Gjatë presidencës së tij, afroi shumë pak lojtarë të kombësisë italiane, por tani nënkupton se ka gabuar. Masimo Morati, kur u pyet dje për afrimin e Galjardinit, tha se ishte i kënaqur me këtë lëvizje të pasardhësve të tij për faktin se afruan një talent vendas. “Jam shumë i lumtur, pasi kemi të bëjmë me një lojtar italian. Tani ai duhet që të tregojë se është në lartësinë e Interit”, ishin fjalët e para të Masimo Moratit. Mendoj se ishte e nevojshme ardhja e tij. Freskia dhe vizioni i lojës i Galjardinit do të jetë një plus i madh për Interin”, vazhdoi Morati.
Mendim pozitiv për 22-vjeçarin kishte edhe një tjetër legjendë e Interit. “Mendoj se me atë në ekip Interi do të ketë më shumë shanse që të kapë Ligën e Kampioneve. Për Galjardinin ky është një hap i madh në karrierë, pasi vjen në një realitet të ri. Jam i bindur në këtë transferim, pasi është kërkuar prej të dyja palëve”.
Galjardini do t’i kushtojë Interit rreth 25 milionë euro (pa bonuset). Lojtari është transferuar në Milano me formulën e huazimit me detyrim blerje. Zikaltrit do të paguajnë menjëherë 2 milionë euro për huazimin e tij 2-vjeçar më pas deri më 20 qershor të 2018-ës do të kalojnë edhe 23 milionë euro të tjerë për kartonin e lojtarit. Sa i përket kontratës që ka lidhur Interi me mesfushorin, mësohet se akordi do të jetë 5-vjeçar. Galjardini do të përfitojë 1.5 milionë euro në vit (shumë që vjen në rritje me kalimin e sezoneve).
Galjardini pritet që të mbajë mbi supe fanellën me numrin 5 (do ta lërë të lirë Felipe Melo) ose atë me numrin e vitit të lindjes të tij, ’94. Dëshira e tij ishte që të merrte numrin 4, por ajo shifër është e paprekshme, pasi Interi e ka tërhequr në shenjë respekti ndaj Havier Zanetit.
Menaxheri i Galjardinit zbuloi dje se, klienti i tij kishte hedhur poshtë oferta të rëndësishme për Interin. “Më duhet të pranoj se së fundmi jam kontaktuar me disa skuadra. Njëra prej tyre ka qenë edhe Juventusi. Por atij i pëlqeu projekti i Interit. Kur i thashë se kishte ardhur dita për të firmosur, ai ishte rrugës për në Torino. Zbriti nga autobusi i Atalantës në mes të rrugës”, zbuloi Rizo.“Jam krenar që vesh fanellën e një klubi të madh si Interi. Shpresoj që të gëzoj tifozët ashtu siç ata më gëzuan sot (dje) mua me pritjen e rezervuar. Pranova ofertën e Interit prej Tohirit dhe ‘Suning’”, tha Galjardini.