Kurthi i pagave ku ka rënë qeveria Rama!

“Nuk bëhet vreshti me fushata, por me shata e lopata”, është një shprehje e trashëguar nga koha e socializmit, që sot, ndonëse mund të tingëllojë ironike, sërish mbetet aktuale.

Fushatat vijojnë të mbeten një format i preferuar i qeverisë për të zgjidhur probleme, që në fakt janë strukturore, dhe do të kërkonin ndërhyrje të thella dhe afatgjata. Dy vite më parë, zgjidhja për pagat më të ulëta sesa mesatarja e rajonit u gjet nëpërmjet presionit indirekt te bizneset.

Qeveria vendosi të rrisë pagat e administratës, duke shpresuar se kjo do të nxiste sipërmarrjet private. (madje, administrata vijoi dhe të shtohej në organikë, ndonëse një pjesë e madhe e shërbimeve tashmë po ofrohen online).

Bizneset në fakt i rritën pagat, por jo aq shumë nga “presioni” i qeverisë, sesa nga shtrembërimet që u krijuan në tregun e punës, si rrjedhojë e ritmeve të larta të emigracionit. Kjo lëvizje, që erdhi e detyruar dhe e pashoqëruar me produktivitetin, ndikoi në uljen e konkurrueshmërisë së bizneseve, duke përkeqësuar treguesit e përfitueshmërisë.

Operatorët turistikë p.sh., ankohen se rritja e pagave të punonjësve të sektorit për shkak të emigracionit, ka rënduar në kosto bizneset e hotelerisë dhe nuk ka sjellë përmirësime në tregun e punës.

Bizneset po vuajnë edhe shtimin e kostove nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, ndërsa tendenca e konsumit është në rënie dhe turistët që po vijnë, po shpenzojnë gjithnjë e më pak.

Fushata e dytë që ka nisur tani është ajo e deklarimit real të pagave. Informaliteti në tregun e pagave pa diskutim që është i lartë, teksa të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore janë sa gjysma e mesatares së rajonit dhe rreth 60% më të ulëta se Bashkimi Europian.

Është në të drejtën e institucioneve tatimore që të luftojnë me çdo mjet këtë situatë, por fushata nuk është veçse një rezultat afatshkurtër. Presioni dhe frika nga kontrollet mund të funksionojë për disa muaj, por nuk është kurrsesi një zgjidhje afatgjatë.

Nëndeklarimi i pagave nuk rezulton se është një zgjedhje vullnetare, por sipas drejtuesve të shoqatave të bizneseve, kjo vjen nga mungesa e produktivitetit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe taksimit të lartë mbi të ardhurat personale.

Përfaqësuesit e biznesit pohojnë se informaliteti në tregun e punës është i përhapur, për shkak të normës së lartë të tatimit mbi të ardhurat (TAP) si për pagat, sidomos ato të larta, ku nëndeklarimi është më i lartë. Tatimi për pagat mbi 200 mijë lekë është 23%, më i larti në rajon, që përgjithësisht ka një nivel të sheshtë prej 10% deri në 15%.

Drejtuesit pohojnë se detyrimi për tatimin mbi të ardhurat personale është kthyer në barrë të rëndë për shkak të nivelit të lartë të taksës, sidomos te pagat e larta në nivel menaxherësh. Me rritjen e kostove të jetesës dhe të nivelit të përgjithshëm të pagave, ky nivel nuk mund të konsiderohet më as mbi mesataren, duke e humbur tërësisht funksionin për të cilin u vu në fillim.

Edhe premtimi i ish-ministrit të Financave për të rritur pragun në 250 mijë lekë nga janari 2025 u harrua, si një “hakmarrje” ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shtyrjen e taksimit të profesioneve të lira për vitin 2029.

Është e qartë që ekonomia nuk zhvillohet me informalitet, kjo dëmton si të ardhurat buxhetore, ashtu dhe punonjësit. Vetë sipërmarrjet kanë filluar të përshtaten. Industritë që kishin avantazh koston e lirë të fuqisë punëtore nuk mund të vazhdojnë të mbijetojnë dhe drejtuesit e tyre po orientohen drejt sektorëve të tjerë me potencial, si turizmi.

Të tjerë po investojnë në teknologji për të rritur produktivitetin. Ka dhe nga ata që po shkurtojnë vendet e punës, në përpjekje për të ulur kostot, teksa po dëmtohen dhe nga euro e dobët.

Por, ekonomia nuk zhvillohet as me fushata. Një taksim më i ulët do të mbështeste sipërmarrjet dhe do të ulte më natyralisht informalitetin, duke nxitur deklarimet.

Nxitja e një ekonomie më konkurruese dhe produktive, një sistemi me rregulla të barabarta të lojës, mjedisi të sigurt për të bërë biznes, e shoqëruar me një barrë të ulët fiskale, do të bënin shumë më tepër në afatin e gjatë, sesa një fushatë e momentit në afatin e shkurtër./ Monitor

Artikulli paraprak“Bashar al-Assad ka ikur nga Damasku”- Rebelët sirianë pretendojnë se kanë kapur kryeqytetin sirian
Artikulli tjetër“Laku është ngushtuar”, gazetari flet të hetimet ndaj ‘Lalit’: Janë 5 dosje aktive në SPAK për Erion Veliajn