Vazhdon rënia, Shqipëria jashtë 50 vendeve të para

Kombëtarja shqiptare humbet dy poziticione në renditjen e përmuajshme të FIFA-s. Nga vendi i 49-të, kuqezinjtë  kanë rrëshkitur në të 51-in, edhe pse nuk kanë patur qoftë një ndeshje gjatë muajit dhjetor, sikurse të gjitha përfaqësueset europiane. Klasifikimi i ri i FIFA-s për kombëtaret ka dekretuar rënien e Shqipërisë, e cila pas rreth një viti e gjysmë e sheh përsëri veten jashtë 50 ekipeve më të mira në këtë renditje. Sipas përllogaritjeve të fundit, kuqezinjtë e De Biazit kanë humbur dy pozicione gjatë muajit të fundit, duke kaluar nga vendi i 49-të, në atë të 51-të, për të konfirmuar se rrugëtimi i Shqipërisë është në një pikë kritike. Së shpejti, Kombëtarja parashikohet të humbë pozicione të tjera, pasi do të kalohet nga disa vende afrikane që luajnë në Kupën e Kombeve gjatë muajit janar dhe fillimit të shkurtit.
Për sa i përket renditjes së zonës UEFA, Shqipëria tani është e 28-a, ndërsa rivalet e saj në grupin e eliminatoreve të Botërorit 2018 nuk kanë ndryshuar pozicione, me përjashtim të Lihtenshtejnit. Kështu Spanja mban vendin e 10 në renditjen botërore, Itali vendin e 16, Izraeli vendin e 55-të, Maqedonia vendin e 162-të, ndërsa Lihtenshtejni ka fituar një pozicion, duke qenë tashmë i 188-i.
Ndërkohë, edhe përfaqësuesja e Kosovës ka humbur një pozicion në renditjen e muajit janar, duke qenë tanimë në vendin e 166-të në botë. Për sa i përket majës së klasifikimit, renditja e FIFA-s kryesohet nga Argjentina, e ndjekur nga Brazili dhe Gjermania.

Artikulli paraprakMiratohet projekti për rinovimin e “Stamford Bridge”
Artikulli tjetërMorati i lumtur!