Asnjë nga lojtarët e Juventusit nuk është në merkato. Këto janë fjalët e drejtorit të Përgjithshëm të bardhezinjve, Beppe Marotta. Ai foli gjithashtu rreth të ardhmes së Paul Poga, i cili sipas drejtuesit bardhezi nuk do të largohet nga Juventusi, pasi është një element shumë i rëndësishëm për kampionët e Italisë.
“Pogba është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe do të vazhdojë të qëndrojë në Torino edhe për disa vite. Ai është rritur tek Juventus, ku është shndërruar në një kampion. Sigurisht, që ne marrim parasysh edhe dëshirën e lojtarit, nëse dëshiron të qëndrojë apo jo. Për momentin asnjë nga futbollistët e Juventusit nuk është në merkato”, u shpreh Morata.
Beppe Marotta foli dhe për të ardhmen e trajnerit të “Zonjës së Vjetër”, Massimiliano Alegri. Sipas drejtorit të Përgjithshëm, dëshira e Alegrit për të fituar përputhet më së miri me filozofinë e klubit dhe la të hapur mundësinë e qëndrimin e teknikut në krye të stolit bardhezi. “Dëshira e Alegrit për të fituar është e njëjtë me atë të presidentit të Juventusit, Agneli. Nisur nga rezultatet është e logjikshme që ai të vazhdojë ta drejtojë skuadrën. Alegri është një lider në dhomat e zhveshjes dhe jam i sigurt që nën drejtim e tij, Juventusi do të bëjë hapa të mëdha jo vetëm në kampionatin italian, por gjithashtu dhe në aktivitetet europiane”, tha ai.
Dëmtimi i Claudio Marchisio-s në sfidën e shtëpisë me Palermon e spostoi në plan të dytë jehonën e suksesit 4-0 ndaj siçilianëve. Mesfushori bardhezi ka këputur ligamentin e gjurit të majtë e për rrjedhojë do të mungojë për një periudhë të gjatë, që do të thotë se do të humbasë edhe Kampionatin Europian “Francë 2016”. Pas ekzaminimeve të mëtejshme do të vendoset edhe për ndërhyrjen kirurgjikale, ndërsa koha e riaftësimit do të zgjasë nga 5 deri 6 muaj. Një goditje e rëndë kjo për Juventusin, por më shumë për Kombëtaren italiane, që humb kështu një nga elementët më të rëndësishëm të formacionit titullar. Conte tashmë duhet të ndryshojë planet fillestare për europianin, pasi i duhet të zgjedhë zëvendësuesin e duhur të Marchisio-s, e ndoshta edhe të ndryshojë modulin e lojës.
Trajneri i të kaltërve duhet të llogarisë edhe problemet e Verrattit me pupalgjinë, me mesfushorin e Paris Saint-Germain që praktikisht nuk luan prej një muaji e gjysmë. Situata është e komplikuar, pasi mesfusha e Italisë ka nevojë për ridimensionim. Me Verrattin që nuk jep garanci, Conte duhet të gjejë të tjera zgjidhje. Pirlo nuk garanton formën e duhur atletike, por edhe Daniele De Rossi ka pësuar rënie gjatë sezoneve të fundit. Alternativa më e mundshme e Marchisio-s mbetet Marco Parolo, por edhe për mesfushorin lazial kërkohet një zëvendësues. Soriano, Bonaventura, Benassi apo Sturaro? Të gjithë janë teorikisht zgjidhje të mundshme si në modulin 3-4-3 ashtu edhe në 4-4-2.