Nga Gentian Gaba
Kundër-Reforma, ishte reagimi ndaj ndryshimeve të sjella nga Reforma Protestante, që sfidoi Kishën Katolike dhe praktikën e saj të korruptuar të kohës, e cila shpërtheu nën udhëheqjen e Martin Luterit dhe reformatorëve të tjerë. Atëbotë, qëllimi kryesor i Kundër-Reformës ishte të ripërtërinte autoritetin e Kishës Katolike dhe të ndalonte përhapjen e protestantizmit, që filloi në territorin e Perandorisë së Shenjtë Romake me shpalljen e 95 tezave më 1517. Por ndryshimet e thella që Reforma kishte sjellë ishin të pakthyeshme dhe cënuan njëkohësisht autoritetin e Papës dhe unitetin e Perandorisë.
Ky kthimi tek fillimi i fundit i Perandorisë së Shenjtë Romake, që për Volterin nuk ishte as e shenjtë, as perandori dhe as romake, për të analizuar një ngjarje të shkurtër në kohë relativisht të vogël, si Reforma në Drejtësi në një kënd periferik të botës, mund të cilësohet si një shtrirje e tepërt dhe e guximshme e fantazisë. Megjithatë, ndonëse historia nuk përsëritet por zakonisht bën rimë, analogjia me një kontekst të ndryshuar nga evoluimi i qendrave të pushtetit, dalja në sipërfaqe e qendrave të reja të rëndesës dhe përpjekja për balancim, prodhon aksione dhe reaksione, që mund të gjejnë pika takimi, apo të jenë paralele, në dinamikat e ndryshimit dhe rezistencës.
Ashtu si Reforma Protestantem, që sfidoi një sistem të rrënjosur dhe krijoi një rrugë për ndryshim pavarësisht rezistencës, në Shqipëri, Reforma në Drejtësi, në veçanti SPAK-u dhe GJKKO-ja, është përpjekja për të transformuar sistemin e kapur nga interesat e elitave të vjetra. Në të dyja rastet, ndryshimi është shoqëruar me përplasje të forta, por që gjithashtu, ka hapur mundësi të reja.
Dhe të vijmë tek Kundër-Reforma që po ravijëzohet në peizazhin tonë politik. Dy nga aktorët më të vjetër, në dukje të ndryshëm por në interesa të ngjashëm, po artikulojnë në unison qëllimin e tyre politik, të rivendosjes së një ekuilibri të ri me drejtësinë, – pasi kjo e fundit, posaçërisht SPAK-u, ka prishur ekuilibrin e pandëshkueshmërisë të vendosur në 34 vite, – nën refrenin e operës komike të Mozartit, “cosi fan tutte”- (kështu bëjnë të gjitha), në rastin tonë, kështu bëjnë të gjithë, korrupsionin.
Propozimi i kryeministrit Rama është materializuar përmes “Komisionit Xhafaj”, qëllimi publik i të cilit shfaqet si me terma alla “Miss Bota”, pa qenë e përhershme, përkthyer: “Për integrimin europian.” Por, duke ndjekur me vëmendje reagimet e SHBA-së dhe BE-së, të cilët kur u pyetën për Komisionin “Anti-korrupsion”, flasin për pakthyeshmëri të reformës, duke nënkuptuar se ka diçka në këtë iniciativë që i shqetëson promotorët dhe kontributorët në të holla, për Reformën.
Po ashtu, duke patur parasysh dezertimet në masë të institucioneve të drejtësisë, refuzim ky i inkurajuar me syshkelje partnerësh ndërkombëtarë, dhe njëkohësisht duke e parë si përçmuese përgjigjen e Altin Dumanit, për të mos komentuar çuarjen e njerëzve të BKH-së, – të drejtuar nga ish- zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Policisë të emëruar nga kjo mazhorancë, tek ky komision.
Njëkohësisht duke mos i nënvlerësuar shqetësimet e aktorëve shoqëror dhe politik, që po i bien kambanave të alarmit për kanosjen e Reformës, nuk mund të mos shohim tek kjo nismë një përpjekje reaksionare, ndaj efekteve që ajo ka prodhuar, në kopshtin e pasur dhe të mbipushtetshëm të mazhorancës, që është ai ku frutat që janë ngrënë pas krahëve po treten pas hekurave.
Vetë Edi Rama, ka vendosur një fytyrë pokeri kur bëhet fjalë për Reformën. Ndonëse reforma e gjeti në teshat e një kleriku katolik të shekullit të XVI, që shet indulgjenca, ai sillet sikur të ishte Martin Luteri i rilindur, dhe i rreh gjoksit me forcë për autorësinë e saj. Gjithsesi ndjekësit e vëmendshëm të politikës, nuk mund të injorojnë faktin se nga goja e tij, kemi dëgjuar se, “Shqipëria nuk mund të jetë Republikë prokurorësh”, apo tek fshikullon SPAK-un kur heton “investitorët strategjikë” dhe po ashtu të anatemojë veprimtarinë e BKH-së që të mos nxisë institucionet të referojnë korrupsionin (sipas SPAK numri është në rënie), apo të mos i japë mbështetjen financiare që kërkon Prokuroria e Posaçme, dhe, dulcis in fundo, t’i tregojë amerikanëve, që janë promotorët e drejtësisë së re, “Noc Rrokun”, teksa bashkë me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, janë duke festuar, të shumtë në numër, suksesin e reformës në burgjet shqiptare, shumica dërrmuese e të cilëve janë akuzuar për afera që kryeministri i ka mbrojtur publikisht dhe në disa raste edhe ka firmosur, si inceneratori i Elbasanit.
E nëse Athina qan, Sparta nuk qesh. Përballë tij, Edi Rama ka mbajtur “kundërshtarin” e tij të vjetër politik, Sali Berishën. Përmbledhja e armiqësisë së tij me SPAK-un nuk është e nevojshme, pasi janë gjëra të ditura, Urbi et Orbi: Organizatë kriminale; SKAP i partisë; Mercenarë; Kriminelë, etj, etj. Ashtu si Rama, edhe Berisha ka dalë me një kundër-propozim për Reformën në Drejtësi. Projekti i tij ka një emërtim thuajse orwellian, “Komisioni i së Vërtetës”. Qëllimi i deklaruar i Berishës është zhbërja e Reformës.
Pra, dy aktorët më jetëgjatë të politikës shqiptare, njerëzit që e kanë nisur karrierën shekullin e shkuar, po shkojnë në zgjedhjet e ardhshme politike me një propozim të qartë kundër Reformës në Drejtësi. Askush nuk mund të miratojë pa tjetrin planin, që kanë hedhur për konsum publik, aq më tepër, që Reforma aktuale u votua me 140 vota dhe gëzon mbështetje të gjerë publike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Por regjimi i vjetër nuk duket i dorëzur, madje kanë bërë edhe prova gjenerale për të arritur të Kundër-Reforma e tyre.
Nuk është as shkencë, as konspiracion, por ngushtimi i hapësirës jetike të Ramës dhe Berishës, që janë tashmë në të njëjtin cep nga i cili duhet të zgjedhin nëse, do të bien njëri pas tjetrit, apo do të dalin bashkarisht duke përdorur mjetet e fuqishme ekonomike, mediatike dhe politike që kanë, për të imponuar rikthimin e ekuilibrit, që vetë politika prishi, për shkak të grykësisë dhe mbipushtetit të akumuluar padrejtësisht në 34 vite, në kurriz të drejtësisë dhe shoqërisë shqiptare.
Është një operacion me laps dhe letër, i programuar dhe zbatuar me durimin me të cilin merimangat thurin rrjetat e tyre.
Dhe, për të mos e zgjatur shumë shkrimin, sepse silueta e përfundimeve është bërë tashmë e kuptueshme, ngjarjet po i përmbledh në mënyrë telegrafike: Berisha shpallet non grata, Rama sheh tek fati i Berishës, të ardhmen e tij; Rama mbështet kthimin e Berishës, për të penguar reformimin e PD-së me mbështetje të SHBA-së,- që nga logjika dialektike do të kulmonte me largimin e tij; Pas zgjedhjeve të 14 majit dhe kthimit të Bashës, Rama pengon riorganizimin e grupit parlamentar të PD-së sipas ndryshimeve statutore, me qëllim pështjellimin e krizës në opozitë, të fryrë edhe nga mediat që tradicionalisht mbështesin kryeministrin; Rama dhe Berisha nisin një krizë artificiale për komisionet parlamentare, e cila filloi me mosrespektimin e qëllimshëm të Kushtetës nga kryeministri, për të nxitur një polarizim të rremë në parlament dhe për të diktuar Berishën si interlokutor të pashmangshëm, me të cilin duhej diskutuar për të ulur tensionet e nisura enkas nga Rama; Krijimi i këtij realiteti nga ana e Ramës, legjitimoi Berishën dhe i hapi rrugë, shkatërrimit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, ku PD-ja zyrtare, kishte të paktën tre kërkesa jo komode për kryeministrin: Lista të hapura; Shqipëria – Një zonë elektorale; Votim dhe numërin elektronik; Nga ky moment nis hëna e mjaltit mes palëve, të cilat bashkohen për të votuar amnistinë, në të cilën bëhen pjesë zyrtarë të dënuar nga GJKKO-ja, – ndryshe nga sa kishin deklaruar publikisht të dyja palët, për të cilën raport progresi i Komisionit Europian u shpreh se, ishte cënim i punës së SPAK-ut; Amnistia u ndoq nga përgatitja për të mbajtur të paprekur arkitekturën e sistemit zgjedhor të ndërtuar në 2008-ën nga Rama dhe Berisha, me lista që jo vetëm mbyllen, por bëhen të paprekshme në pjesën kryesore, ku qytetarët nuk kanë të drejtë të zgjedhin asnjë emër, por duhet të gëlltisin listën e zezë të partisë; Kjo hënë-mjalti, kulmoi me dhënien e vendimit për vulën e PD-së, që në sfondin e dashurisë së rigjetur mes Ramës dhe Berishës, la shijen tek qytetarë, politikanë, komentatorë dhe ambasadorë të ndryshëm, të një prikë martesore me të cilën kryeministri i shkoi ish-kryeministrit për të sigluar rikthimin e status quo-së, aq shumë të dëshiruar.
Dhe, ja ku jemi përsëri tek Kundër-Reforma, më pak se 6 muaj nga zgjedhjet e ardhshme politike, dy farkëtuesit e sistemit politik, -të lindur nga marrëveshja Rama-Berisha e 16 viteve më parë, po shkojnë tek qytetarët me një ofertë të qartë zgjedhore Anti-SPAK.
Natyrisht njëri e shet veten si polici i mirë, dhe tjetri si polici i keq, gjithsesi të dy, në një gjatësi valësh, për sa i përket qëllimit, që “regjimi i vjetër” ka ndaj drejtësisë së re.
Nëse në zgjedhjet e ardhshme Rama dhe Berisha do të jenë faktorë politikë, Kundër-Reforma do të jetë fakt, ndërsa autonomia që SPAK-u ka fituar nga politika, do të jetë një eksperiment i bukur për sa i përket pritshmërive të qytetarëve, për t’i dhënë fund
pandëshkueshmërisë, por gjithsesi një eksperiment jetëshkurtër.
Kjo nuk do të thotë që SPAK-u, do të mbyllet nga sot nesër, por mekanizmat bizantinë të politikës do t’i mbivendosen duke i vënë një këmishë force, për t’i pamundësuar veprimin në Olimpin e pandëshkueshmërisë, duke na kthyer tek kohët e “arta” të arrestimeve për korrupsion, që do të vinin në shtatorin e ardhshëm, pa specifikuar se për shtatorin e cilit vit bëhej fjalë.
Por nëse tek disa, Reforma ka nxitur frikën e madhe që po prodhon Kundër-Reformën, tek një pjesë e gjerë e shoqërisë ka nxitur një shpresë të madhe të bazuar tek ideja se, pavarësisht problematikave të pamohueshme, nëse implementohet me sukses, mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si funksionon drejtësia në Shqipëri, duke përmirësuar besimin publik, duke forcuar sundimin e ligjit, llogaridhënien, dhe cilësinë e politikëbërjes.
Reforma dhe “Kundër-Reforma” do të përballen në zgjedhjet e ardhshme, duke ndikuar tek balancat e fuqisë për shumë dekada.
Nëse shoqëria me votën e saj do të anojë në mbrojtje të Reformës, do të kemi një ndryshim rrënjësor në strukturën e autoritetit, ndarjes dhe balancimit të pushtetit, pluralizëm dhe lëvizje demokratike, me pasoja pozitive, ekonomike dhe shoqërore.
Nëse shoqëria me votën e saj do të anojë nga Kundër-Reforma, nuk do të ketë nevojë për të rihapur librat e historisë nga shekulli i XVI-të, por do të mjaftojë rifreskim i kujtesës së 16 viteve të fundit, pas marrëveshjes Rama-Berisha të 2008-ës, me demokraci të vobektë, korrupsion të fortë, indulgjenca për politikanët dhe largim për shqiptarët, nën refrenin me të cilin nisi tranzicioni nga regjimi i vjetër tek i riu i cili u vjetërua përsëri: Bashkëfajtorë dhe Bashkëvuajtës.