Transferimi i Ernest Muçit në radhët e Beshiktashit vazhdon të prodhojë polemika të shumta në Turqi. Klubi i cili ka probleme financiare, akuzohet se ka paguar shumë mbi vlerën për kartonin e sulmuesit shqiptar, në momentin kur e bleu për 10 milionë euro nga Legia në Poloni.
Situata së fundmi është bërë më e komplikuar pas deklaratave të lëshuara nga Erol Bulut, trajneri turk i cili ka qenë në drejtimin e klubit të Kardif. Uellsianët, të cilët janë pjesë e Championship, ishin mes atyre që kërkonin Muçin, siç tregoi vetë ish-trajneri për mediat turke, por zbuloi se kërkesa që Legia kishte për ta, ishte shumë më e ulët.
“Ernest Muçi ishte një transferim që po merrja në konsideratë te Kardifi. Kur ne pyetëm, na thanë që vlera e tij mund të ishte rreth 4 milionë euro. Unë u çudita në atë periudhë, kur për ne thanë se ishte 4 milionë euro, por ai erdhi te Beshiktashi për 10 milionë euro. Kjo gjë ndodhi në merkaton e dimrit të vitit të kaluar.
Meqë ne kishim një bllokim të merkatos, klubi nuk mundi ta hapte. Ne nuk kishim mundësi ta bënim transferimin gjithsesi”, shpjegoi Bulut për “BeIN Sport”.