij juridik në Kryeministri.
Të gjithë njerëzit e hetuar deri më sot nga SPAK ndoshta nuk janë viktima, por nuk përbëjnë burimin e shkeljes ligjore. Shkelje që ka ardhur nga lart, në qeveri. Por Rama, kërkon të lajë duart si Ponc Pilati, e të thotë se ai nuk ka lidhje me asnjë çështje.
Atëherë le të kujtojmë faktet. Kanabizimi.
Po si ka mundësi që Koço Kokëdhima, njeriu më i afërt i Edi Ramës në atë kohë foli me mendjen e vet për të legalizuar bimën e ndaluar?
Rama i preu kokën Koços, i cili në fund të fundit ishte njeriu i afërt i Bablokut. Më pas Saimir Tahirit, e të tjerëve me radhë. Po si mundet që për të gjitha këto hetime që nuk janë segmente, por projekte të ideuara e të përzgjedhura nga kryeministri, të hetohen të tjerë?
Ndoshta edhe mundet si pjesë e hetimit, por koka është lart, pasi kemi të bëjmë me projekte qeveritare.
Se nuk kuptohen dardhët e ngrëna nga pema që ka mbjellë Babloku? Madje me vendime qeveritare të nxituara e të shpeshtuara për ta nxitur procesin.
Kjo është dilema; kush i ka dhënë paratë publike e kush i ka shpërndarë? Këtë duhet të hetojë SPAK, jo thjesht procedurat. Padyshim edhe ato, por nëse ndiqen paratë, ata duhet të ndiqen në origjinë. /Pamfleti