Janë momente të rëndësishme historike kur datat na bashkojnë, por ka edhe asi datash, të cilat na hidhërojnë, madje edhe na hedhin në kujtimin e dhimbjeve dhe plagëve, të cilat në vazhdimësi, kërkojnë sakrifica e shërime, por ja që gjurmët janë, mjerisht të thella, e një date e tillë është edhe ajo e 29 nëntorit. Datë e cila ashtë lidhshmëri e pashkëputur me atë të komunistëve gjakpirës jugosllav, dhe vuajtjet gjysmëshekullore nën atë krijesë, ma së miri i dimë ne shqiptarët jashtë shtetit amë, andaj ky debat domosdoshmërisht, na tërheq edhe neve në brendësitë e saja.
Nostalgjitë e rrejshme
Për të sqaruar më realisht lexuesin shqiptar, vlen të merret në konsideratë fakti që me ardhjen e demokracisë në shtetin amë ( Shqipërinë politike ), në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar, atributet e shtetit të parë shqiptar iu caktuan me të drejtë qeverisë së Vlorës, nën kryesinë e Ismail Qemalit, madje data 4 dhjetor 1912, dita e parë e punës e kësaj qeverie, ka hyrë në analet e historisë të shqiptarëve si dita e themelimit të shtetit shqiptar.
Natyrisht, në këtë rishikim të plotë të historisë dhe për më tepër të simboleve të saj, u angazhua jo vetëm qeverisja demokratike e asaj kohe, por edhe politologë, studiues, historianë, gazetarë, deputetë dhe u paraqitën një varg provash të pakontestueshme, lidhur me krijimin dhe funksionimin e shtetit të parë shqiptar. Të vetmit që e kundërshtuan këtë akt, në vitet 1992 – 1993, ishin një tufë pleqsh nostalgjikë të së keqes së kaluar, të cilët sot e kësaj dite, mbajnë nëpër dollapët e shtëpive të tyre, dekoratat apo urdhrat e çlirimit, me simbolet drapër e çekan, të huazuara prej Moske e Beogradi.
Deri këtu gjithçka shkoi mirë por, me ardhjen në pushtet të bolshevikëve shqiptarë, në vitin 1997, me ndihmën e Beogradit, Athinës dhe grykëve të “Kallashnikovëve”, avangarda e pleqve nostalgjikë, sikur u gjallërua. Në vitet që rrodhën më pas, institucionet e manipuluar të shtetit amë, nën ndrydhjen dhe shtjellën ideologjike të helmatisur, bënë ç’ishte e mundur që miti i rrejshëm i 29 nëntorit, fitores të komunistëve, “të ri ngrihej” përmes gjithfarë veprimtarive antishqiptare, duke anashkaluar apo lënë në harresë të plotë, jo vetëm ngjarje kulmore të tilla, siç janë ngritja e flamurit në Vlorë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, formimi i shtetit të parë shqiptar, por edhe një varg figurash të shquara, që lidhen në mënyrë organike me ngjarjet epokale të kombit tonë.
Sa për ngjarje apo data të tjera, të cilat lidhen me shqiptarët etnikë në Mal të Zi, Kosovë, Iliridë apo Çamëri, as që u tha ndonjë fjalë në këta vjet. Mbi këto ngjarje e burra të shquar, të cilët nuk kursyen as jetën për trojet tanë etnikë, qëllimisht, fatalisht dhe institucionalisht është derdhur vetëm vrerë dhe errësirë. Ndërkaq afrimi i festive të 28 – 29 nëntorit, duket se rigjallëroi shtratin e lumit të debateve “alla-shqiptarçe”. Të parët që u hodhën në ofensive, ishin avangarda e bolshevikëve, e cila kërcënoi deri në referendum, nëse 29 nëntori, nuk do të ishte festë kombëtare për gjithë shqiptarët.
Pas tyre dhe politikanë të cilët ngjiten në shkallët e Kuvendit të Shqipërisë, me votat e 70- 80 vjeçarëve të matufosur, po përpiqen të mbajnë në këmbë simbolet gjakatare, vetëm e vetëm për hirë të karriges, pa çarë kokën, se çfarë qëndron pas atyre miteve, që ideuan dhe mbajtën në këmbë, një prej diktaturave totalitariste, më të egra e gjakatare në krejt Evropën Lindore. Ç’është më e keqja, televizione që në Tiranë kanë marrë liçensa si televizione publikë kombëtare, u bjenë borive të melodive sllave, lidhur me problemin ne fjalë.
E pra në këto momente e shoh të udhës të sqarojmë, disa hamendje e dyshime të cilat, duan apo s’duam ne, lidhen me mite të tilla që për 5 – 6 dekada me radhë, kanë shërbyer jo vetëm si emocion ngazëllues për shqiptarët, por edhe si pika referimi, prej të cilave kanë marrë udhë dhe janë zhvilluar proçese të shumtë social – politikë e, etnologjikë. Dihet tashmë, që Lufta e Dytë Botërore, i ndau shqiptarët në dy kampe. Kampi i parë, ai nacionalistëve, ishte rryma demokratike dhe nacionaliste, e cila përfshiu në vetvete burrat më të shquar të Shqipërisë, brenda dhe jashtë kufijve politikë, në prillin e vitit 1939, atëhere kur pushtimi i vendit tonë prej Italisë fashiste, u bë fakt i kryer.
Vizionet që përfshinë udhëheqjen e këtij kampi, ishin padyshim perëndimore, për faktin se këta, jo vetëm kishin të studiuar dhe jetuar në Itali, Austri, Amerikë, Francë, Gjermani, etj., por edhe se bënin pjesën më të pasur të familjeve shqiptare. E thënë ndryshe, këta ishin pinjollë të familjeve të mëdha shqiptare, në shekujt 19-20-të, çka përbënin ashtin e vetëdijes sonë kombëtare. Ndërsa kampi i shqiptarëve të tjerë (pa dashur t’i fyej aspak), jo vetëm që nuk bënin pjesën në grupin e familjeve të mëdha, por më e keqja ishte, se ishin të ndikuar prej ideologjisë komuniste, e importuar prej sllavëve, me prapavija djallëzore të tyre.
Them më e keqja sepse, që këta të luftonin kundër okupatorit, do të ishte një shembull ideal, por që paskëtaj t’u vërsuleshin për t’i shtypur e zhdukur, krejt vlerat që mbartin familjet e mëdha, kjo ishte tragjedi. Dhe kjo tragjedi nuk vonoi. Në fund nëntorin e vitit 1944, aradhat partizane e lanë ushtrinë gjermane,, të largohej e qetë nga Shqipëria, ndërsa nuk vonuan të organizojnë ekspeditat ndëshkimore të tipit Bolshevik, ndaj ‘borgjezisë”, përndryshe familjeve të mëdha shqiptare, madje edhe ndaj formacioneve ushtarake nacionaliste, siç ishin ato të ‘Ballit Kombëtar’, ‘Lidhjes së Dytë të Prizrenit’ (më pas të NDSH-së), dhe e tërë kjo bëhej, në bashkëpunim të ngushtë me partizanët e çetnikët serbo-sllav.
Dhe si rrjedhojë e këtyre ndëshkimeve ndaj “reaksionarëve”, ishte aq e përgjakur, saqë zgjati deri me nënshtrimin e Kosovës dhe viseve tjera etnike shqiptare, nën ish-Jugosllavinë titiste. Kjo bëri që në 45 vitet e diktaturës komuniste, një pjesë e shqiptarëve, ata që cilësoheshin “fitimtarë”, ta shihnin 29 nëntorin, si simbolin më të madh kombëtar, ndërsa pjesa tjetër, ajo e dhunuara në burgje dhe kampe të tmerrshëm pune, ta shihte si fatkeqësi, nga cila kërkonte të shpëtonte një orë e më parë. Ky handikap në marrëdhëniet e shqiptarëve mes veti, jo vetëm që nuk mund të shërbente si si një festë ngazëlluese, por për më tej, gozhdët e këpucëve në parada ushtarake, aplaudimet frenetike në plenumet komuniste, hapnin plagë të reja, në ndërgjegjen historike të shqiptarëve.
Tradhtia ndaj 28 nëntorit!
Në kushtet e debatit të sotëm, unë do t’u kujtoja lexuesve se; vlen të ndalemi në gjëra thelbësore, doktrinore dhe jo në kujtime veteranësh dhe aq më keq, dokumente të sajuar për 50 vjet me radhë, në bodrume skutash dhe arkivash të ideologjizuara. Kështu, është pranuar tanimë prej të gjithëve ne, se udhëheqja komuniste shqiptare, u shërbente me servilizmin më të madh politik, interesave të Beogradit. Këshilltarët jugosllavë në udhëheqje të komunistëve të Tiranës, vetëm emrin kishin të tillë, pasi të shumtën e kohës, dirigjonin të gjitha veprimet, aksionet dhe aq më shumë strategjinë e udhëheqjes.
Për të mos u zgjatur me këtë çështje, mjafton të përmend faktin se; në arkivat e shtetit shqiptar, ndodhen midis të tjerash, fjalët e Sejfulla Malëshovës, udhëheqës i lartë i komunistëve shqiptarë, i cili thekson midis të tjerash, se; “Miladin Popoviç, ka qenë udhëheqës kryesor i Partisë Komuniste Shqiptare. Kongresi i Përmetit, si dhe krijimi i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, ishin kryer prej tij, pasi Partia jonë: as Komiteti Qendror, nuk e kuptonin kongresin”. (Arkivi Qendror i Shtetit- Tiranë. Fondi 14, Ap.)
Pra, jo vetëm krijimi i Shtabit të Përgjithshëm, por edhe mekanizma e ngjarje të tjera të komunistëve shqiptarë, deri tek Kongresi i Përmetit, ai që vulosi përfundimisht drejtimin e Shqipërisë në kahje të popujve sllavë, mbajnë vulën sllavo – ortodokse. Pa dashur të hyj në imtësira dhe dokumente të tjerë, mendoj të sjellë në këto radhë, një urdhër të Enver Hoxhës, që mban datën 19 nëntor 1944 dhe që gjendet sot, në dosjen e dokumenteve të Shtabit të Përgjithshëm.
Midis të tjerave, këtu thuhet tekstualisht: “Qeveria do të hyjë në Tiranë më 28 nëntor. Duhet të sigurohet qyteti dhe të arrestohen elementët me të vërtetë të dyshimtë. Partia dhe të tjera organizata, të mobilizohen për sigurimin e qytetit, veçanërisht rinia. Qyteti të jetë i pastruar nga shenjat e luftës, rrugët të jenë të hapura. Të sigurohen banimet dhe ushqimet për qeverinë, këshillin, shtetin, rininë, gruan dhe të gjithë personelin e tyre, rreth 250 vetë, përveç 300 vetave të batalionit të Shtabit.
Të rregullohen zyrat. Për 28 nëntor të thirren delegacione nga 10 – 15 veta, nga Durrësi, Kavaja, Shijaku, Elbasani, Peqini, Shkodra, Kruja, Peza, krahinat e Peshkopisë dhe e Kukësit. Për Jugun, lajmërojmë ne. Të thërriten delegatë nga fshatrat afër Tiranës. Të sigurohet buka përgjithësisht në qytet dhe veçanërisht për 28 nëntorin, që të mos bëhen çrregullime atë ditë.
Të organizohet një paradë e madhe për 28 nëntorin, me Brigadën I, IV, VIII, XV. Nëse ndonjëra prej këtyre ndodhet larg, të zëvendësohet. Të organizohen manifestime të mëdha për këtë ditë, ku të marrin pjesë në mënyrë të organizuar, i gjithë populli. T’u jepen udhëzime organizatave të tjera të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut për këtë festë. Ardhja e qeverisë, të mbahet konspirative. Enver”!
Më 28 nëntor 1944, qeveria komuniste hyri triumfalisht në Tiranë, duke u brohoritur nga fshatarët e shumtë të ardhur prej rrethinave, ashtu sikundër jepte porosi të veçanta komandant Enveri. Në fjalën e tij, midis të tjerave, ai e pagëzoi 28 nëntorin, si ditë të çlirimit dhe gjithmonë sipas tij, kjo ditë do të kujtohej plot lavdi, prej shqiptarëve. Gjithashtu këtë ditë, e njoftoi jo vetëm shtypi i Tiranës, por edhe ai në Shkodër e gjetkë. Në arkivat e Shqipërisë ende ruhet sot zëri i spikerit të Radio-Moskës, i cili uronte 28 nëntorin, në emër të gjeneralizmit Stalin, për popullin shqiptar.
Por përse duhej çuar ora e shqiptarëve 24 orë më para?
Ndonëse gjermanët ishin larguar nga Shqipëria, ndonëse shqiptarët iu rikthye normalisht jetës, tani Tirana, duhet të paguante borxhet e pushtetit tek Beogradi. Ishin me mijra vullnetarët e shtetit amë, që dërgoheshin të luftonin kundër gjermanëve, përkrah vëllezërve jugosllavë, kurse vetë “vëllezërit”, bënin kërdinë ndaj shqiptarëve të pafajshëm, në vise të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare.
Udhëheqja e klikës komuniste shqiptare, nëpërmjet emisarëve të Beogradit, po përgatitej të shndërrohej në një shtojcë të sllavëve, për të çuar deri në fund, çdo aventurë të tyre ndaj popullit tonë. Çdo ditë e më shumë, në Beograd dhe Tiranë, krahas marrëdhënieve gjithfarësh, po strukturohej ideja që; edhe shteti amë, pra Shqipëria e cunguar, mund të ishte Republikë më vete, brenda Republikës Federale Jugosllave.
Pikërisht për këtë, duheshin sinkronizuar jo vetëm çështjet institucionale por, edhe simbolet apo mitet. Kështu, në 22 majin e vitit 1945, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, e vetëshpallur si një Presidencë, do të merrte vendimin mbi shpalljen e festave të reja të vendit, ku çuditërisht, do të hiqej fare data 28 nëntorit 1944. Kështu, në Fletoren Zyrtare të datës 16 qershor 1945, midis të tjerave lexojmë:
Vendim nr. 73
Mbi shpalljen e festave zyrtare.
Kryesia e Këshillit Antifashistë Nacional Çlirimtar
Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar në mbledhjen e datës 22 maj 1945 vendosi: Të shpall festa zyrtare:
- Dita 16 shtator – përvjetori i Konferencës së Pezës.
- Dita 10 korrik – festa e Ushtrisë, përvjetori i formimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare.
- Dita 24 maj – përvjetori i Kongresit të Përmetit.
Tiranë, më 22 maj 1945.
Për Kryesinë e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar,
Sekretari; Koço Tashko, Kryetari; Omer Nishani
Ndërkaq më 29 nëntor 1943, ishte mbajtur në ish–Jugosllavi, mbledhja e dytë e AVNOJ dhe përgatitej që 29 nëntori 1945, të shpallej Republika Federale Popullore Jugosllave, nga Asambleja Popullore e vendit. Prandaj, për t’u sinkronizuar vendimet, udhëheqja e Tiranës, nuk pyeti shumë, as për çfarë kishte thënë disa muaj më parë, dhe as për atë se çfarë miqësie po farkëtonte me sllavët, këta armiq shekullorë të viseve arbërorë. Ajo çfarë ndodhi më pas, me buletinet e luftërave, me dokumentet e Partisë Komuniste apo, të Shtabit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar të Shqipërisë, ishin vetëm spekulime ideologjikë e perversë.
Pa hyrë në diskutime e debate pa vlerë, pa u marrë me faktin, se kur ka ikur ushtari i fundit gjerman nga trojet shqiptare ( sepse duhet vlerësuar më parë, çfarë lloj pushtuesi ka qenë ai për kombin tonë), unë e shohë “zjarrin” e ndezur të këtij debate, akoma më thellë. Lufta vëllavrasëse e shqiptarëve në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kërkon ndriçime më të thella, jashtë inateve dhe fanatizmave ideologjike. Asnjëra palë nuk mund të mbetet peng i palës tjetër, e aq më tepër, të kuazihistorianve shqiptarë të cilët, vazhdojnë të dërdëllisin ende sot, pa përdorur forcën e faktit.
Shoqëria e sotme shqiptare, vlen të ndahet saora nga mendësitë komuniste slave, jo thjeshtë për t’u inkuadruar në proçese brenda shqiptare, për vllezërim e bashkim kombëtar, por edhe për të dezinfektuar njëherë e mirë kombin, nga ky “virus” sllav. Veteranët e luftës, partizanët e ndershëm, duhet të distancohen nga 29 nëntori, sepse ata nuk i ka lidhur dhe nuk i lidh asgjë me Beogradin, nuk mund të mbajnë përgjegjësi për udhëheqësit e tyre të dikurshëm.
Këto mite, duhen denoncuar dhe gjykuar thellë, nga studiues e historian shqiptarë, të cilët ndershmërisht punojnë në të mirën e kombit dhe atdheut shqiptar. Me mijëra janë ende sot, varet e martirëve të kombit tonë, të cilët u flijuan për çlirimin e vendit dhe lirinë e kombit, pikërisht nga tradhtitë e së kaluarës. Ndaj 29 nëntori, mbetet në garbiçen e mbeturinave të së kaluarës. /Memorie.al