Ca gazetarë i “paguan” krimi, ca gazetarë kërkon t’i “vrasë” krimi… Quo vadis Shqipëria?

Nga Rigels Seliman

Në çdo shoqëri demokratike, gazetarët janë mbikëqyrës të pushtetit dhe mbrojtës të interesave të qytetarëve. Ata kanë përgjegjësinë e madhe për të raportuar të vërtetën, duke ndihmuar kështu formimin e një opinioni të informuar dhe të drejtë. Por çfarë ndodh kur ky mision i shenjtë përdoret si mjet për të manipuluar dhe mbështetur interesa kriminale? Ky është realiteti i errët që shfaqet nga operacioni i fundit i SPAK ndaj një grupi kriminal në Elbasan, ku dy gazetarë të njohur, sipas Prokurorisë së Posaçme, dyshohet se janë paguar nga krimi për të krijuar perceptime të rreme, duke i shërbyer kështu interesave të një organizate kriminale. Ky rast është alarmi më i fortë për një fenomen që nuk mund të kalojë pa u vënë re dhe që kërkon një reflektim të thellë: Quo vadis Shqipëria?

Përmes një strategjie të rafinuar dhe të pa skrupullt, kreu i bandës së Elbasanit, dyshohet se, ka manipuluar informacionin dhe ka përdorur mediat për të dëmtuar rivalët e tij politikë dhe për të krijuar një perceptim të rremë të paprekshmërisë për ata. Ky është një skenar ku krimi dhe media bashkëveprojnë për të kontrolluar dhe deformuar realitetin, duke shfrytëzuar shpërndarjen e informacionit për të shtypur të vërtetën dhe për të mbështetur një agjendë të errët dhe të paligjshme. Gazetarët që kanë bashkëpunuar me këtë grup kriminal, dyshohet se, kanë mbajtur qëndrime të njëanshme, duke manipuluar publikun dhe duke e ngatërruar atë në një labirint gënjeshtrash dhe lajmesh të rreme.

Ky operacion i SPAK ka nxjerrë në pah një formë të re të lidhjeve mes medias dhe krimit të organizuar, një fenomen që është një kërcënim serioz për demokracinë dhe funksionimin e drejtësisë në Shqipëri. Kur gazetarët bëhen “vegla” të krimit, ata nuk janë vetëm shkelës të etikës profesionale, por edhe tradhëtorë të shoqërisë. Ata që dikur mbanin peshën e së vërtetës në duar, tani përdoren për të shpërndarë gënjeshtra që ndihmojnë për të mbrojtur krimin dhe për të minuar stabilitetin e shtetit ligjor.

Një tjetër aspekt i këtij skandali është lidhja mes korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe veprimeve kriminale. Sipas dosjes hetimore, një ish-gjyqtare, e arrestuar në kuadër të operacionit, dyshohet se ka porositur një atentat ndaj gazetarit Saimir Kodra (eleminimin fizik të gazetarit Kodra), për shkak të denoncimeve të tij për lidhjet e saj me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ky akt është një tjetër alarm i fortë për sistemin e drejtësisë, ku individë të korruptuar përdorin pushtetin e tyre për të goditur ata që janë të gatshëm të zbulojnë të vërtetën. Ky është një shembull tragjik i asaj që mund të ndodhë kur një shoqëri lejon që politikanët, kriminelët dhe ata që duhet të mbrojnë ligjin të shfrytëzojnë dhe manipulojnë institucionet për interesat e tyre personale.

Ky rast është një thirrje e fuqishme për çdo shqiptar, për çdo qytetar që beson te demokracia, te liria e fjalës dhe te drejtësia. Shqipëria ka hyrë në një fazë të rrezikshme, ku jo vetëm që krimi dhe korrupsioni janë të pranishëm, por ata kanë hyrë në një lidhje të drejtpërdrejtë me median dhe sistemin e drejtësisë. Ky fenomen është një kërcënim i madh për të ardhmen e vendit. Nëse ky trend vazhdon, Shqipëria mund të shkojë drejt një erëze të re, ku të vërtetën nuk do ta mësojmë kurrë dhe ku drejtësia do të jetë një iluzion i shuar.

Kjo është një situatë që kërkon një reagim të shpejtë dhe të vendosur. Institucionet që luftojnë kundër krimit dhe korrupsionit duhet të mbështeten dhe të forcohen, ndërsa mediat duhet të rifitojnë rolin e tyre të vërtetë dhe të patundur si mbikëqyrës të pushtetit dhe mbrojtës të interesave të qytetarëve. Kërkohet një reformë e thellë dhe e pandalshme në media dhe në sistemin e drejtësisë, që të bëjnë të mundur që Shqipëria të ecë përpara në rrugën e zhvillimit, pa u penguar nga krimi dhe korrupsioni.

Përndryshe, nëse nuk veprohet, do të na mbetet vetëm një pyetje: Quo vadis Shqipëria? Ku po shkon ky vend, kur gazetaria dhe drejtësia janë shndërruar në vegla të manipulimit dhe shkatërrimit të së vërtetës për interesa të krimit të organizuar?

Artikulli paraprakMiratohet sot Komisionin e ri! Analiza e DW: Gati kthesa politike djathtas në Parlamentin Evropian? Gjatë votimit mund të ndodhin surpriza
Artikulli tjetërEMRAT- SPAK çon për gjykim Plarent Ndrecën dhe 15 ish zyrtarë të institucioneve shtetërore! Si abuzuan me tenderat e ndërtimit të Komisariateve të Policisë