Kristian Shpendi duket se ka një të ardhme të garantuar në elitën e futbollit italian dhe premisat janë të larta që ai të ketë një karrierë mes klubeve të njohura nëse vazhdon ecurinë e tij të jashtëzakonshme. Bomberi shqiptar, pasi dominoi Serinë C, po bën të njëjtën gjë edhe në Serinë B me fanellën e Çezenës, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha italiane,
Prej javësh përflitet për skuadra të ndryshme që e monitorojnë, duke kërkuar lojtarin edhe që në merkaton e janarit. Ndërsa klubet e mëdha, planifikojnë për më gjatë dhe janë gati të futen në bisedime me të për merkaton e verës, siç do të ishte edhe dëshira e Çezenës dhe vetë futbollistit.
Në ditët e kaluara janë përmendur emrat e Fiorentinës dhe Atalantës si dy skuadra shumë të interesuara për të, ndërsa tani ka dalë në skenë edhe një tjetër emër shumë i njohur i futbollit italian, Milani.
Përtej Adriatikut bëhet e ditur se përgjegjësi i transferimeve në klubin kuqezi, Monkada, ka piketuar prej kohësh bomberin shqiptar dhe po e ndjek me kujdes, pasi e sheh si një përforcim të rëndësishëm në verë, kur do të synohet rinimi i ekipit. Klubi kërkon vazhdimisht emra të rinj dhe me perspektivë, me Shpendin i cili plotëson profilin e duhur. Kërkesa e Çezenës për rreth 10 milionë euro për kartonin e tij, duket se plotëson edhe standartin e Milanit për afrimin e lojtarëve të tillë, ndaj marrëveshja mund të mbyllet që tani, por me transferimin në startin e sezonit të ri.
Me pak fjalë, Shpendi i ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij, përveç trajnerit të Kombëtares, Silvinjo, i cili nuk e grumbulloi asnjë herë në radhët e kuqezinjve gjatë Ligës së Kombeve edhe pse nuk munguan eksperimentet në listat e tij.