Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar për dënimin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
Në një postim në facebook, Basha e cilësoi Dakon si një “hajdut të dobishëm” për Edi Ramën, duke akuzuar se ai ka shndërruar Bashkinë e Durrësit në një vatër korrupsioni dhe ka shërbyer për interesa elektorale dhe kriminale.
Ai shkruan se sanksionimi i Dakos nga SHBA dhe dënimi i tij nga GJKKO janë tregues të degradimit të pushtetit të Ramës, por se hetimet duhet të shkojnë më thellë për lidhjet e Dakos me krimin. Ai kërkoi që hetimet për dosjen famëkeqe 339 të vazhdojnë, duke theksuar nevojën për ndarje të politikës nga krimi dhe luftë të fortë kundër korrupsionit.
Reagimi i plotë i Bashës:
Vangjush Dako është një nga hajdutët e dobishëm të Edi Ramës, përmes të cilit e ktheu Bashkinë e Durrësit në një vatër korrupsioni, në shërbim të interesave ekonomike dhe elektorale të pushtetit dhe krimit të organizuar.
Sanksionimi i tij si “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe dënimi nga GJKKO, janë tregues të degradimit të pushtetit të Edi Ramës, i cili ka përdorur Dakon për vjedhjen e zgjedhjeve dhe shkatërrimin e Durrësit, e po ashtu ka qenë një nga mbrojtësit më të ethshëm të ish-kryebashkiakut, duke i krijuar ndër vite një imunitet të paligjshëm.
Vendimi i sotëm i GJKKO është një hap i parë pozitiv, por i pamjaftueshëm. Vangjush Dako duhet të hetohet për lidhjet e tij me krimin dhe përdorimin e pushtetit në funksion të organizatave kriminale në këmbim të votave.
E gjithë bota e ka dëgjuar përmes BILD se si Dako bashkëpunonte me krimin e organizuar për të përfituar vota në Durrës. Dosja famëkeqe 339 nuk mund të harrohet, por duhet t’i shkohet deri në fund hetimeve.
Ndarja e politikës nga krimi dhe lufta kundër korrupsionit janë kusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për një qeveri që i shërben qytetarëve.
Shqipëria meriton më shumë!