Pse po hetohen nga SPAK gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno?

Prokuroria e Posaçme njoftoi caktimin e 21 masave të sigurisë në kuadër të një hetimi ndaj një organizate kriminale, pa dhënë detaje të tjera. Mes personave në hetim edhe një zyrtar i lartë policie, një ish-gjyqtar dhe dy gazetarë.

Nga Edmond Hoxhaj

Gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno u fotografuan pasditen e së hënës teksa hynë në godinën e Prokurorisë së Posaçme në Tiranë dhe dolën gati një orë më vonë me dokumente në duar.

Sipas një njoftimi të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” ndaj dy gazetarëve si dhe masa më të rënda sigurie ndaj 19 personave të tjerë, mes të cilëve anëtarë të një organizate kriminale, një zyrtar i lartë policie, një ish-gjyqtar dhe një avokat.

SPAK nuk sqaroi arsyet e hetimit ndaj dy gazetarëve dhe personave të tjerë, ndërsa deklaroi se të dhënat do t’i publikojë të martën.

“Me qëllim ruajtjen e integritetit të këtij operacioni, Prokuroria e Posaçme do të publikojë më shumë të dhëna rreth këtij hetimi ditën e nesërme,” tha SPAK në njoftim.

Gazetarët Hoxha dhe Qyno nuk ishin të arritshëm për koment. Përfaqësuesi ligjor i Qynos, Dorian Matlija tha se nuk mund të komentonte, pasi nuk ishte njohur ende me vendimin e caktimit të masës së sigurisë.

Gjatë dy viteve të fundit, Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë disa operacione kundër krimit të organizuar mbi bazën e një sasie të madhe komunikimesh të siguruara nga deshifrimi i aplikacionit Sky ECC.

SPAK bëri me dije se edhe operacioni i fundit ishte ndërmarrë në kuadër të një hetimi të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare dhe se ishte mbështetir nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane./BIRN

Artikulli paraprakBasha: Dënimi i Dakos fillim i mirë, por i pamjaftueshëm, duhet të hetohet për lidhjet me krimin e organizuar
Artikulli tjetërI arrestuar si truri financiar i organizatës së Suel Çelës, kompania e Bujar Shegës kontrollon tenderat e pastrimit në Elbasan, Peqin dhe Berat