Nga Elira Kadriu
Për të tretën herë Ministria e Arsimit ishte pikësynimi për protestën e radhës në shenjë revolte ndaj vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani.
Sërish u kërkua dorëheqja e ministres, Ogerta Manastirliu, shtim të oficerëve të sigurisë dhe rritje e numrit të psikologëve në shkolla.
“Të kenë kurajon, duke filluar nga Ministria e Arsimit, drejtoritë arsimore, drejtori i shkollës dhe mësuesit që të reagojnë!” tha gjatë protestës Dile Cara.
Fillimisht protestuesit u mblodhën përpara shkollës “Fan Noli” dhe marshuan deri përpara Ministrisë së Arsimit. Një protestë e ngjashme kjo me atë që u zhvillua të enjten e 21 nëntorit.
Gjatë marshimit ata ju drejtuan qytetarëve që të çohen nga kafja dhe ti bashkohen protestës.
“Falë këmbënguljes suaj sot ka një rihetim të çështjes! Ka shumë që protestën e gjykojnë nga bar-kafetë apo nga kolltukët e tyre, por ja që sot qytetarët e kanë fituar betejën e vogël,” theksoi Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare”.
Protestuesit kërkuan shtim të vëmendjes së lëndës së “Edukatës Qytetare” gjatë orëve mësimore, por edhe zgjatje të orarit të shkollave publike.
“Shkollat mbarojnë në orën 12.00 ndërkohë që puna mbaron në orën 16.00. Çfarë të bëjnë ata prindër? Ne kërkojmë që shkolla publike të zgjasë oraret!”përfundoi Ermelinda Hoxhaj.
Si ndodhi ngjarja dhe çfarë thonë autoritetet
Martin Cani humbi jetën më 18 nëntor pasi u godit me thikë gjatë një sherri mes moshatarësh në një rrugicë pranë shkollës 9-vjeçare ku i plagosur rëndë mbeti edhe shoku i tij, L.M.
Ministria e Brendshme dhe Ministria e Arsimit vonuan të jepnin reagime sqaruese për ngjarjen, teksa ministrja Ogerta Manastirliu në një koment gjatë seancës parlamentare të buxhetit, u përpoq të shmangte përgjegjësitë duke u shprehur se “ngjarja ndodhi jashtë mjediseve të shkollës”.
Policia akuzoi M.P, 14 vjeç, për “vrasje me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Megjithatë, Prokuroria e rikualifikoi akuzën në “vrasje në rrethana cilësuese”, që parashikon dënim deri në burgim të përjetshëm.
Në media u raportua për një tjetër të mitur që dyshohet se mori pjesë në ngjarje, version që u mbështet nga babai i L.M, ndërkohë që ky i fundit në një intervistë nga spitali është shprehur se është goditur nga dy thika të ndryshme dhe se në ngjarje u përfshinë të paktën tre persona.
Protestat dhe vëmendja e shtuar publike bëri që familja e të miturit të dytë të përmendur në media t’i drejtohej autoriteteve duke bashkëpunuar me hetuesit. Versioni i përcjellë prokurorëve është se K.B ka ndërhyrë në sherr për t’i ndarë dhe nuk ka goditur.
Ende nuk dihet se kush është personi i tretë, i përshkruar nga L.M të jetë në moshë madhore./ Citizens.al