Nga Desada Metaj
Edi Rama, me mungesën e sotme në parlament, i dha bojën finale ceremonisë së funeralit të “mosbindjes civile”. Shfaqja e Sali Berishës dhe fjalimi i tij triumfator në foltore gjithashtu zbehu protagonizmin e Gaz Bardhit dhe deputetëve të tjerë, që për muaj me radhë kishin marrë flamurin (jo deputetin) e opozitarit pa kompromis me qeverinë dhe kryeministrin. Fjalimet e zbehta, sherrnaja e pazëshme me socialistët dhe mërzitja e dukshme e disave në ulëset e opozitës ishte përshkrimi i saktë i asaj çka ofroi sot PD në parlament.
Procesi mortor i mosbindjes civile, pa ndonjë arsye të deklaruar, nuk e fshehu dot të vërtetën që shumëkush e ka të qartë: kaosi dhe protestat e dhunshme në kuvend kishin një qëllim: hallin e Sali Berishës. I cili, që në ditët e para të “lirisë,” hodhi pas shpine 77 mënyrat e mosbindjes civile për t’u rikthyer triumfator mbi një grusht deputetësh që i kishte zotëruar dhe nga kati i tetë. Të cilët nga aksioni “Free Berisha” u duhet të bëhen gati për betejën “anti-SPAK.” Dhe për këtë aksion, përveç aleatit Ilir Meta, me gjasë Berisha ka mbështetje në radhët e mazhorancës, ku SPAK, për hir të së vërtetës, po godet më fort dhe ku hetimet po thellohen edhe për ata që konsiderohen të paprekshëm. Jo më kot më shumë se demokratët, gëzimin për rikthimin e Berishës nuk e fshehën dot as socialistët me në krye Spiropalin.
Djegia e karrigeve dhe parlamentit disa javë më parë, sot i kishte lënë vendin një flladi dashurie që frynte nga njëra anë e sallës tek tjetra. Flaka e disa javëve më parë për të djegur karriget sot u zëvendësua nga fitili i paqes që Sali Berisha e ndezi për ta mbajtur gjallë me zëdhënësit e tij në parlament dhe media, ku qartas, buxheti ishte problemi më i vogël dhe SPAK halli i madh.
Thuajse gjashtë muaj para zgjedhjeve, në një sallë Kuvendi normale, duhej të debatohej, në mos për buxhetin, së paku për skandalin e përfshirjes së politikës dhe medias me krimin dhe hetimet e SPAK. E nëse ky debat nuk ndodh në Kuvend, si mundet që publikisht dhe në çdo platformë mungon tërësisht debati për programet politike, primaret, emrat e rinj dhe të ardhmen e qeverisjes? Normalisht, këtë nuk mund ta presësh nga një qeveri fosile hallemadhe e SPAK-ut. Por çuditërisht këtë mënyra ka adaptuar dhe opozita. Të dy palët po sillen në debatin publik për përfshirjen e politikës dhe medias në botën e krimit si të pandehur në një sallë të madhe gjyqi. Por se për hallet e Berishës dhe familjes së tij apo për hallet e veta kjo mbetet për t’u parë.
Megjithatë është e papranueshme që një alternativë opozitare në një vend si Shqipëria të mbetet peng e një ngërçi të madh me drejtësinë. Opinioni publik nuk është më ai i 20 apo 30 viteve më parë, ku manipulimi nga salla e parlamentit dhe studiot televizive kishte një fuqi të konsiderueshme. Sot, madje, edhe media tradicionale e ka humbur fuqinë e saj.
Duhet pranuar se politika, media dhe SPAK janë tashmë faktorët kryesorë që lëvizin rrotën e shoqërisë në Shqipëri. Sa më lart janë të dukshëm në syte dhe në gjykimin e publikut me të vërtetat dhe gabimet e tyre. Produkti që politika, media dhe SPAK ofrojnë nuk është e ngjashme me veprën e një kirurgu që vetëm kolegët ja kuptojnë si e ka bërë operacionin. Sot produkti që ofron politika, media (apo segmente të saj) dhe SPAK janë të dukshme dhe të prekshme nga të gjjthë. Dhe operacionet e fundit të Prokurorisë së Posaçme, për hir të së vërtetës, janë kryer me bisturi të hollë dhe prerje të thellë. Me dhimbje për politikën dhe një pjesë të medias, por me disa plagë të shëruara për publikun që sheh dhe vlerëson qartë./VNA