650 milionë euro fonde publike u dhanë pa garë! Ekspertët skanojnë 40 tenderat me ‘flamuj të kuq’! Berberi dhe Verdho ‘spastruan’ konkurrencën

EMISIONI VETTING

Ku shkojnë fondet publike?

Prej kohës kur Shqipëria nisi procesin e integrimit europian, mungesa e konkurrencës në prokurimet publike, mbetet një ndër kritikat e vazhdueshme të organizatave ndërkombëtare, kritikë qe reflektohet edhe në progres-raportin e fundit të Bashkimi Europian.

Për të analizuar këtë problematikë në proceset e prokurimit publik, do t’i referohemi fillimisht raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilave, vetëm në katër vitet e fundit, totali i dëmit ekonomik për shkak të parregullsive në proceset e tenderimit, shkon në vlerën 2 miliardë e 550 milionë euro, barrë e cila bie mbi qytetarët.

“Vetting” ka analizuar procedurat me vlerën më të madhe monetare për periudhën 2020-2023 dhe ka zbuluar se në shumicën prej tyre nuk ka garë pasi kompanitë janë skualifikuar ose ka patur pjesëmarrës vetëm një kompani.

Sipas ekspertit të prokurimeve, Muharrem Çakaj, sektori i prokurimit publik ka disa probleme.

“Në thelb procesi i prokurimit publik në Shqipëri mund të themi që çalon, çalon në cilësi, por edhe në vendimmarrjen e organeve kompetente”, tha për “Vetting” Muharrem Çakaj.

Problemet me tenderat kanë sjellë krijimin e kushteve për monopole me fondet publike, e cila sipas drejtuesve të lëvizjeve politike duket te numri i kompanive të përfshira në tenderime.

Nga të dhënat e përpunuara nga Open Data Albania rezulton se një pjesë e madhe e 100 tenderave më të mëdhenj të organizuara nga institucionet publike rezultojnë me “red flag” ose ndryshe me flamur të kuq.

Flamuri i kuq vendoset automatikisht nga sistemi i ‘Open Data Albania’ kur kemi vetëm një  kompani që garon për tenderin ose janë skualifikuar të gjitha kompanitë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e kualifikuar.

vetting (1)

Mungesa e garës praktikisht është si të marrësh pjesë në një konkurs, ku askush nuk paraqitet përveçse një pjesëmarrësi, i cili automatikisht shpallet fitues.

Sipas Ilir Brashaj, data analist te “Qëndresa Qytetare”, në tenderat me vlerë të madhe numri i ofertave të dorëzuara është relativisht i ulët.

Përqendrimi i fondeve publike te disa kompani

Nëpërmjet të dhënave të përpunuara nga “Open Data Albania”, “Vetting” ka analizuar 40 tenderat më të mëdhenj për periudhën 2020-2023, ku bie në sy mungesa e garës, e cila ka indicie për korrupsion.

“Vetting” ka evidentuar se nga 40 tendera, 31 ose 77% e tyre janë me flamur të kuq pasi janë skualifikuar të gjithë pjesëmarrësit, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e mbetur në garë. Vlera e totale e tenderave me flamur të kuq është 72,3 miliardë lekë. Pra, në 4 vite 650 milionë euro fonde publike u janë akorduar pa garë një grupi kompanish, të cilat gjenerojnë pjesën më të madhe të të ardhurave nga institucionet publike.

Nga raportet e Agjencisë së Prokurimeve Publike evidentohet se vetëm për vitin 2023 janë realizuar 1218 procedura tenderash me vetëm një kompani të vetme, që ka dorëzuar ofertën dhe 24 % e procedurave kanë dështuar.

Sipas ekspertit Muharrem Çakaj, fitimi i një kontrate me një vlerë pothuajse sa fondi limit është një flamur i kuq, i cili duhet të ngrejë të gjitha alarmet e mundshme, që kjo procedurë ka diçka që nuk shkon.

“Realizueshmëria e procedurave publike në vitin 2023 është diku te 76%, pra gati cereku i procedurave të prokurimit publik dështojnë? E di pse dështojnë? Sepse nuk janë shpallur fitues operatorët që autoritetet duan prandaj dhe vlerësimi im është që ky proces është pjesërisht transparent dhe pjesërisht objektiv”, shpjegoi eksperti Çakaj.

Disa prej këtyre tenderave dhe kompanive janë nën hetim nga SPAK së bashku me drejtuesit e institucioneve që kanë miratuar këto kontrata.

Shumica e tenderave janë organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, nën drejtimin e Evis Berberit, i cili në mars 2024 është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas SPAK, Berberi dyshohet për korrupsion pasiv për 3 tendera te Autoriteti Rrugor Shqiptar, si dhe për pastrim parash.

evis berberi OK

Një ish drejtor tjetër, që ka organizuar disa tendera, ku janë skualifikuar të gjithë konkurrentët është Ergys Verdho, i cili aktualisht drejton shoqërinë publike Hekurudha Shqiptare dhe është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

images (4)

Në një komunikim zyrtar për “Vetting”, SPAK deklaroi se ka nisur hetimet për “shpërdorim detyre” për nëpunësit e përfshirë në procesin e prodhimit, shpërndarjes dhe administrimit të energjisë elektrike prej 10 tetorit 2021, ku vet Verdho ka qenë administrator i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.

Por cilat janë kompanitë e përfshira në tendera?

Në deklaratën e Open Data Albania për tenderat e 2021 theksohet se: “spikat fakti që në 100 tenderat më të mëdhenj, janë 35 kontraktime me procedurë të kufizuar apo negocime të drejtpërdrejtë, me pak fjalë tenderime ‘RedFlag’ pa garë”.

Madje nga 10 tenderat me vlerën më të lartë për vitin 2021, 6 prej tyre janë pa garë pasi janë skualifikuar të gjitha kompanitë pjesëmarrëse, duke u shpallur automatikisht fituese kompania e vetme e mbetur në tender.

Të 6 tenderat janë organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe lidhen me infrastrukturën e Unazës së Jashtme të Tiranës.

Sipas ekspertit të prokurimeve, Muharrem Çakaj është e vështirë që disa operatorë të japin një ofertë sa fondi limit, duke theksuar se në këto raste ka shumë indicie që gara për tenderin të jetë e rregulluar.

Një prej tenderave, që bie në sy është organizuar nga Bashkia Durrës me mbështetje nga programi i Rindërtimit për “Rehabilitimin e Infrastrukturës së Rrjetit në zonën e Porto Romanos-Kënetë” me ofertë fituese 19,7 milionë euro, sa 99.9% e fondit limit, me një diferencë të papërfillshme më konkurrentin.

Është një prej procedurave të prokurimit që është denoncuar nga emisioni “Vetting” pasi përveç procedurës së dyshimtë, njëra nga kompanitë e përfshira në konsorciumin fitues është “ADRIATIK” shpk, në pronësi të babait të ish Drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellësit Durrës, Spartak Kovaçi, rast që është nën hetim nga SPAK.

Nëse në vitin 2021 ka disa kompani, që kanë konkurruar dhe kanë shkuar deri në fund të garës, në vitin 2022 situata është më e rëndë pasi të gjitha procedurat janë me ‘flamuj të kuq’. Nga 10 tenderat më të mëdhenj për këtë vit, ku shumica janë organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, të gjitha kompanitë janë skualifikuar duke u shpallur fituese kompania, që thjesht plotësonte kriteret.

Në vitin 2023 ka patur raste që kompanitë kanë bërë ankesë siç është rasti për tenderin e organizuar nga Ministria e Drejtësisë për Ndërtimin e Institucionit për Edukim dhe Rehabilitim të të Miturve me fond limit 19.2 milionë euro. Në këtë rast, institucioni më i lartë në fushën e prokurimeve, Komisioni i Prokurimeve Publike e ka rrëzuar ankesën dhe ia ka deleguar si rast Agjencisë së Prokurimeve Publike për të realizuar një hetim administrativ.

Një rast tjetër nën hetim nga SPAK, që mund të ishte me pasoja tragjike lidhet me shembjen e aksit Ersekë-Korçë, ku një ditë më pas në 17 shkurt 2024 Prokuroria e Posaçme do të niste hetimet për dy kompanitë “A & E ENGINEERING” dhe “A.N.K”. Kjo është një tjetër kompani, e cila ka fituar tender në 2023 duke u skualifikuar konkurrentët e tjerë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me vlerë 20.8 milionë euro.

Dy tendera të tjerë të vitit 2020, tenderi i Autoritetit Portual të Durrësit për shërbimi i menaxhimit dhe operimit të Terminalit të Kontejnerëve në portin e Durrësit dhe tenderi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë nën hetim nga SPAK.

Sipas ekspertit Çakaj, në sektorin e prokurimeve publike në këto 4 vitet e fundit po e hasim gjithmonë e më shpesh nënshkrimin e kontratës me një vlerë sa fondi limit, e cila është e dëmshme për menaxhimin e fondeve publike.

“Së pari, këtu kemi vrasje të garës, sepse teorikisht një procedurë prokurimi ku konkurrojnë disa operatorë ekonomikë, në një garë të ndershme do duhet që secili të japi ofertën e vet dhe oferta do duhet të ketë konkurrueshmëri”, deklaroi për “Vetting” Muharrem Çaka.

Në mbyllje të raportit për vitin 2020, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të bënte kallëzim për tenderin e uniformave të policisë të realizuar në korrik 2020 nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Nga hetimet e SPAK do të arrestoheshin dhe dënoheshin anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për shkelje të ligjit të Prokurimit Publik dhe favorizim të kompanisë që fitoi tenderin.

Artikulli paraprakE ëma ndërroi jetë, vajza akuzon mjekët për neglizhencë. Mjeku: Për mua robt janë si miza, s’e rruaj për njeri
Artikulli tjetërBasha i përgjigjet akuzave të Berishës: As ai vetë nuk i beson më mashtrimet që nxjerr nëpër studio për të fshehur hallin e tij me SHBA, Britaninë e Madhe dhe drejtësinë