Kërcënimi më i madh i paraqitur nga lëvizjet totalitare është shkatërrimi i sferës publike, çrrënjosja e arenës ku individët përfshihen në diskurs dhe veprim politik kuptimplotë.
Ky dokument është Akti i Pavarësisë së Shqipërisë, dokumenti që bashkon firmat e burrave të shquar, të cilët më 28 Nëntor 1912 guxuan të shpallnin lirinë dhe sovranitetin tonë. Ky akt është themeli i kombit shqiptar, por mbi të qëndrojnë fatet tragjike të shumë prej atyre që i dhanë Shqipërisë identitetin e kombit.
Firmëtarët e Pavarësisë nënshkruan lirinë por përjetuan dhunën dhe persekutimin më të egër. Madje, edhe ata që kishin ndërruar jetë para vendosjes së regjimit, familjet dhe pasardhësit e tyre pësuan rëndë; disa u vranë, të tjerë u internuan, ndërsa një pjesë u zhdukën nga kujtesa historike për shkak të propagandës komuniste.
Fatet tragjike të disa firmëtarëve dhe pasardhësve të tyre:
Shefqet Daiu, delegat i Elbasanit dhe autor i Deklaratës së Pavarësisë, u burgos, torturua dhe u ekzekutua nga regjimi komunist në vitin 1946.
Lef Nosi, ruajtësi i Aktit të Pavarësisë, u pushkatua më 20 shkurt 1946.
Qazim Kokoshi, firmëtar i Vlorës, që i mbijetoi Gestapos, vdiq nga torturat në hetuesinë komuniste në vitin 1947.
Sami Vrioni, një tjetër firmëtar, u burgos dhe vdiq në burg në vitin 1947.
Bedri Pejani, arrestuar nga regjimi shqiptar dhe i dorëzuar serbëve, u pushkatua në vitin 1948.
Zini Abaz Kanina, i burgosur në vitin 1951, torturuar për një vit dhe dënuar me burg, vdiq menjëherë pas lirimit.
Aristidh Ruçi, arrestuar si tregtar i madh, u la në varfëri të skajshme pas lirimit nga burgu. Vdiq më 11 prill 1950, ndërsa shtypi i kohës e la vdekjen e tij në hije.
Ferit Bej Vokopola, i burgosur nga regjimi, përktheu Kur’anin dhe iu përkushtua punës intelektuale pas lirimit. Ai vdiq në vitin 1969, duke vuajtur nga përbuzja dhe mjediset represive të kohës.
Të internuar dhe të detyruar të emigrojnë
Disa figura të tjera si Dervish Biçaku, Dhimitër Berati, Eqerem Bej Vlora, Mustafa Kruja, Mit’hat Frashëri dhe Rexhep Mitrovica u detyruan të emigronin për t’i shpëtuar persekutimit. Ata u shpallën “kriminelë lufte” nga regjimi, pavarësisht kontributit të tyre të jashtëzakonshëm në ndërtimin e shtetit shqiptar.
Siç paralajmërojnë studiuesit e totalitarizmave, regjimet shtypëse jo vetëm që shkatërrojnë jetët e individëve, por edhe synojnë të zhdukin kujtesën dhe kontributin e tyre. Ky akt, megjithatë, qëndron si një dëshmi e pavdekësisë së firmëtarëve të Pavarësisë dhe një thirrje për të kujtuar sakrificën e tyre.