Zbardhja e vrasjes së biznesmenit, Eduart Reçi nga të dyshuarit vëllezërit Duka, nxori në pah sërish një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare, atë të konflikti për pronat. Korrupsioni, vonesa e proceseve gjyqësore dhe politikat e gabuara për ndarjen e pronave ndër vite kanë krijuar një kaos të vërtetë në shoqërinë tonë.
Sipas statistikave nga 1998 deri më sot, mbi 630 shtetas shqiptar kanë rënë pre e atentateve për pronën, nga të cilët 186 prej tyre, kanë humbur jetë. Pasqyra e kësaj statistike të frikshme, rëndohet më tej nga realiteti i frikshëm që shfaqet nëpër gjykata, ku mbi 12 mijë padi për pronat janë ende në pritje të zgjidhjes.
Problematikat e shumta dhe mungesa e një zgjidhje nga ana e institucioneve dërgon shpesh herë qytetarët të ndërmarrin akte dhune, madje duke shkuar deri në ekstremitete.
Vetëm në 10 muaj të vitit aktual, janë regjistruar të paktën 10 raste konfliktesh për pronën të cilat kanë rezultuar në plagosje dhe vdekje.
Rastet e konflikteve për pronën, shkurt-nëntor 2024:
Më 18 Shkurt 2024, në fshatin Zhamë të Lushnjës, Besnik Dingozi, 33-vjeç qëllohet me armë zjarri për vdekje nga një bashkëfshatar pas një konflikti për pronën.
Më 6 Mars 2024, në fshatin Çukas të Lushnjës, dy vëllezër plagosin njëri tjetrin pas sherrit për pronën. Hazis Musaj 57- vjeç godet me një sopatë vëllanë e tij, Nazif Musaj, 77 vjeç, ndërsa ky i fundit i kundërpërgjigjet duke e plagosur me pistoletë.
Me 24 Prill 2024, në fshatin Shtiqen të Kukësit, 56-vjeçari Emerli Murtati pas një konflikti për motive pronësie, plagos me armë zjarri bashkëfshatarin e tij, Festim Axhami, 46 vjeç.
Më 16 Qershor 2024, ish-deputeti Tom Doshi përfshihet në një konflikt për pronën me familjen e Prek Mollës në fshatin Rrjollë, në Velipojë, duke plagosur 58 vjeçarin Molla.
Më 30 Qershor 2024, në Rrogozhinë, 32-vjeçari Flavio Tafa, plagos me armë zjarri 43-vjeçarin Enis Deda, pas konfliktit për pronën.
Më 25 korrik 2024, në Mamurras, tre kushërinj përfundojnë në spital të plagosur pas një konflikti për pronën. Sahit Ahmetaj, efektiv policie, Adrian Sela dhe Fatos Sela, u plagosën pasi qëlluan ndaj njëri-tjetrit me armë zjarri.
Më 19 Gusht 2024, në Fushë-Milot, tre vëllezërit Murati plagosin pas sherrit për pronën tre vëllezërit me inicialet Y.V., S.V. dhe E.V.. Dy prej tyre të plagosur me sende të forta dhe njëri me armë zjarri.
Më 27 Tetor,2024, në Lezhë, Sokol Boga, dhe djali i tij, Nikolin Boga plagosin me mjetin prerës (kosore) një 47-vjeçar pas konfliktit për pronën.
Më 13 Nëntor 2024, në Tiranë, biznesmeni Eduart Reçi vritet me një plumb në kokë në rrugën “Faik Konica”, pas një konflikti për pronën me vëllezërit Duka, të cilët dyshohen si autorët e kësaj vrasje.
Më 17 Nëntor 2024, në Vlorë, një 41-vjeçar plagos rëndë një 69-vjeçar pas një konflikti për një pronë në lagjen “Uji i Ftohtë”.
Bilanci është i frikshëm; 2 të vrarë dhe 13 të plagosur në harkun kohor të vetëm 10 muajve tregon se konflikti për pronën, vijon të mbetet “gangrena” e shoqërisë tonë. Nga rastet e sipërpërmendura duket qartë se “dashuria” për pronën në shoqërinë tonë, prevalon mbi familje dhe dashurinë për jetën.
Me aq shumë çështje të pazgjidhura në gjykata dhe rastet e shumta të abuzimit dhe korrupsionit me pronat që po zbulohen përditë nga SPAK, duket se jemi shumë larg zgjidhjes së këtij problemin që vijon prej dekadash në Shqipëri!