• U kërkua reforma në arsim, por kemi shtim të analfabetëve, tkurrje të nxënësve dhe studentëve në shkolla e universitete dhe mungesë të stafeve akademike
• Një analizë se si arsimi u cilësua si kryefjala e PS por në fakt rezultoi dështimi i tyre.
Dje në ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe një raport i Bankës Botërore rendiste Shqipërinë në vend të pestë me normën më të ulët të regjistrimit në shkollë fillore, duke rrezikuar rritjen e analfabetizimit në vend. Të dhënat e Bankës Botërore, tregonin se jo vetëm që numri i të regjistruarve në shkollat fillore po bie ndjeshëm, por ai është dhe ndër më të ulëtit në Europë. Përkeqësimi i këtij treguesi, sipas ekspertëve është i lidhur me disa faktorë si statistikorë, ashtu dhe të sjelljes. Së pari, emigrimi i familjeve që kanë fëmijë në arsimin e detyruar si dhe i atyre në moshën e arsimit të mesëm, ndërkohë që ata vijojnë të figurojnë në regjistrat e gjendjes civile. Ndërkohë vihet re një përkeqësim më i madh i treguesve të shkollimit, jo vetëm në arsimin e mesëm, por edhe atë të detyruar.
Prioritetet
Çfarë vendi zë arsimi në qeverisjen socialiste? Për pak muaj Edi Rama përmbyll mandatin e tij të tretë si kryeministër. Nën drejtimin e tij reforma në arsim ka qenë kryefjala e çdo mandati. Në Prill 2021, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare premtoi realizimin e tyre brenda 2025-ës.
Për rikujtesë, VNA po risjell premtimet e Edi Ramës gjatë fushatës 2021, për arsimin të cilat duhej të ishin përmbyllur në mandatin e tij të tretë.
• Rritje rrogash 40% për mësuesit, ndërtim dhe rindërtim shkollash.
• Dhënie fund të mësimit me dy turne në qendrat urbane dhe mësimit kolektiv në zonat e thella.
• Ndërtim kampusi universitar Akademisë së Arteve, Universitetit Politeknik dhe Akademisë së Sigurisë.
• Përqendrim total tek arsimi profesional dhe përgatitja e brezit të ri përmes edukimit në fushat e IT dhe teknologjisë së informacionit.
• Ambicie futja e Anglishtes në arsimin fillor, që nga klasa e parë.
• Hapjen e qendrës së parë të Kodimit në Tiranë, tek Piramida dhe më pas edhe qendra të tjera në Shkodër, Vlorë, Dibër, Korçë, Kukës, Berat dhe në gjithë Shqipërinë.
• Më shumë peshë sporteve, duke nisur nga klasa e parë e deri në universitete.
• Përmbylljen e licencimit të drejtorëve të shkollave, duke i licencuar si menaxherë për të drejtuar qendra komunitare.
• Programe me standarde të institucioneve arsimore prestigjioze ndërkombëtare, që nga Universiteti Teknik i Stambollit e deri tek Akademitë e Sigurisë, model amerikan për ushtrinë dhe italian për policinë.
• 10 mln euro në vit për të stimuluar universitete publike për hapjen dhe ofrimin e programeve të arsimit me universitet më të mira europiane.
Këto ishin premtimet e Ramës për arsimin vetëm tri vite më parë, për të bërë bilancin e realizimit të tyre, për etikë, po presim përfundimin e mandatit të tretë të tij, por ndërkohë për gjendjen aktuale të arsimit sot, duhet të flasim patjetër.
Gjendja –cilësia
Nga të dhënat e fundit të publikuara nga Censi 2023 rezulton se Tirana ka numrin më të lartë të analfabetëve në Shqipëri, me rreth 9,627 persona. Shifra është më e lartë në bashkinë e Tiranës dhe në zonat përreth si Kamza dhe Kavaja. Ndërsa qarqet e tjera me shifra të larta janë Elbasani dhe Fieri, respektivisht me 6,215 dhe 6,063 individë analfabetë.
Numri i analfabetëve sipas zonave në qarkun e Tiranës është i lartë veçanërisht në bashkinë e Tiranës me 6,243 persona, pasuar nga Kamza me 1,546, Kavaja me 698, Vora me 603 dhe Rrogozhina me 537 individë. Rreth 36% e këtyre personave janë të moshës 10-49 vjeç, çka tregon se fenomeni mbetet shqetësues për një pjesë të popullsisë në moshë të re dhe të aftë për punë.
Megjithëse analfabetizmi në Tiranë mbetet më i larti në vend, statistikat tregojnë një rënie të tij krahasuar me vitin 2011. Në atë kohë, 1.9% e popullsisë së qarkut ishte analfabete, ndërsa sot kjo shifër është ulur në 1.4%, duke reflektuar një përmirësim gradual në përpjekjet për edukimin bazë.
Numri –nxënësve dhe studentëve
Nga viti në vit, ritmet e rënies së nxënësve në arsim po rriten si pasojë e uljes së lindjeve dhe emigrimit të lartë në popullsinë e re në moshë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, publikuar nga Monitor, në vitin shkollor 2023-2024, u regjistruan në arsimin zyrtar 533.711 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 3,7%, krahasuar me vitin shkollor 2022-23. Në vitin shkollor 2023-24, u regjistruan në arsimin parauniversitar (deri të mesëm të lartë) 416.538 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 3,8%, krahasuar me vitin shkollor 2022-23. Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti shkollor marrin pjesë gjithsej 66.711 fëmijë, 4,4% më pak, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 258.072 nxënës, 54,7% në arsimin fillor dhe 45,3% në ciklin e lartë të arsimit bazë. Krahasuar me vitin shkollor 2022-23, marrin pjesë në arsimin 9-vjeçar 3,4% më pak nxënës. Në vitin shkollor 2023-24, 88,7% e nxënësve të arsimit 9 vjeçar u regjistruan në institucionet e arsimit publik dhe 11,3% në institucionet e arsimit privat. Ndër nxënësit e regjistruar në arsimin 9 vjeçar, vajzat përbëjnë 47,9% të totalit. Në vitin shkollor 2023-24, u regjistruan në arsimin e mesëm të lartë 91.755 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,3%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.
Mësues –pedagog
Në vitin shkollor 2023-24, numri i mësuesve në arsimin 9 vjeçar është 24.109. Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 15,1 dhe në atë privat është 15,2. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9 vjeçar, raporti nxënës për një mësues në arsimin publik është 7,9 dhe në atë privat 8,0. Numri i mësuesve në arsimin e mesëm të lartë është 8.307. Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm të lartë është 11,5 në arsimin publik dhe 9,1 në atë privat.
Ndërkohë ministria e Arsimit dhe Shkencës pranon se ka nevojë për mësues për profilet e tilla si: “Arsim special” dhe “Teknologji Informacioni dhe Komunikimi”. Në arsimin 9-vjeçar kërkohen më shumë mësues, duke mbajtur në konsideratë dhe numrin më të lartë të nxënësve. Mungesat për mësues ndihen kryesisht në zona të thella malore si: Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar Tropojë, Bulqiza, Has, Skrapar dhe Dibër.
Paralelisht me detyrat e mësimdhënies në lëndër përkatëse, 320 mësues në të gjithë vendin u janë ngarkuar detyra të reja që lidhen me sigurinë e cilësisë në shkolla dhe këshillim karriere.
Mësuesi në rolin e koordinatorit për sigurimin e cilësisë do të jetë përgjatë gjithë orëve të mësimit i angazhuar sipas një plani ditor, javor dhe mujor për të kryer vlerësime të brendshme të mësuesve sipas departamenteve dhe lëndëve, duke përdorur instrumente vlerësimi të unifikuara.
Ky vlerësim do të realizohet përmes metodave të ndryshme, si biseda ballë për ballë me mësuesit për sfidat dhe teknikat e reja të mësimdhënies. Përmes këtij roli do të krijohet edhe një rrjet mësuesish që do të mbështesin dhe ndihmojnë mësuesit e rinj. Ky proces bazohet në një plan 3-vjeçar trajnimesh, i cili drejtohet nga analiza e zhvilluar nga koordinatori në bashkëpunim me drejtuesit e shkollës dhe departamentet, dhe përfshin veprime konkrete për zhvillimin profesional të mësuesve. Kërkesat për trajnime dhe edukimin në vazhdim do të dërgohen në Agjencinë Kombëtare të Sigurimit të Cilësisë të Arsimit Parauniversitar për t’u realizuar si trajnime të zgjeruara, bazuar në sfidat dhe prioritetet e secilës shkollë.
Kurrikulat
Reformat në arsim vijojnë, së fundmi është njoftuar modernizimi i kurrikulës shkollore për t’iu përshtatur standardeve të reja dhe për të rritur efektivitetin në mësimdhënie. Gjatë këtij muaji do të finalizohet procesi i modernizimit të kornizës kurrikulare, duke sjellë një dokument të ri politikash për përmirësime në lëndët kryesore si gjuha shqipe, matematika, teknologjia, STEM, gjeografia, historia dhe edukimi qytetar, me programe të standardeve ndërkombëtare si Cambridge, Oxford dhe Pearson.