Hyka, zgjedh “ëndrrën” amerikane

Diell, det dhe dollarë. E ardhmja për Jahmir Hykën do të bëhet 3D. Mesfushori i kombëtares ka zgjedhur se ku do të vazhdojë karrierën dhe janë pikërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë bërë për vete 28-vjeçarin, më saktësisht skuadra e San Jose Earthquakes me të cilën Hyka firmosi një kontratë 3-vjeçare. Vlera e transferimit të tij nga Luzerna në San Jose është rreth 125.000 $, ndërsa vetë Hyka do të përfitojë një page prej 500.000 dollarësh në sezon, plus bonuset, shtëpi, makinë dhe shumë përfitime të tjera dytësore që vijnë nga nënshkrimi i kësaj kontrate. Hyka pritet të ketë një rol prej protagonisti në skuadër dhe nga klubi i tij shihet si përforcimi kryesor në këtë merkato dhe me këtë blerje nga San Jose është bërë një ndër 3 më të paguarit e këtij klubi. Me ekipin e ri, Hyka pritet të mbajë fanellën me numrin 10.
Për t’u bërë pjesë e ëndrrës amerikane, ai refuzoi oferta konkrete prej Alaniaspor, Bursaspor e Koniaspor nga kampionati turk, Ferencvaros në Hungari dhe një ofertë prej 700.000 $ në sezon nga skuadra e kampionatit kinez Henan Jianye. Sezonin e shkuar San Jose zuri vendin e 9-të në konferencën e perëndimit nga 10 skuadra, duke bërë një kampionat jo shumë të mirë. Qyteti i San Jose gjendet në bregun e Kalifornisë dhe mbi 300 ditë të vitit janë ditë me diell si dhe ka një largësi prej 50 km nga bregdeti. Prezantimi i tij pritet të bëhet pas rreth 20 ditësh, kur Hyka t’i bashkohet skuadrës së re për të nisur përgatitjet për sezonin e ri që starton më 5 mars.

Artikulli paraprakJuve në çerekfinale të Kupës së Italisë
Artikulli tjetërAstana prezanton Azdren Llullakun