Lirimi i Berishës, Lapardhaja: Do të inkurajojë votën kundër tij, gara elektorale bëhet më e lehtë për Ramën

Lirimi i Sali Berishës është sipas analistit Namir Lapardhaja mundësi e shtuar për fitoren e zgjedhjeve nga socialistët. Në studion e MCN TV, Lapardhaja tha se rikthimi i Berishës në fushën e lojës politike favorizon Ramën. Sipas tij, Berisha është shkaku pse sot Partia Demokratike është e përçarë.

“Berisha edhe kur nuk ishte i lirë, ishte në ekrane 24 orë. Ai zotëron minutazhin më të lartë të kohës mediatike. Ashtu siç e përmenda edhe më parë, ai do të inkurajojë votën anti-Berishë.

Berisha është shkaku kryesor pse sot opozita është e përçarë. Në tre vite, sot jemi më keq se tre vite më parë. Demokratët janë më të dekurajuar se 3 vite më parë. Me Berishën në fushën e lojës politike, Rama e ka më të lehtë garën elektorale.”

Lapardhaja tha më tej se lirimi i Berishës duhet parë thjesht si revokimi i një mase të vënë një vit më parë, ndërsa për demokratët që e kanë kthyer në kauzë këtë çështje është thjesht humbje kohe.

“Për Sali Berishën nuk ka ndryshuar asgjë. Thjesht është hequr një masë. Ka kaluar një vit kohë, i hedhur dëm, për t’u kthyer në pikën fillestare. Nëse Berisha do të kishte zbatuar vendimin e parë të gjykatës, ndaj tij nuk do të kishte ardhur masa e arrestit shtëpiak.

Çështja ndaj tij ka shkuar për gjykim, ndaj masa e arrestit shtëpiak mund të rrëzohej lehtësisht siç bëri. GJKKO nuk ka bërë asgjë veçse ka revokuar një vendim të një viti më parë.

Berisha e trajtoi si një vendim të çështjes së tij. Por ky vendim nuk ka të bëjë as me fajësinë, as me pafajësinë e tij. Pra 330 e ca ditë që mbështetësit i kanë ardhur Sali Berishës, mund të ishte respektuar detyrimi i paraqitjes dhe nuk do të kishim ardhur në këtë pikë.

Sulmi ndaj SPAK dhe GJKKO është një sulm që nuk ka ngjyra politike. Janë të dyja kahet e politikës ato që e kanë trysnuar dhe vendosur përballë sistemin e drejtësisë. Unë mendoj që ky vendim favorizon Edi Ramën, sepse në të gjitha variantet, të qenit e Sali Berishës në fushën e lojës me kohë të plotë do të inkurajojë votën ndaj tij.”

Artikulli paraprakGjykata e “Ramës” apo gjykata e pavarur e liroi shtetasin Berisha?
Artikulli tjetërDenoncimi i Mirela Karabinës: Shkolla “Edith Durham” shembet në mesin e viti shkollor!