Me vendim të GJKKO, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit ka marrë autorizimin dhe kërkon të kontrollojë telefonin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Mësohet se agjentët e BKH shkuan në orët e para të mëngjesit në banesën ku jeton kryebashkiaku, pikërisht për të kontrolluar telefonin e bashkëshortes se tij.
Kujtojmë që kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po hetohet nga SPAK për aferën e inceneratorëve, dosjen 5D, por edhe në hetim pasuror së bashku me familjen.
Në muajin maj ndaj Veliajt ka filluar procedimi penal dhe se SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, i vëllai Arbër Veliaj dhe nëna Shqiponjë Veliaj.
Më 30 prill, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u paraqit në Prokurorisë së Posaçme, ku për rreth 8 orë dëshmoi për aferën e inceneratorëve. Veliaj theksoi për mediat se ishte në SPAK si bashkëpunëtor dhe se gjatë marrjes në pyetje ishte ezauruar plotësisht çështja e inceneratorëve.