PAOK, trajneri beson te Ergys Kaçe

Ergys Kaçe do të vazhdojë të jetë pjesë e PAOK-ut. Edhe pse gjatë javëve të fundit e ardhmja e tij në radhët e bardhezinjve ishte vënë në dyshim, trajneri i beson mesfushorit shqiptar, duke u shprehur qartë se mesfushori do të vazhdojë të jetë pjesë e projektit të tij. Kaçe u rikthye në Selanik pas eksperiencës së dështuar te Viktoria Plzen ku u huazua për 6 muaj, por klubi çek vendosi të mos e ushtronte të drejtën e blerjes dhe trajneri Vladimir Iviç synon ta riintegrojë në grupin që drejton. Sinjalet e para për ngrohjen e marrëdhënieve mes trajnerit dhe lojtarit shqiptar u dukën qartë që në ndeshjen e Kupës së Greqisë kundër Panaitolikos. 23-vjeçari u aktivizua për rreth 25 minuta në transfertë dhe tashmë pritet të zbresë në fushë edhe për ndeshjet e kampionatit. “Kaçe është lojtari jonë edhe pse shkoi në huazim 6 muaj. Ai është një lojtar që mund të na ndihmojë shumë prandaj unë mendoj se do ta përdor gjatë pjesës së dytë të sezonit”, theksoi trajneri Iviç që synon t’i japë një tjetër mundësi lojtarit shqiptar që gjatë muajve të fundit nuk është përfshirë as në listën e trajnerit të kombëtares, Gianni de Biasi.

Artikulli paraprakWatzke e pranon!
Artikulli tjetërUjkani, Genoa “troket” në portën e Pisës