Bajrami për rekord, fanella i shitet në ankand për shifrën e majme

Sa do të paguanit për të pasur një fanellë origjinale nga ndeshje e lojtarëve të Kombëtares shqiptare? Për një tifoz, të ketë bluzën në shtëpi të futbollistit të preferuar, padyshim që është diçka speciale, por prej disa kohësh, njerëz nga e gjithë bota, mund të futen në faqen “matchëornshirt” dhe të sigurojnë një fanellë.

Diçka e tillë ka ndodhur me Nedim Bajramin, ku uniforma që sulmuesi i krahut ka veshur në ndeshjen me Italinë në Europian, është shitur për 6221 dollarë. Një rekord kur sheh në total të gjitha bluzat e lojtarëve të Kombëtares. Jo më kot, pasi Bajrami ishte autori i atij goli që në sekondat e para të ndeshjes që do të mbetet gjatë në memorien e tifozëve kuqezi. Fanella e dytë e shitur më e shtrenjtë në ndeshjen me Italinë është ajo e Armando Brojës, 887 dollarë.

Ndërkohë në barazimin 2-2 me Kroacinë, dy bluzat që kanë dalë në ankand dhe është ofruar më shumë janë ato të Klaus Gjasulës dhe Qazim Laçit, dy autorët e golave. Sa i përket ndeshjeve në Ligën e Kombeve, është Bajrami ai që mban rekord sërish pasi fanella e tij është ajo për të cilën ofrohet më shumë. Në përballjen me Çekinë jashtë fushe, vendin e parë e mban Jasir Asani, ndërsa në shtëpi është fanella e Kristjan Asllanit ajo që është shitur më shtrenjtë.

Për të mbërritur në takimin e fundit që Kombëtarja shqiptare luajti në Ligën e Kombeve, atë humbje me Ukrainën, është sërish Nedim Bajrami, fanella me numrin 10 që ka kapur vlerën 226 dollarë, teksa për këtë ankand ka afat edhe 24 orë. Kompania “matchëornshirt” ka një eksperiencë të madhe në rang global dhe bashkëpunim të hershëm me federatat dhe klubet më të mëdha në botë në drejtim të përgjegjësisë sociale, duke organizuar ankande me fanellat e lojës së lojtarëve dhe duke siguruar fonde që shkojnë për të ndihmuar shtresat në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuara kudo në botë.

Artikulli paraprakAtlasi i qelizave të trupit të njeriut/ Imazhet mahnitshme që mund të ngatërrohen me vepra arti
Artikulli tjetërRënia e Olaf Scholz, një paralajmërim ogurzi për partitë e majta kudo në Evropë